Ndërlidhjet

KS shqyrton sanksionet ndaj Libisë


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mblidhet sot për të shqyrtuar sanksionet e mundshme kundër regjimit të udhëheqësit libian, Muamar Gadafi.

Anëtarët e Këshillit po shqyrtojnë një rezolutë, me të cilën çështja e Libisë do t’i drejtohej Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë për hetim dhe ndjekje të mundshme penale.

Para takimit të sotëm, Zyra e kancelares gjermane, Angela Merkel, tha se kjo e fundit dhe kryeministri britanik, Dejvid Kameron, besojnë se “Këshilli i Sigurimit i OKB-së do t’i miratojë masat e rënda sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Teksti i projekt-rezolutës së hartuar nga Franca dhe Britania, gjithashtu bën thirrje për një embargo armësh kundër Libisë, ndalime udhëtimi dhe ngrirje të aseteve të zyrtarëve libianë.

Ka gjasa që votimi mbi projekt-rezolutën të mbahet sot.

Raportet flasin për mijëra civilë të vrarë dhe të plagosur në përleshjet ndërmjet protestuesve antiqeveritarë dhe forcave të regjimit.

Njoftimet e fundit citojnë dëshmitarët të kenë thënë se mercenarët e Gadafit kanë qëlluar civilët që po merrnin pjesë në një funeral në qytetin Misrata.

NATO-ja ka thënë se aleanca nuk do të ndërhyjë në krizën libiane, por do të vazhdojë të monitorojë situatën.
XS
SM
MD
LG