Ndërlidhjet

Berisha: Ideali kombëtar - ideal evropian


Kryeministri Sali Berisha
Kryeministri Sali Berisha

Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete që synim të përbashkët e kanë integrimin në Bashkimin Evropian, por shqiptarët janë një komb dhe nuk mund të ketë dy kombe shqiptare, tha sot në Prishtinë, kryeministri Sali Berisha.

Këto komente, kryeministri i Republikës së Shqipërisë i bëri gjatë vizitës dyditore në Kosovë, ku ai është pritur nga udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës dhe me ceremoni e nderimet më të larta shtetërore.

Kosova dhe Shqipëria, tha Berisha, për një kohë të gjatë kanë qenë të ndara me kufij me gjemba e pengesa tjera. Kurse tash, të dyja shtetet, tha ai, duhet të punojnë për sanimin e këtyre pengesave shekullore, marrë parasysh edhe ambiciet e të dyja shteteve për integrime euroatlantike.

Kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Fatmir Sejdiu
“Sot, ideali kombëtar i shqiptarëve është ideali evropian. Po, sepse ne aty kemi përcaktuar të ardhmen tonë më të shkëlqyer dhe nuk dimë ndonjë të ardhme më të ndritur për ne, sesa integrimi në Evropë. Shqipëria dhe Kosova janë dy vende të ndryshme. Është në interesin jetik të çdo shqiptari konsolidimi i pavarësisë së Kosovës”.

“Por, këto nuk janë vende të huaja për njëri-tjetrin. Kjo duhet të largohet. Nuk janë vende të huaja këto. Janë vende vëllezër. Shumë vende e cilësojnë dhe e vlerësojnë njëri-tjetrin si vëllezër, por në botë dy vende që të kenë më të drejtë për këtë se Shqipëria dhe Kosova, nuk ka”,
tha Berisha, duke rikujtuar se parimet e politikës ndërkombëtare sot mbeten kufijtë e pandryshuar në Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri i Shqipërisë i është drejtuar me një fjalim edhe Parlamentit të Kosovës. Këtë fjalim, Berisha tha se e përjetonte si një prej momenteve më të shënuara të jetës së tij, ngase në këtë Parlament ishte shpallur dhe realizuar ëndrra për pavarësinë e Kosovës.

“Pavarësia e Kosovës shënoi fundin e njërës prej padrejtësive më të mëdha, jo vetëm të Ballkanit, por të të gjithë Evropës. Andaj, edhe pas rënies së Murit të Berlinit, shpallja e pavarësisë së Kosovës është ngjarja më e madhe në historinë e lirisë, jo vetëm të kombit shqiptar dhe rajonit, por të mbarë Evropës së pas Luftës së Dytë Botërore”, tha Berisha.

Po në këtë seancë solemne, presidenti Fatmir Sejdiu i ndau kryeministrit Berisha “Medaljen e Artë të Lirisë”, për kontributin e dhënë për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi.

“Inaugurimi i autostradës Durrës-Morinë, ide e hershme e presidentit Rugova, është një nga arritjet më të mëdha të Qeverisë Berisha, e cila, duke jetësuar ‘udhën e kombit’, krijoi mundësi të reja për bashkëpunimin dhe afrimin në mes dy vendeve tona”.

“Prandaj, duke i pasur parasysh të gjitha cilësitë e personalitetit dhe meritat e tij si lider politik e si burrështetas, si dhe duke u mbështetur në kompetencat që me jep Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si president i vendit, unë sot e kam dekoruar kryeministrin Berisha me “Medaljen e Artë të Lirisë”,
theksoi presidenti Sejdiu.

Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi tha se kryeministri Sali Berisha, me ndërtimin e autostradës që lidh Kosovën me Shqipërinë, është një realizues i ëndrrës shqiptare.

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, dhe ai i Kosovës, Hashim Thaçi
Berisha është jetësues i integrimit të Shqipërisë në NATO dhe kontribuues i madh për pavarësinë e Kosovës, tha Thaçi. Kryeministri kosovar tha po ashtu se askush në rajon nuk duhet t’i frikësohet bashkëpunimit ndërmjet Kosovës e Shqipërisë.

“Shqiptarët jetojnë në shumë shtete, por ne jemi një komb. Vendet në rajon, Kosovën dhe Shqipërinë i kanë dy vende mike, dy vende të partneritetit, të bashkëpunimit, të paqes, të stabilitetit, të angazhimeve integruese edhe rajonale, por edhe euroatlantike”, u shpreh Thaçi.

Gjatë kësaj vizite, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë nënshkruar gjashtë marrëveshje bashkëpunimi.

Në orët e mbrëmjes, Universiteti i Prishtinës i ka ndarë Berishës titullin Doktor “Honoris Causa”. Rektori i Universitetit, Mujë Rugova, tha se me këtë titull nuk po nderohet vetëm personaliteti i Berishës, por edhe Universiteti i Prishtinës që ka rastin t’i ndajë atij këtë titull.

Ndërkaq, kryeministri Berisha tha se ishte i nderuar që u bë pjesë e Universitetit të Prishtinës, një institucion që ishte pjesë e procesit për çlirimin dhe lirinë e Kosovës.

“Liria kombëtare është një dhe e pandarë. Në rast se një pjesë e kombit nuk është e lirë, kombi kurrë s’mund të jetë i lirë. Në këtë Universitet u farktuan luftëtarët e mëdhenj të lirisë së kombit shqiptar, burrat dhe gratë, që do të udhëhiqnin shqiptarët në betejën më legjendare në historinë e tyre, betejën për pavarësinë e Kosovës”, tha Berisha.

Nesër, kryeministri shqiptar pritet të shpallet Qytetar Nderi i Prizrenit. Në ditën e dytë të qëndrimit të tij në Kosovë, Berisha pritet të takojë dhe përfaqësuesin e BE-së në Kosovë, Piter Feith, si dhe komandantin e KFOR-it, Markus Bentler.

Berisha dhe delegacioni nga Tirana kanë zhvilluar takime edhe me partitë opozitare si dhe komunitetin e biznesit.

Kryeministri shqiptar ka vizituar Kosovën edhe në të kaluarën, por kjo ishte vizita e tij e parë në Kosovën e pavarur.
XS
SM
MD
LG