Ndërlidhjet

Kosova me bilanc negativ tregtar


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Kosova vazhdon të ketë bilanc negativ tregtar. Të dhënat e fundit të Entit të Statistikave të Kosovës tregojnë se importi vazhdon të mbetet në përqindje shumë të lartë sesa eksporti. Këto të dhëna nga ekspertët e ekonomisë konsiderohen alarmante dhe me efekte negative në rritjen ekonomike.

Duke iu referuar të dhënave të fundit të Entit të Statistikave të Kosovës, të cilat tregojnë për deficit të lartë tregtar, ekspertët e ekonomisë në Prishtinë thonë se shkaqet e këtij deficiti janë politikat e disfavorshme ekonomike për krijimin e kushteve për një konkurrencë të mirëfilltë në treg.

Shefi i Divizionit për tregti të jashtme në Entin e Statistikave të Kosovës, Ismajl Sahiti, tregon se deficiti tregtar i Kosovës në muajin gusht ka arritur në 180.7 milionë euro. Ndërkaq, sa i përket eksporteve dhe importeve të mallrave, Sahiti jep më shumë detaje:

“Në eksportin për muajin gusht të vitit 2010 kemi një vlerë prej 26.2 milionë euro, krahasuar me muajin gusht të vitit 2009 ku kishim eksport vetëm 13.6 milionë euro. Importi për muajin gusht është 206.9 milionë euro, ndërsa në të njëjtin muaj në vitin 2009 ishte 197 milionë euro”.

Me këto shifra, sipas Entit të Statistikave, deficiti tregtar i Kosovës për 8 muaj ka arritur në 1 miliard e 167 milionë euro.

Lidhur me këtë, eksperti i çështjeve ekonomike, Alban Hashani, thotë se ky nivel i lartë i deficitit tregtar po e dëmton ekonominë kosovare. Sipas Hashanit, për të pasur një bilanc pozitiv tregtar, duhet të merren masa nga autoritetet kosovare.

“Rritja e eksporteve në vendet tjera të rajonit, por edhe në tregun e Bashkimit Evropian është esencial. Në këtë kuadër, Qeveria duhet të dizajnojë politika që të rrisë konkurrencën e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Kosovë”.

“Në këtë mënyrë do të mund të promovojë eksportin. Në të kundërtën, do të jetë e pamundur që të zvogëlohet deficiti tregtar, sepse ne kemi edhe probleme marrëveshjeje për tregti të lirë, që kemi nënshkruar me rajonin”,
thotë Hashani.

Stimulimi i investimeve të jashtme dhe i prodhimtarisë vendëse, shihen si dy alternativa për uljen e deficitit tregtar.

Eksperti i ekonomisë, Hashani, konsideron se Qeveria ka mundësi të përmirësojë ambientin afarist dhe të tërheqë investitorë të huaj, të cilët, siç thotë ai, do ta rrisnin eksportin në vendet tjera. Ai thekson se, nëse Qeveria e Kosovës do të ndikonte në përmirësimin e konkurrencës shmërisë së ndërmarrjeve do të ndihmonte përmirësimin e bilancit tregtarë.

“Bilanci tregtarë ose diferenca në mes eksportit dhe importit është një prej komponentëve kyçe në rritjen ekonomike. Nëse vazhdon me këtë trend ne e dimë që kjo komponent do të krijoj efekte negative në rritje ekonomike sepse shumica e mjeteve po dalin jashtë Kosovës, pa krijuar një vlerë të re paraprakisht”
, mendon Hashani.

Në anën tjetër, mallrat që më së shumti importohen janë produktet minerale, pasojnë ushqimet e përgatitura, pijet duhani, makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, produktet e industrisë kimike, mjetet e transporti etj.

Ndërkaq, sa i përket vendeve prej nga më së shumti importohen mallrat, shefi i Divizionit për tregti të jashtme, Ismajl Sahiti tregon:

”Përqindja më e madhe e importit është nga Maqedonia, pastaj Serbia, Gjermania, Turqia, Kina, ndërkaq përqindja më e madhe e eksportit është në Itali dhe në drejtim të Shqipërisë”.

Ndryshe, zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë tashmë kanë deklaruar se gjatë vitit 2010, kjo ministri do ta ketë prioritet zvogëlimin e diferencës në mes të importit dhe eksportit. Kjo është paraparë edhe në Dokumentin e Politikave Tregtare të kësaj ministrie.
XS
SM
MD
LG