Ndërlidhjet

Presion për bojkotimin e zgjedhjeve


Udhëheqësit e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë vazhdojnë presionin e tyre mbi komunitetin serb për bojkotimin e zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit.


Institucionet paralele serbe në Kosovë u kanë bërë thirrje subjekteve politike dhe votuesve serbë që të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit.

Njëri nga udhëheqësit e serbëve nga pjesa veriore e Kosovës, Marko Jakshiq, thotë se serbët do të duhej të dëgjonin thirrjen e presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, se nuk janë pjekur kushtet për pjesëmarrje në zgjedhjet e Kosovës.

“Çdo dalje e serbëve në këto zgjedhje nënkupton njohjen e Kosovës së pavarur, nënkupton mohimin e shtetit tonë”, thotë Jakshiq.

Sipas tij, me daljen në zgjedhje, serbët e Kosovës distancohen nga Beogradi dhe Serbia dhe i bashkohen, siç thotë ai, “Shqipërisë së Madhe”, e cila, sipas Jakshiqit, “është në formim e sipër”.

Jakshiq kërkon nga Qeveria e Serbisë fillimin e një fushate të fuqishme kundër daljes së serbëve të Kosovës në zgjedhje, duke e kërkuar edhe mbështetjen e Kishës Ortodokse Serbe.

Mirëpo, ndryshe mendon Momçillo Trajkoviq, nga Nisma e Rezistencës Serbe për pjesën qendrore të Kosovës.

Si njëri nga kandidatët serbë të paraqitur për zgjedhjet lokale, Trajkoviq thotë se nuk e sheh daljen në zgjedhje si pranim të shtetit të Kosovës.

Me dalje në zgjedhje, serbët e Kosovës, nënvizon Trajkoviq, fitojnë instrumentet shtetërore në nivelin lokal, që do t’u ndihmojnë atyre në përmirësimin e kushteve dhe kualitetit të jetës.

“Mendoj se këtë pushtet real duhet ta marrin forcat reale, do të thotë ato forca që duan ta ndihmojnë popullin e vet”, thotë Trajkoviq.

Serbët që jetojnë poshtë lumit Ibër dhe nuk u përkasin strukturave në veri të Kosovës, pohon Trajkoviq, kanë pranuar që të jenë pjesë e Policisë së Kosovës, organeve të drejtësisë, kanë pranuar të paguajnë rrymën, ujin e shërbimet tjera dhe se të drejtat e tyre i realizojnë përmes nivelit lokal.

Andaj, këto zgjedhje, sipas tij, janë rasti më i mirë që serbët të marrin fatin në duart e tyre nëpër komunat ku përbëjnë shumicën.

Në anën tjetër, Sllavisha Ristiq, nga komuna veriore e Zubin Potokut, thotë se në asnjë rast, serbët nuk duhet të dalin në zgjedhjet e Kosovës.

“Ne kemi qëndrimin zyrtar të shtetit se nuk duhet marrë pjesë në këto zgjedhje. Unë pres që serbët të dëgjojnë mendimin e Qeverisë së Serbisë dhe Beogradit”, thotë Ristiq.

Edhe ai mendon se me daljen në zgjedhje, serbët e pranojnë Kosovën e pavarur dhe bëhen pjesë e ndërtimit të institucioneve të saj, të cilat një pjesë e këtij komuniteti, që udhëhiqet nga strukturat paralele të Beogradit, nuk i njeh.

Ndryshe, Kuvendi paralel i komunave serbe të Kosovës u ka bërë thirrje serbëve që t’i bojkotojnë zgjedhjet e 15 nëntorit.

Sidoqoftë, janë 21 subjekte politike serbe që janë paraqitur te KQZ-ja për pjesëmarrje në zgjedhje.

Ndërkohë që edhe Komisioni Evropian, në raportin e fundit të progresit, i ka ftuar serbët të dalin në zgjedhje, kurse ka kritikuar pozicionin dhe ndikimin e Serbisë te serbët e Kosovës për mbajtjen në jetë të strukturave paralele dhe pengimin e integrimit të këtij komuniteti në institucionet shtetërore të Kosovës.
XS
SM
MD
LG