Ndërlidhjet

Kush do të votojë pro mocionit?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Përveç AKR-së, si nismëtare e mocionit të votëbesimit të Qeverisë, partitë tjera nuk kanë shprehur qëndrim të qartë nëse do të votojnë pro ose kundër këtij mocioni, që hidhet në votim të martën. Partia në pushtet, PDK-ja, ka thënë se mocioni nuk është i drejtuar kundër askujt, ndërkohë që LDK-ja , AAK-ja e LDD-ja janë shprehur kundër tekstit të mocionit, por kanë qëndrime të kundërta në lidhje me votimin e së martës.


Dy ditë para se të hidhet për votim në Kuvendin e Kosovës, partitë parlamentare nuk kanë qëndrim të prerë ndaj mocionit të votëbesimit të Qeverisë. E hëna pritet të jetë dita sqaruese, pasi që do të merret qëndrim në organet drejtuese të partive përkatëse.

Sidoqoftë, partitë parlamentare qëndrimet e tyre parimore ndaj mocionit të iniciuar nga Aleanca Kosova e Re, i kanë paraqitur edhe të dielën.

Partia Demokratike e Kosovës në një deklaratë politike ka thënë se mocioni nuk është i drejtuar kundër askujt, e as kundër Qeverisë.

Zëdhënësi Blerand Stavileci, ka thënë se PDK-ja e sheh mocionin si një nga rrugëdaljet nga kriza e krijuar institucionale, siç është shprehur, pa vullnetin e saj. Por, Stavileci nuk ka saktësuar nëse deputetët do të votojnë pro mocionit të martën.

“Tashmë mocioni është një pikë e rendit të ditës. Sot po shprehim qëndrimin tonë, megjithatë në momentin oportun pas konsultave më të gjithë edhe njëherë ne do të japim qëndrimin tonë të prerë”,
ka thënë në një konferencë për gazetarë, zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci.

Në tekstin e mocionit ndër të tjera thuhet se “kriza institucionale, e shkaktuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ku ka konstatuar shkelje serioze të Kushtetutës nga ana e presidentit, që ka rezultuar me dorëheqje të presidentit dhe, pas tërheqjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës nga koalicioni qeveritar, rrezikon të derivojë me krizë të përgjithshme institucionale në vend”.

Ky formulim ka shkaktuar pakënaqësi te Lidhja Demokratike e Kosovës. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, nuk e ka përjashtuar mundësinë e mos-votimit të mocionit.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Beqiri ka thënë se Kryesia e LDK-së do ta thotë fjalën e fundit.

Qeveria e Kosovës


“Kryesia e LDK-së nesër do të marrë qëndrim dhe ne, pastaj, përmes Grupit Parlamentar do ta artikulojmë. Për ne, përmbajtja e mocionit është e papranueshme, sepse formulimi i tillë, kemi përshtypjen se është bërë për qejf të dikujt, në këtë rast për dëshirë të PDK-së”.

“Kemi përshtypjen që është bërë kësisoj, që të mos lëndohet PDK-ja dhe Qeveria, ajo që ka mbetur, e normalisht të akuzohet LDK-ja. Unë nuk dua të paragjykoj, por nuk besoj se ne mund ta përkrahim si të tillë”. Por, megjithatë, merr vendim LDK-ja, kryesia qendrore”
, ka theksuar Beqiri.

Kundër përmbajtjes së mocionit është shprehur edhe partia opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Por, shefi i grupit parlamentar Ardian Gjini, nuk ka dashur të zbulojë se si do të votojnë deputetët e AAK-së të martën.

Është tepër evidente që mocioni është skenar i kryeministrit Thaçi në bashkëpunim me disa parti tjera, konkretisht me një parti tjetër opozitare. Ky ka qenë opsioni i vetëm për të shkuar në zgjedhje në muajin dhjetor dhe këtë opsion e kanë shtyrë”.

“Ne kemi dalë kundër këtij mocioni, sepse teksti i mocionit nuk ka qenë i denjë për një parti opozitare. Ne mendojmë se ditën e martë, kur do të diskutohet për mocionin, do të fillojnë të shpalosen edhe çështjet tjera”
, ka deklaruar Gjini për Radion Evropa e Lirë.

Partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Dardanisë, ka lënë të kuptohet se do të votojë pro mocionit të votëbesimit të Qeverisë në seancën e së martës të Kuvendit të Kosovës.

Megjithatë, deputetja Besa Gaxherri, ka sqaruar se vendimi do të merret pas konsultave të partisë që do të mbahen të hënën.

“LDD-ja edhe nesër do të ketë takimin e vet me strukturat e partisë, kryesisht me Kryesinë e LDD-së, dhe do të marrë ndoshta një qëndrim më zyrtar dhe më të prerë. Megjithatë, LDD ka qenë për të ngritur mocion, për ta larguar këtë qeveri me një keqqeverisje nga vendi, por, realisht, LDD-ja nuk është pajtuar me preambulën e tekstit që është formuluar për mocionin”.

“Tash është një realitet tjetër dhe LDD-ja nuk është parti, e cila bie në kundërshtim me veprimet dhe deklarimet e veta”
, ka sqaruar Gaxherri.

Aleanca Kosova e Re, e cila mblodhi 40 nënshkrimet për të paraqitur mocionin në Kuvend, ka hedhur poshtë kritikat që po bëhen në adresë të saj nga disa subjekte politike.

Shefi i Grupit Parlamentar të këtij subjekti, Ibrahim Makolli, ka përsëritur se synim i AKR-së ka qenë përfundimi sa më i shpejtë i krizës.

Për ne nuk ka qenë me rëndësi se kush do të ndihej keq nga teksti i mocionit. Nëse dikujt nuk i ka ardhur keq që ta lë vendin në gjendje të tillë pa institucione, atëherë ne më së paku kemi pasur problemin se kush dhe si mund ta ndiejë veten”.

“Këtë çështjen e arsyetimit të mocionit e marr si pretekst të disa prej partive politike për të pasur një vijë krejt ndryshe nga ajo që paraqitet. Vendi është në krizë institucionale dhe dëshirojmë që kjo krizë të përfundojë sa më shpejt”,
ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Ibrahim Makolli.

Për miratimin e mocionit duhen 61 vota të deputetëve, me anë të së cilave Qeveria do të konsiderohej në dorëheqje, kurse Kuvendi do të shpërndahej.

Një situatë e tillë do të shtynte ushtruesin e detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, që në një afat jo më shpejt se 30 dhe jo më larg se 45 ditë, t’i caktojë zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë.

Pas dorëheqjes së Fatmir Sejdiut nga posti i presidentit, Krasniqi caktoi 13 shkurtin si datë të zgjedhjeve të parakohshme. Por, në rast të kalimit të mocionit, zgjedhjet do të mbahen në muajin dhjetor.
XS
SM
MD
LG