Ndërlidhjet

Ekspertët: Masat anti-krizë, të paefektshme


Masat e miratuara nga Qeveria e Maqedonisë për zbutjen e pasojave nga kriza ekonomike, shihen si të paefektshme nga ekspertët e ekonomisë, pasi, sipas tyre, edhe masat e mëparshme nuk kanë dhënë rezultate. Ekspertët thonë se gjendja ekonomike është e rëndë dhe për kapërcimin e saj nevojiten masa radikale.




Ekspertët e ekonomisë janë skeptikë nëse me miratimin e 24 masave të reja nga ana e Qeverisë, do të ketë përmirësim të klimës së biznesit në Maqedoni.

Blerim Zllatku, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, që tubon kryesisht afaristët shqiptarë, thotë se masat e miratuara janë më tepër administrative, sesa anti-krizë, siç pretendon Qeveria.

“Për mendimin tim, këto masa kryesisht janë administrative dhe nuk janë nxitëse. Ne, si Odë Ekonomike, këto masa i kemi propozuar gati dy muaj më parë dhe mund të them se nga 14 masa që i ka propozuar Oda Ekonomike, vetëm dy janë pranuar”, deklaron Zllatku.

Ndërkohë, Abdylmenaf Bexheti, profesor universitar, nuk pret rezultate nga masat e reja, për shkak të, siç thotë ai, eskalimit të ekspansionit joproduktiv fiskal në buxhet.

“Nëse shteti nuk gjen kapital shtesë për vitin 2010, më së paku 300 deri në 400 milionë euro për ekonominë, që do të jetë një infuzion financiar për të përmirësuar likuiditetin e dobët financiar të ekonomisë dhe që të përmirësojë, figurativisht thënë, pasqyrën e gjakut në ekonomi, vitalitetin ekonomik, e kjo kryesisht në burime multilaterale dhe jo komerciale, siç është FMN-ja apo format e tjera të kreditimit...”.

“Pra, vetëm këto mund të jenë bazament real për pritje efektive. Në të kundërtën, unë mendoj se edhe pakoja e katërt do të pësojë fatin e tri pakove paraprake dhe do të mbetet vetëm në kujtimet tona për t’i bërë analizat empirike”
, shprehet Bexheti.

Ai thotë se gjendja momentale ekonomike në Maqedoni është shumë e pavolitshme dhe se masat e mëparshme, të miratuara nga Qeveria, nuk kanë dhënë as edhe një rezultat pozitiv.

Realisht, thuajse nuk ka asgjë reale në Maqedoni, në kuptimin e përmirësimit të kushteve ekonomike. Në sektorin real ka krizë substanciale. Po t’i referoheni biznesit real, të pyetni kompanitë, të pyetni bizneset e vogla familjare e kështu me radhë, ato ndjejnë një represion gjithnjë e më të ashpër të Qeverisë, përmes penaltive dhe sistemit të represionit fiskal, të paparë për këto 20 vjet, pasi realisht nuk ka asnjë përmirësim substancial në ekonomi”, thotë Bexheti.

Risto Gushterov, konsideron se Qeveria duhet të ndërmarrë masa të vërteta, të cilat realisht do të ndihmonin, siç e quan ai, ekonominë e lodhur të Maqedonisë.

Mendoj se duhet të shkohet në masa më agresive anti-krizë, me dhënien e beneficioneve për firmat importuese, apo stimulimin e tyre. Duhet të mendohet edhe në ndryshimin e politikës monetare në raport me dollarin, që do të ndihmojë shumë ndërmarrje që importojnë nga rajonet e që si valutë eksporti përdorin dollarin amerikan”, thotë Gushterov.

Duke prezantuar masat anti-krizë, kryeministri Gruevski tha se sferat, si: bujqësia, ndërtimtaria dhe prolongimi i pagesës së tatimit mbi vlerën e shtuar, janë karakteristikat kryesore të 24 masave të reja.

Ndryshime, sipas tij, bëhen edhe në procedurat e pagesës së tatimeve nga ana e bujqve, marrjen e subvencioneve bujqësore, ndryshimin e Ligjit për planifikim hapësinor, si dhe ndryshimin e planit urbanistik të korridorit 8 në pjesën e shitjes së tokës ndërtimore, me çmim për 30 për qind më të lirë.

Gruevski përsëriti qëndrimin se nuk janë spektakolare, sepse, sipas tij, masat kryesore tanimë janë ndërmarrë, të cilat në masë të madhe u kanë ndihmuar kompanive gjatë vitit 2009.
XS
SM
MD
LG