Ndërlidhjet

GJND-ja nuk e prek pavarësinë


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Tri ditë para se GJND ta bëjë publik mendimin e saj, analistët thonë se pavarësia nuk është në rrezik. Por, ata presin luftë diplomatike mes Kosovës e Serbisë.


Analistët politikë në Kosovë shprehen se çfarëdo që të jetë vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë, një gjë do të jetë e sigurt - pavarësia e Kosovës nuk ka kthim mbrapa.

Megjithatë, ngecje apo njohje të reja mund të ketë dhe kjo, sipas tyre, do të varet nga angazhimi i njërit apo shtetit tjetër në fushën e diplomacisë.

Analisti Shkëlzen Maliqi thotë se në GJND janë konfrontuar dy doktrina, ajo që ka provuar ta mbrojë idenë e pacenueshmërisë së shteteve sovrane, si dhe rasti sui generis, që shkon në favor të Kosovës.

Shkëlzen Maliqi


“Pritet nga shumica se nuk do të jetë një vendim krejt i lehtë, por mund të jetë një konfrontim i këtyre dy doktrinave. Megjithatë, nuk pritet që gjyqi do të mund të dalë me një vendim se shpallja e pavarësisë ka qenë krejtësisht e paligjshme, siç e kërkon Serbia”,
thotë Maliqi.


Mendimi këshillëdhënës i GJND-së, për të cilin Serbia ka iniciuar kërkesë dy vjet më parë, sipas analistit tjetër kosovar, Ilir Ibrahimit, nuk do ta favorizojë, as njërën e as palën tjetër.

Ibrahimi shprehet se krejt do të varet nga Kosova dhe Serbia se si do ta interpretojnë dhe shfrytëzojnë atë mendim në favor të tyre.

“Është prapë një luftë diplomatike mes Kosovës dhe Serbisë, mirëpo besoj që të dyja palët do të jenë në një bazë të njëjtë të veprimit diplomatik, përderisa gjykata nuk do të japë një mendim të prerë rreth kësaj çështjeje”.

“Pra, duhet të ketë një aktivitet diplomatik për të shkuar tek ato shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë. Besoj se shtetet mike të Kosovës, që e kanë përkrahur pavarësinë e Kosovës deri më tani, vetëm kanë filluar të marrin hapa rreth favorizimit të Kosovës në luftën e saj diplomatike”, shprehet Ibrahimi.

Por, Shkëlzen Maliqi është optimist se në secilin variant, Kosova do të përfitojë nga mendimi i GJND-së. Ai këtë tezë e mbështet në faktin se pas Kosovës janë tri shtete me të drejtë veto në Këshillin e Sigurimit (SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca), të cilat nuk do ta kthenin kurrë prapa vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Nuk kthehet disponimi i super-fuqive të mëdha, të cilat edhe ashtu e kanë sponsorizuar pavarësinë e Kosovës. Nëse Serbinë, deri më tash e ka përkrahur një superfuqi në Këshillin e Sigurimit - vetëm Rusia ka qenë decidivisht kundër, Kina ka qenë neutrale, ndërkaq për një proces të rikthimit në favor të Serbisë, të rishikohet kjo apo të kthehet procesi në negociata të reja për status, atëherë këtë sigurisht se do ta bllokojnë këto tri shtete, që edhe ashtu e kanë sponsorizuar, e që janë anëtare të përhershme të KS-së me të drejtë veto”,
thekson Maliqi.

Mbështetje të vendeve mike parasheh edhe analisti Ilir Ibrahimi. Ai thotë se në këtë kuadër nuk është e rastësishme vizita e kryeministrit Hashim Thaçi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në prag të shpalljes së verdiktit të GJND-së.
...gjatë asaj dite do të ketë deklaratë shumë të fuqishme nga administrata e SHBA-së në favor të Kosovës...


Kjo nuk është rastësi, kuptohet. Ai do të jetë atje të enjten, kur do të dalë vendimi i GJND-së. Unë parashoh që gjatë asaj dite do të ketë deklaratë shumë të fuqishme nga administrata e SHBA-së në favor të Kosovës, dhe kjo i jep njëfarë mundësie diplomacisë kosovare, që të fillojë një aktivitet më të dendur diploamtik për të arritur njohje më të mëdha.

“Por, ajo që për mua është e rëndësishme, është se çfarë qëndrimi do të mbajë Bashkimi Evropian. Unë mendoj se pas vendimit të GJND-së, BE-ja duhet të jetë shumë e qartë ndaj Serbisë, më tepër sesa ndaj Kosovës. Duhet t'ia bëjë të qartë se nuk duhet të merret si një çështje që do ta mbajë peng Serbinë më tutje”
, tha Ibrahimi.

Analistët theksojnë se institucionet e vendit duhet që pas vendimit të GJND-së, tërë kapacitetin ta fokusojnë në lobimin për njohje të reja në vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën, apo edhe në mekanizmat e ndryshëm ndërkombëtarë.

Kjo, thonë analistët, nuk duhet t’i lihet vetëm Ministrisë së Punëve të Jashtme, por duhet të punojnë në bazë të një strategjie të menduar mirë të gjitha instancat e shtetit.
XS
SM
MD
LG