Ndërlidhjet

Indonezi: Nga cunami dhe vullkani – 135 të vdekur


Raportohet se së paku 135 vetë kanë humbur jetën nga cunami dhe shpërthimi i vullkanit në Indonezi.

Zyrtarët thonë se më se 110 vetë kanë humbur jetën dhe afro 500 konsiderohen të zhdukur pasi valët e cunamit me lartësi tri metra e goditën hapësirën Mentawai, në perëndim të Sumatrës, pas një tërmeti prej 7.7 shkallësh, të hënën vonë.

Ekipet e shpëtimit thonë se punën e vështirësojnë kushtet e rënda, pasi rrugët dhe fushat janë të vërshuara.

Presidenti amerikan, Barak Obama, që një pjesë të fëmijërisë së tij e kaloi në Indonezi, ka shprehur dhembje për jetët e humbura dhe ka premtuar ndihmën e Shteteve të Bashkuara në përpjekjet për ripërtritje.

Njëherësh, zyrtarët thanë se së paku 25 njerëz kanë humbur jetën nga hiri, gazi i nxehtë dhe mbeturinat e shkaktuara nga shpërthimi i vullkanit në malin Merapi, në ujëdhesën Xhava, afro 1300 kilometra në lindje nga zona e cunamit.

Indonezia shtrihet në “Unazën e zjarrit” të Paqësorit , ku takimi i disa rrathëve kontinentalë të Tokës, shkaktojnë aktivitet të lartë sizmik dhe vullkanik.
XS
SM
MD
LG