Ndërlidhjet

Sa do të shpronësohet toka për autostradën?


Qeveria e Kosovës, tashmë, ka filluar procedurat e shpronësimit për tokat nga do të kalojë autostrada Vërmicë- Prishtinë- Merdar, por ende nuk e ka caktuar çmimin për kompensim të tyre. Disa pronarë të tokave në komunën e Prizrenit, presin vendimin e Qeverisë se sa do ta vlerësojë një ari tokë. Sipas, tyre, çmimi duhet të jetë i pranueshëm nga vetë pronarët dhe të jetë transparent.


Autoritetet kompetente kanë filluar shpronësimin e pronave, nëpër të cilat parashikohet të kalojë autostrada Vërmicë –Prishtinë- Merdar, thotë Muharrem Shahini, zëdhënës në Ministrinë e Ekonomi së dhe Financave.

Pasi autostrada do të fillojë nga Prizreni, edhe shpronësimi i tokave do të nisë nga kjo komunë, ku do të shpronësohen mbi 240 hektarë tokë.

Nga kjo sipërfaqe, 160 hektarë janë pronë private, ndërsa 80 hektarë janë tokë shoqërore.

Megjithatë, Qeveria e Kosovës ende nuk e ka përcaktuar çmimin e kompensimit.

Muharrem Shahini thotë se vendimi përfundimtar i shpronësimit për pronarët, me të cilin do të përcaktohet edhe shuma e kompensimit për secilin, do të shpallet nga Qeveria e Kosovës në gjysmën e dytë të muajit mars.

“Secila pronë (livadh, kullosë, tokë bujqësore etj), i ka karakteristikat e veta, prandaj edhe secila prej tyre do të ketë çmim të ndryshëm”.

“P.sh, një pronë, e cila është më afër një aksi rrugor kryesor, kushton më shtrenjtë krahasuar me atë, e cila nuk ka kurrfarë qasje në rrugë, apo në infrastrukturën tjetër”
, thotë Shahini.

Zyrtarë të Komunës së Prizrenit, tashmë kanë filluar kontaktet me pronarët e tokave nga do të bie ky aks rrugor.

Kadri Ukimeri, drejtor për Gjeodezi dhe Kadastër, në Kuvendin Komunal të Prizrenit, thotë se deri më tani pronarët nuk kanë shprehur ndonjë shqetësim rreth shpronësimit, por këtë heshtje ai e arsyeton me paqartësinë rreth çmimeve.

“Përafërsisht, ne kemi vende ku qytetarët kanë blerë tokë 4 deri në 5 mijë euro një ari, por kontratat që i kanë paraqitur te ne, kanë qenë fiktive, jo reale, me qëllim që t’u ikin tatimeve në qarkullim”.

“Dhe, sipas një informate që ende nuk është definitive, po bisedohet se çmimi më i lartë do të jetë 600 euro një ari
”, thekson Ukimeri

Një nga pronarët e tokave nga do të kalojë segmenti i autostradës, është edhe Ruzhdi Hoxha, nga fshati Zhur, komuna e Prizrenit.

Atij do t’i shpronësohen 16 ari pronë. Hoxha, nuk e di ende çmimin, por ai vlerëson se toka e tij meriton të paguhet 1000 euro për një ari.

“Nën 1000 euro nuk shkon, sepse ajo është vend shtëpie (truall). Nëse e jep komisioni nën 1000 euro, unë e jap, sepse tekefundit është çmimi i tregut”,
shprehet Hoxha.

Megjithatë, pavarësisht çmimit, Hoxha thekson se nuk do ta kundërshtojë vendimin e autoriteteve kompetente, në mënyrë që të pengojë procesin e ndërtimit të autostradës.

Qeveria ka planifikuar t’i shpërndajë mbi 12 milionë euro si kompensim pronarëve të tokave, ku pritet të ndërtohet autostrada - 6 milionë euro për këtë vit dhe 6 milionë të tjera për vitin 2011.

Edhe avokati Basri Jupolli thekson se kompensimi i tokës duhet të jetë i drejtë dhe i bazuar në vlerat e tregut të hapur.

Në mënyrë që të nxirret një çmim real, autoritetet kompetente, thotë ai, duhet t’i shikojnë kontratat për shitblerje në gjykatat komunale në ato qytete nga do të kalojë autostrada.

“Pala, e cila do të jetë e pakënaqur me çmimin, i cili do t’i pranohet si çmim i kompensimit në emër të ekspropoimit të tokës, do të ketë legjitimitet, që në të gjitha rastet e pakënaqësisë eventuale, t’u drejtohet organeve kompetente gjyqësore
”, thekson Jupolli.

Ndryshe, në Kosovë ekziston Agjencia Kadastrale e Pronës, e cila ka përgatitur informatat dhe të dhënat kadastrale të pronës.

Këtu edhe ka përfunduar misioni i kësaj agjencie, sa i përket ndërtimit të autostradës, thotë Hamit Basholli, kryeshef në këtë agjenci, duke treguar se agjencitë e ngjashme në rajon dhe në vendet perëndimore udhëheqin edhe vlerën e pronës.

Megjithatë, ai tregon se në çfarë mënyrë duhet të shkojë ky proces.

“Interesi i qytetarëve të jetë ai që të mos dëmtohet asnjë qytetar dhe mos të përfitojë asnjë qytetar në kuadër të asaj që do të ndërtohet një infrastrukturë”.

“Të rregullohet prona, ashtu që çdo qytetar që ka pronë në afërsi, edhe të participojë, edhe të përfitojë me faktin që do të ketë pronë afër një rruge që do të ndërtohet”,
thotë Basholli.

Megjithatë, procesi i shpronësimit është transparent, thotë Muharrem Shahini.

“Procesi i shpronësimit ka qenë transparent, përmes dëgjimeve publike ku kanë marrë pjesë të gjithë pronarët dhe mediat”.


“Përmes dëgjimeve, u është bërë e ditur të gjithë pronarëve që të deklarohen për rrethanat dhe çështjet e caktuara për pronën e tyre gjatë procesit të vlerësimit”,
konsideron Shahini.

Ndryshe, zyrtarë qeveritarë tashmë kanë deklaruar se autostrada, e cila lidh Kosovën me Shqipërinë, do të fillojë gjatë këtij viti, ndërsa do të ndërtohet brenda 36 muajve, që nga nisja e punimeve.

Në anën tjetër, në bazë të rregullave dhe procedurave që i përcakton Ligji i shpronësimit, për t’u kryer një procedurë shpronësimi, kërkon një afat prej 6 muajsh.
XS
SM
MD
LG