Ndërlidhjet

Kosova e gatshme për CEFTA-n


Kosova është e gatshme që, vitin e ardhshëm, të drejtojë Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore - CEFTA, pohojnë zyrtarë qeveritarë. Gjatë këtij viti, Serbia është duke kryesuar këtë mekanizëm, por autoritetet kompetente thonë se një gjë e tillë nuk do të paraqesë problem për institucionet kosovare. Në anën tjetër, njohës të çështjeve ekonomike këmbëngulin që Kosova nuk duhet ta humbasë këtë shans.



Autoritetet kompetente kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që, vitin e ardhshëm, Kosova të kryesojë me Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore - CEFTA.

Gjatë këtij viti, me këtë mekanizëm ndërkombëtar po udhëheq Serbia.

Flamur Keqa, drejtor i Departamentit të Tregtisë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se, pavarësisht problemeve politike që vendi ka me Serbinë, në aspektin ekonomik dhe profesional, Kosova është e gatshme për të drejtuar CEFTA-n.

“Për momentin, të gjitha procedurat dhe procesi rreth marrjes së kryesimit të CEFTA-s nga ana e Kosovës, po shkojnë në rregull. Të gjitha gjasat janë që Kosova të marrë kryesimin e CEFTA-s për vitin 2011. Kjo është konfirmuar përmes takimeve të rregullta që kemi pasur”, thotë Keqa.

Ai thekson se Ministria e Tregtisë ka përgatitur programin për të kryesuar me CEFTA-n, i cili, sipas tij, është aprovuar nga të gjitha vendet anëtare të këtij mekanizmi.

“Para 2-3 muajsh, ky program është dhënë në shqyrtim para anëtarëve të CEFTA-s dhe të gjithë anëtarët e saj, pa pardon, e kanë pranuar. Ky program është një bazë e mirë se si Kosova do të menaxhojë dhe me çfarë problemesh të identifikuara do të merret gjatë vitit 2011”, shprehet Keqa.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike këmbëngulin që Kosova, në asnjë mënyrë, të mos e humbasë drejtimin e CEFTA-s. Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), thotë se humbja e kryesimit do të kishte pasoja të rënda, pasi rrjedhimisht, shton ai, do të humbej shansi për promovimin e shtetit të ri në vendet nënshkruese të CEFTA-s.

Institucionet e shtetit të Kosovës duhet të masin mirë dhe të bëjnë analiza të mira, se a duhet të vazhdojmë me CEFTA-n apo jo. Rekomandim i AKB-së është që Kosova nuk duhet të tërhiqet nga mekanizmat ndërkombëtarë; përkundrazi, duhet të lobojë që t’i forcojë pozicionet e veta”, thotë Shahini.

Që nga dhjetori i vitit 2008, vendet fqinje, Serbia dhe Bosnja, kanë bllokuar produktet e Kosovës, për shkak të ndërrimit të vulave të doganave, nga ato të UNMIK-ut në ato të Kosovës.

Mallrat me këtë vulë nuk lejohen të kalojnë as transit nëpër këto vende.

Por, Flamur Keqa shpreson se vitin e ardhshëm, pas marrjes së udhëheqjes së CEFTA-s, kjo çështje do të jetë më e lehtë për t’u zgjidhur.

“Padyshim, kryesimi i CEFTA-s do të jetë një shans i mirë dhe mundësi tjetër që Kosova dhe Qeveria e saj, përmes ministrive përkatëse, të bëjnë presion që të eliminohet bllokada, e cila po ndodh që nga dhjetori i vitit 2008”.

“Sa do të kemi sukses, është për t’u pritur. Por, megjithatë, besoj se përpjekjet nuk do të mungojnë në drejtim të eliminimit të këtyre barrierave”,
thekson Keqa.

Ekspertë për çështje ekonomike vazhdimisht kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i kundërpërgjigjet Serbisë dhe Bosnjës me masa të njëjta, duke ndaluar hyrjen e mallrave të këtyre dy shteteve në Republikën e Kosovës.
XS
SM
MD
LG