Kuvendi i Kosovës nuk i ka dhënë mbështetje nismës së Partisë Demokratike që të thirret një seancë e jashtëzakonshme për të debatuar rreth gjendjes së sigurisë.
Duke e cilësuar si të jashtëzakonshme gjendjen e sigurisë në Kosovë, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Ramë Buja, tha se kishte mbledhur 46 nënshkrime, siç e kërkojnë procedurat për një seancë të tillë të jashtëzakonshme.
Buja tha se, ditëve të fundit, lansimi i disqeve dhe informacioneve të ndryshme, në të cilat flitet për krime të ndryshme, e ka vënë nën atak PDK-në dhe zyrtarët e saj dhe kërkoi që Kuvendi të mos mbetet indiferent nga kjo gjendje e krijuar.
“Unë kam një kërkesë në emër të Grupit Parlamentar dhe të 46 deputetëve. Të mbajmë një seancë të jashtëzakonshme, meqë është situatë e jashtëzakonshme e sigurisë në Kosovë dhe opinioni qytetar i Kosovës është terrorizuar që sa kohë”.
“Këtu, më parë, ne kemi kërkuar që të mos bëhet debat i tillë, i kësaj natyre dhe këto gjëra që janë përfolur në disqe, të shkojnë në organet e drejtësisë dhe atje të bëhet puna dhe pastaj nëse ka nevojë, ne të flasim”.
“Por tash, ashtu si është bërë puna, është e domosdoshme që opinionin, në kërkim falje, ta ngarkojmë edhe pak, për t’i sqaruar gjërat që janë të domosdoshme për t’u sqaruar”, tha Buja.
Ndonëse proceduralisht u tha se Buja, me mbledhjen e 46 nënshkrimeve, kishte të drejtë të thërriste seancën e jashtëzakonshme, ishte kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ai i cili kërkoi që të deklarohen edhe shefat e grupeve të tjera parlamentare.
Krasniqi tha se kryesia kishte preferuar një seancë të rregullt për këtë pikë, por nuk kishte arritur konsensus, kështu që këtë konsensus ai e kërkoi edhe në Kuvend.
“Kryesia, pak më parë, e ka pasur në shqyrtim kërkesën e PDK-së. Ne kemi tentuar të arrijmë konsensus, por nuk e kemi arritur konsensusin dhe nuk kemi votuar për mbajtjen e seancës sot”, tha Krasniqi.
Me Krasniqin është pajtuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës përmes shefit të Grupit Parlamentar, Lutfi Haziri.
Kundër mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme ishte edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, tha se çështjet kriminale duhet t’u lihen organeve të drejtësisë.
“Drejtësia duhet të merret me këtë çështje dhe nuk mendojmë se debati mund t’i ndihmojë drejtësisë. Nuk jemi të interesuar të marrim pjesë në debat në këtë fazë, i cili vetëm do t’i komplikonte edhe më tepër çështjet dhe do të ndërhynte drejtpërdrejt në punën e gjyqësorit”, tha Gjini.
Në vazhdim, edhe Grupi Parlamentar i Aleancës Kosova e Re dhe ai i Lidhjes Demokratike të Dardanisë nuk e kanë mbështetur mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme.
Kështu që për t’u ikur përçarjeve edhe më të mëdha në Kuvend, kryesia dhe shefat e grupeve parlamentare e morën pajtimin edhe të PDK-së, që një debat i tillë të shtyhet pas raundit të dytë të votimeve për kryetarët e komunave të Kosovës.
Të gjitha këto paqartësi në Kuvend pasuan zhvillimet në seancën e fundit, kur deputeti i LDD-së, Gani Geci, akuzoi deputetë, ministra dhe zëvendësministra për përfshirje në krime politike.
Më pas, deputetët Gani Geci dhe Adem Salihaj publikuan edhe një CD, ku një person me emrin Nazim Bllaca, i cili paraqitej aty si ish-pjesëtar i SHIK-ut, merrte përsipër përfshirjen e tij në krime. Kurse, urdhërdhënësit e këtyre veprave, sipas tij, ishin zyrtarë të lartë të PDK-së.
Andaj, në fund, PDK, përmes Ramë Bujës, edhe pse u pajtua që të shtyhet seanca për sigurinë, ishte insistuese që opinioni të mos mbetet pa i dëgjuar edhe deklarimet e PDK-së për ato akuza të rënda.
Ndryshe, kërkesat për seancë të jashtëzakonshme u lansuan, ndërsa Kuvendi po vazhdonte debatin e ndërprerë për raportin e progresit të Komisionit Evropian.