Ndërlidhjet

Ujdi e fshehtë rreth normave të interesit?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Normat e interesit për kredi edhe gjatë vitit 2010 nuk kanë shënuar ndonjë rënie, thonë përfaqësues të Institutit “GAP”.Ndërkaq, njohës të çështjeve financiare, dyshojnë se bankat komerciale në Kosovë kanë marrëveshje të heshtur mes vete për çështjen e kamatave të kredive.


Bankat komerciale në Kosovë edhe gjatë vitit që lamë pas nuk i kanë ulur normat e interesit, norma këto që vazhdojnë të sillen prej 11 deri në 24 për qind.

Por, gjatë 2010-ës, ky sistem u karakterizua me ndryshimet në prioritetet e bankave, të cilat kanë arritur të ofrojnë shërbime dhe pako të ndryshme, pavarësisht përqendrimit vetëm në kredi-dhënie, ashtu siç ishte në vitet e kaluara.

Kështu thuhet në raportin e fundit të publikuar nga Instituti për Studime të Avancuara “GAP”. Lidhur me këtë, Rudina Heroi, nga ky institut shpjegon më shumë.

“Ne kemi bërë hulumtimin për pesë lloje të kredive që janë më të konsumueshme, dhe ato mbesin të njëjta. Për kreditë personale, normat e interesit sillen prej 11 deri në 12 për qind, agro-kreditë kanë norma të interesit më të larta që shkojnë deri në 24 për qind, dhe po ashtu edhe kreditë e biznesit i kanë normat e larta, edhe pse këto kredi, gjegjësisht për tregti, më së shumti konsumohen në Kosovë”, thotë Heroi për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje financiare, thonë se pavarësisht numrit të madh të kredimarrësve, kamatat e kredive vazhdojnë të mbesin më të lartat në rajon.
Nuk përjashtohet mundësia që këto banka që veprojnë në Kosovë, të mos kenë ndonjë marrëveshje të heshtur apo edhe të nënshkruar.

Eksperti Xhemshit Duriqi, dyshon se bankat komerciale kanë marrëveshje të heshtur mes vete për këtë çështje.

“Nuk përjashtohet mundësia që këto banka që veprojnë në Kosovë, të mos kenë ndonjë marrëveshje të heshtur apo edhe të nënshkruar. Kjo është çudi, se për 10 vjet të mos arrihet të bëhet një treg kreditor normal rreth kësaj çështjeje; si duket askush nuk është duke menduar”,
vlerëson Duriqi.

Sipas Duriqit, mundësitë për ulje të kamatave të kredisë ekzistojnë. Ai thotë se futja e mjeteve financiare të disa institucioneve vendore që gjenden në bankat jashtë vendit, mund të ndikojë drejtpërdrejt në ulje të normave të interesit.

“Drejtpërdrejt shteti i Kosovës nuk mund të bëjë, por mund të bëjë politika zhvillimore të atilla, të cilat ndikojnë në uljen e normave. Mund t’ i tërheqë mjetet e veta të deponuara jashtë. Vetëm ato mjete nëse i lëshon në qarkullim përmes bankave komerciale me kamata më të ulëta, do të kishin ndikuar në mënyrë rapide në uljen e kamatave”,
thekson Duriqi.

Edhe Rudina Heroi pohon se Qeveria e vendit duhet të krijojë kushte për uljen e normave të interesit.
Qeveria duhet ta përmirësojë ambientin e biznesit...


“Qeveria duhet ta përmirësojë ambientin e biznesit, gjyqësia duhet të jetë më e fortë për arsye se shumë konteste mbesin në gjykatë pa u zgjidhur, gjithashtu banesat e reja nuk janë të regjistruara në kadastër dhe ato nuk mund të lihen si hipotekë në banka. Qeveria duhet të ndërhyjë për t’i përmirësuar këto, në mënyrë që bankat të vërejnë se rrezikshmëria është më e ulët. Dhe, atëherë barra u mbetet bankave që t’i ulin normat”, pohon Heroi.

Normat e kredisë i përcaktojnë vetë bankat me politikat e tyre ekonomike. Banka Qendrore e Kosovës, ndërkaq, vetëm i menaxhon, por nuk ka asnjë të drejtë që të ndërhyjë në politikat afariste të bankave.
XS
SM
MD
LG