Ndërlidhjet

Korrupsioni nuk gjykohet


Foto ilustruese
Foto ilustruese
Lufta kundër korrupsionit në Kosovë nuk ka shënuar progres të dukshëm, por, megjithatë, një përparim është arritur në miratimin e ligjeve për parandalimin e kësaj dukurie, thonë zyrtarë të Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit.

Gjatë prezantimit të raportit vjetor për vitin 2010, kreu i kësaj agjencie, Hasan Preteni, tha se veprat penale të korrupsionit përbëjnë numrin më të vogël të lëndëve të hetuara nga organet e ndjekjes.

Ai tha se vetëm gjatë vitit të kaluar në agjenci janë raportuar 430 raste të dyshuara për korrupsion, ndërsa për 139 nga to janë gjetur elemente bazë për fillimin e hetimeve.

Preteni tha se gjatë vitit 2010, agjencia ka proceduar 29 kallëzime penale në prokuroritë kompetente, ndërsa numri i personave të dyshuar për përfshirje në veprime korruptive, është 101. Vlera totale e dëmit të shkaktuar nga këto veprime supozohet të jetë mbi 10 milionë euro.

“...kanë të bëjnë me vepra penale, keqpërdorim të detyrës zyrtare, nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, falsifikim të dokumenteve zyrtare, marrje të ryshfetit, lidhje të kontratave të dëmshme, argëtim dhe pagesa të paligjshme”, sqaroi Preteni.

Sipas raportit, numri më i madh i rasteve të paraqitura është nga ndërmarrjet publike, pastaj qeveria, pushteti lokal dhe gjykatat.

Që nga viti 2007, kur edhe është funksionalizuar kjo agjenci, Preteni tha se 201 kallëzime penale i ka dërguar në prokuroritë kompetente, prej tyre 44 kanë përfunduar në prokurorinë e EULEX-it, kurse 157 raste kanë kaluar tek autoritete vendore.

Hasan Preteni
Numri i përgjithshëm i zyrtarëve të atakuar në këto 201 kallëzime penale është rreth 650 të dyshuar.

“Nga ky numër i përgjithshëm i kallëzimeve penale, në 59 raste atakohet qeveria, në 48 raste ndërmarrjet publike, në 45 raste gjykatat, në 43 raste pushteti lokal, në 5 raste prokuroritë dhe 1 rast ka qenë nga kuvendi”.

“Informatat kthyese nga prokuroritë: 86 raste hetohen në aspektin penal, 11 raste arrestime dhe ngritje aktakuzash, 61 janë hedhur - diku më pak se 30%, që është një mesatare e mirë për agjencinë - dhe për 43 raste nuk kemi informacion kthyes”,
deklaroi Preteni.

Edhe udhëheqës të organizatave joqeveritare, që merren me parandalimin e korrupsionit, thonë se kjo dukuri është e pranishme në Kosovë, ndërsa lufta kundër saj nuk ka treguar ndonjë rezultat konkret.

Ismet Kryeziu, nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se institucionet që janë përgjegjëse për të luftuar korrupsionin, janë të korruptuara vetë.

Institucionet si prokuroria, gjyqësia, nuk e kanë integritetin e mjaftueshëm dhe nuk kanë resurse, qoftë humane, qoftë materiale, për të luftuar korrupsionin - për të mos shtuar këtu edhe ndërhyrjet politike që shpeshherë e ndikojnë punën e këtyre institucioneve”, u shpreh Kryeziu.

Me qëllim të realizimit të misionit të saj në fushën e parandalimit të korrupsionit, Agjencia Kundër Korrupsionit ka ndërmarrë disa aktivitete në fushën e prokurimit publik, e cila, sipas Pretenit, më së tepërmi gjeneron aktivitete korruptive.

“Kemi intervenuar dhe kemi marrë pjesë në nëntë raste. Vlera e përgjithshme e tenderëve ka qenë më shumë se 4 milionë euro. Janë evituar 4 raste, ku vlera ka qenë mbi 1.7 milion. Konsideroj se është një aktivitet i agjencisë që këto mjete nuk janë lejuar të keqpërdoren”, tha Preteni.

Zyrtarë të qeverisë vazhdimisht kanë deklaruar zero tolerancë ndaj korrupsionit - deklarata këto që përfaqësuesit e shoqërisë civile i kanë cilësuar si politike.
XS
SM
MD
LG