Ndërlidhjet

KQZ: Gati t’i shpallë rezultatet


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve paralajmëron se janë pjekur kushtet që në afatin sa më të shpejtë t'i shpallë rezultatet finale të zgjedhjeve parlamentare të 12 dhjetorit. Shpallja e rezultatit final do të pasohet me certifikimin e tij dhe me konstituimin e Parlamentit të ri, nga i cili më pas do të formohet Qeveria e re dhe zgjidhet presidenti i Kosovës.


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve paralajmëron se do t'i shpallë shumë shpejt rezultatet finale të zgjedhjeve të 12 dhjetorit. Shpallja e rezultateve dhe certifikimi do t’i hapë rrugën konstituimit të institucioneve të reja.

Tani kur ka përfunduar dhe numërimi i votave me kusht dhe atyre nga diaspora, kushtet janë pjekur që KQZ-ja shumë shpejt të dalë me rezultatet, thotë zëdhënësi i këtij organi, Fehmi Ajvazi.

“Procesi i numërimit të rreth 30 mijë votave me kusht në Qendrën e Numërimit tashmë ka përfunduar dhe Komisionit Qendror Zgjedhor i mbetet që në afatin sa më të shpejtë të mundshëm të procedojë gjithë materialin dhe të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 12 dhjetorit për Kuvendin e Kosovës”
, deklaron Ajvazi për Radion Evropa e Lirë.

Zëdhënësi Ajvazi thotë, po ashtu, se koha për ankesa tani kalon sipas proceduarave të shkurtuara, në mënyrë që të mos ketë më vonesa dhe rezultati të shpallet sa më shpejt.
Në bazë të Ligjit, të gjitha procedurat janë të shkurtuara dhe ato mundësojnë që të mos vonohet më procesi dhe të kemi sa më shpejt një rezultat
përfundimtar...

I gjithë procesi bashkë me certifikimin e rezultatit zgjedhor, parashihet se mund të përmbyllet javën vijuese.

“Në bazë të Ligjit, të gjitha procedurat janë të shkurtuara dhe ato mundësojnë që të mos vonohet më procesi dhe të kemi sa më shpejt një rezultat përfundimtar, për shkak se edhe Ligji tashmë ka lejuar që me procedura të shkurtuara të procedohen edhe ato ankesa eventuale ose ankimime të ndryshme që mund të jenë apo që llogaritet se mund të jenë”,
thekson Ajvazi.

Në bazë të rezultateve preliminare dhe atyre shpërndarjes së votave të partive që nuk e kaluan pragun zgjedhor te partitë që siguruan ulëse në Kuvend, jozyrtarisht parashihet që Partia Demokratike e Kosovës ka siguruar 37 ulëse në Kuvend. Pason Lidhja Demokratike e Kosovës me 28 ulëse, Lëvizja Vetëvendosje me 14, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 13 ulëse dhe Koalicioni për Kosovën e Re me 8 vende.

Kjo lë të nënkuptohet se pakicat nuk kanë arritur të sigurojnë ulëse tjera, përveç 20 vendeve të rezervuara me Kushtetutë. Ndërkaq, nga 20 ulëset e rezervuara për pakicat, dhjetë do t’u ndahen subjekteve nga radhët e komunitetit serb dhe dhjetë të tjera subjekteve nga komunitetet joserbe.

Certifikimi i rezultatit do t’i hapë rrugën konstituimit të Parlamentit të ri, ku më pas partia fituese do të marrë mandatin që të formojë qeverinë e re të Kosovës.

Lexoni edhe këto:
Për dhe kundër pjesëmarrjes në Qeveri
Analistët: Formula qeverisëse në duart e PDK-së
XS
SM
MD
LG