Ndërlidhjet

Presidenti dhe Qeveria, të martën


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës i dalë nga zgjedhjet e 12 dhjetorit mbajti seancën konstituive, ku zgjodhi sërish Jakup Krasniqin kryetar dhe votoi për pesë nënkryetarët e rinj të legjislaturës. Në mungesë të kërkesës, seanca për votimin e presidentit dhe Qeverisë, u shty për të martën. Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, tha se PDK-ja do të thërrasë seancë të jashtëzakonshme për të martën ku do të votohet për presidentin dhe Qeverinë e re.


Përbërja e re e Kuvendit të Kosovës mbajti të hënën seancën e parë konstituive. Pjesa e parë e seancës u drejtua nga Flora Brovina, si deputetja më e moshuar, e asistuar edhe nga deputetja më e re nga mosha, Biserka Kostiq.

Pas verifikimit të mandateve, deputetët dhanë betimin, pastaj zgjodhën Jakup Krasiqin sërish për kryetar të Kuvendit, si dhe pesë nënkryetarët, Xhavit Halitin e PDK-së, Sabri Hamitin e LDK-së, Glauk Konjufcën nga Vetëvendosje, si dhe Petar Miletiqin nga pakica serbe dhe Enis Kermanin nga komunitetet jo serbe.

Gjatë betimit, deputetët e Vetëvendosjes mbajtën mbi tavolinë nga një flamur kombëtar shqiptar. Sidoqoftë, ata pranuan të betohen dhe të nënshkruajnë deklaratën.

Në adresimin e tij të parë para legjislaturës së re, kryetari i rizgjedhur, Jakup Krasniqi, tha se Kuvendi do të ketë para vetes detyra dhe objektiva, të cilat duhet realizuar gjatë mandatit të ardhshëm katërvjeçar.

“Gjatë kësaj udhëheqjeje të Kuvendit në mandatin e katërt, ju siguroj juve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës se gjithçka do të jetë mbi bazën e Kushtetutës së Republikës dhe Rregullores së punës së Kuvendit”,
tha Krasniqi.

Menjëherë pas seancës së parë konstituive, Jakup Krasniqi thirri në mbledhje Kryesinë e re të Kuvendit. Ai fillimisht paralajmëroi edhe mundësinë që pasdite të thirrej një seancë tjetër, në të cilën do të zgjidheshin presidenti dhe Qeveria e re e Kosovës.

Por, doli që partitë e koalicionit, sidomos PDK-ja, si partia më e madhe, ende nuk ishte gati që të hynte në procedurat e votimit.

Pas mbledhjes së Kryesisë, Krasniqi iu drejtua deputetëve, që po prisnin vendimet e reja, duke thënë se nuk ka kërkesë nga koalicioni për seancë plenare, në të cilën do të votohej për presidentin dhe Qeverinë e re.

Për sqarime para Kuvendit, fjalën e mori nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi. Ai tha se PDK-ja do të thërrasë seancën e jashtëzakonshme për të martën.

“Ne kemi deponuar sot një kërkesë për mbledhje të jashtëzakonshme për nesër në orën 15:00 me këtë rend dite, zgjedhja e presidentit të Republikës së Kosovës dhe zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës”,
sqaroi Kuçi.

Në anën tjetër, opozita nga dita e parë e cilësoi këtë koalicion ende të pazyrtarizuar si Qeveri në Kuvend, si koalicion të pakicës.

Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se i propozuari për president, Behxhet Pacolli, dhe Qeveria e re Thaçi, nuk do t’i kenë votat e LDK-së, ngase ballafaqohen me krizë legjitimiteti.

“Ne nuk do të bëjmë sehir në Parlament, ose votojmë kundër ose dalim jashtë, ky është qëndrimi ynë politik. Por, qeveria e pakicës dhe presidenti i pakicës sot e tutje do të kenë problem me legjitimitet dhe kjo ka për t’i përcjellë si hije”
, theksoi Haziri.

Kundër mbështetjes së kandidaturës së Behxhet Pacollit për president dhe Qeverisë së re Thaçi, u shpreh edhe Ardian Gjini në emër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

”Qëndrimi i AAK-së është se nuk do të votojmë për president të Kosovës dhe përfundimisht nuk do të votojmë për qeverinë e ardhshme të Kosovës. Nuk do të marrim pjesë fare në votim”
, u shpreh Gjini.

Ndërkaq, deputetët e subjektit tjetër opozitar, Vetëvendosje, deklaruan se pozicionimin e tyre karshi votimit për presidentin dhe qeverinë do ta bëjnë publik gjatë seancës.
XS
SM
MD
LG