Ndërlidhjet

Ndryshimet në Qeveri të domosdoshme


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka nevojë për freskime me ministra të rinj, vlerësojnë analistët në Prishtinë. Sipas tyre, ndryshimet në Qeveri duken të jenë alternativë më e mirë, sesa zgjedhjet e parakohshme. Sidoqoftë, ata presin që ndryshimet e paralajmëruara t’i lënë jashtë Qeverisë zyrtarët që janë nën hetime, për shkak të dyshimeve për afera korruptive.





Riformatizimi i Qeverisë së Kosovës me largimin dhe sjelljen e ministrave të rinj në ekzekutiv, shihet nga analistët si shansi i fundit i mbijetesës së këtij koalicioni.

Freskimet shihen edhe si masa paralajmëruese për ministrat, se duhet të ngrenë nivelin e performansës së tyre nëse duan të vazhdojnë t’i mbajnë postet që kanë.

Analisti Shkëlzen Maliqi thotë se ka parë shumë mangësi në punën e ministrive të caktuara dhe freskimet, sipas tij, janë një rast i fundit që të bëhen ndryshime pozitive në qeverisje. Sidoqoftë, ai thotë se këto freskime në Qeveri po vonohen, marrë parasysh kohën kur janë paralajmëruar.

Shkelzen Maliqi
Një rikonstruim ndoshta do të ishte edhe ashtu i domosdoshëm, që të ngrihet performansa e Qeverisë. Mirëpo, ai paralajmërohet që sa kohë dhe ajo që unë shoh se mungon këtu, është se nuk po ka ndonjë platformë të qartë”, thotë Maliqi.

Përderisa kryeministri dhe partnerët e koalicionit nuk e bëjnë të qartë platformën e këtij rifreskimi të Qeverisë, Maliqi thotë se nuk mund të bëhen vlerësime se sa do të jenë të shëndetshme për qeverisjen në Kosovë këto ndryshime.

Ndërkaq, analisti Driton Lajçi vlerëson se ndryshimet në Qeveri duhet kuptuar si krejt normale. Çdo freskim, sipas Lajçit, mund të sjellë ndryshime pozitive dhe, në anën tjetër, mund të jetë edhe masë paralajmëruese për ministrat që janë dëshmuar apo dëshmohen më pak gjatë punës së tyre.

Driton Lajçi
Ministrat e rinj apo rikonfigurimi, ta quajmë si të doni, është shëndet për Qeverinë e Kosovës, institucionet dhe për performansën e tyre. Do të thotë, këtu nuk ka asgjë të keqe, është pozitive dhe se Qeveria bën këso ndryshimesh, ato janë krejt normale”, vlerëson Lajçi.

Analisti Lajçi nuk sheh alternativa tjera përveç ndryshimeve në Qeveri. Ai thotë se kërkesat për zgjedhje të parakohshme, nuk janë të bazuara, pasi që ky koalicion, me gjithë lëkundjet, ka arritur të ruajë shumicën në Parlament.

Nuk ka ndonjë argument që e mbështet mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Koalicioni, me gjithë lëkundjet që mund t’i ketë, ka numër në aspektin teorik dhe e ka përkrahjen e kalimit të ligjeve dhe miratimit të akteve të tjera të Qeverisë në Parlament”, thekson Lajçi

Ndërkohë, Shkëlzen Maliqi pret që ndryshimet në Qeveri të përfshijnë edhe largimin e zyrtarëve qeveritarë që janë nën hetime dhe nën dyshime për afera korruptive. Ndëshkimi i korrupsionit, thotë Maliqi, do të ishte në funksion edhe të vetëdijesimit të kuadrove të reja qeveritare, që do t’i marrin në të ardhmen në funksione të rëndësishme shtetërore.

Mendoj se edhe faktorët ndërkombëtarë nuk janë për eksperimente dhe ata do ta mbajnë këtë situatë deri në vitin 2011 me këtë qeveri, por kërkojnë përmirësimin e performansës dhe, eventualisht, edhe ndëshkimin, edhe ndjekjen penale të disa personaliteteve, si nga qeveria e kaluar, ashtu edhe kjo e tashmja, nëse auditivet dhe hetimet tregojnë se ka pasur keqpërdorime që ata të ndëshkohen”, thotë Maliqi.

Ndryshimet e paralajmëruara në Qeverinë e Kosovës shihen edhe si përpjekje të partnerëve të koalicionit për të përmirësuar imazhin e kësaj qeverie, pas përplasjeve ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës gjatë fushatës dhe zgjedhjeve lokale.

Njëherësh, këto rifreskime besohet se do të mundësojnë vazhdimin e mandatit të kësaj qeverie deri në afatin ligjor, pa pasur nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
XS
SM
MD
LG