Ndërlidhjet

Remitencat, shenjë e varfërisë


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë
Remitencat, apo të ardhurat që vijnë në Kosovë nga emigrantët, në 12 vjetët e fundit kanë qenë me shumë domethënie për qytetarët kosovarë. Por, megjithatë, ato janë sinjalizuese të varfërisë që ekziston në vend, vlerësojnë ekspertët e çështjeve të ekonomisë.

Sondazhi i Institutit të Hulumtimeve Gallup, pas anketimeve të zhvilluara në 135 vende të botës, tregon se Kosova radhitet lart në listën e vendeve që marrin remitenca, me 23 për qind apo me më së shumti në rajon.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Bedri Selmani, thotë se remitencat janë burimi kryesor për një numër të madh të familjeve kosovare.
Në qoftë se një vend ka eksport të fuqisë punëtore, ai vend ka varfëri.

“Në qoftë se një vend ka eksport të fuqisë punëtore, ose siç quhet në terminologjinë ekonomike ‘ikje të trurit’, ai vend ka varfëri. Remitencat, apo dërgimi i parave nga emigracioni ynë, janë baza kryesore e krijimit të të ardhurave”, thotë Selmani.

Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv i Institutit Riinvest, thotë se kjo përqindje e remitencave tregon se Kosova nuk po arrin të mbështesë zhvillimin ekonomik në burimet e brendshme.

“Përqindja e lartë e remitencave nënkupton se vendi ynë ende nuk mund të shkëputet nga ndihmat e tilla nga jashtë dhe ta mbështesë zhvillimin ekonomik në burime të brendshme - me theks të veçantë në sektorin privat. Kështu do të duhej të ishte për një vend në zhvillim”.

“Në bazë të treguesve të remitencave ose të shpërndarjes së parave të remitencave, është shumë e qartë se pjesa më e madhe e tyre jepen për akomodim të interesave sociale në Kosovë dhe shumë pak për investime dhe për biznes”,
thotë Abdixhiku për Radion Evropa e Lirë.

Përqindja e remitencave që vijnë në Kosovë është më e madhe sesa shifra që tregon sondazhi i Institutit Gallup, vlerëson në anën tjetër Bedri Selmani.

“Mendoj se është edhe më shumë. Por, është vështirë të saktësohet se sa në të vërtetë janë këto remitenca që vijnë nga emigracioni ynë, sepse pjesa dërrmuese vjen përmes kanaleve jobankare”, deklaron ai.

Lumir Abdixhiku
Por, sipas Abdixhikut, përqindja e lartë e remitencave nuk duhet të jetë fakt me të cilin duhet të krenohen kosovarët. Kjo përqindje, shton ai, pasqyron zhvillimin e ulët ekonomik të vendit.

“Remitencat, të paktën në arsyen ekonomike, janë në korrelacion negativ me zhvillimin. Sa më shumë që zhvillohet një vend, më pak ka lidhje me emigrantët e tij ose me diasporën e vet”.

“Nuk ka asnjëfarë dyshimi se Kosova është vendi më pak i zhvilluar në gjithë rajonin. Madje, është shumë larg vendeve si Shqipëria apo Maqedonia, që e përbëjnë fundin e listës së vendeve të zhvilluara në rajon. Ky tregues, kjo pjesëmarrje e lartë e remitencave, sado që është e rëndësishme, nuk është diçka inkurajuese”.

“Është mirë që Kosova ta vendosë zhvillimin e saj në tregues të tjerë, jashtë remitencave, me theks të veçantë në sektorin privat”,
thekson Abdixhiku.

Sipas një raporti të vitit të kaluar, të cilin e ka publikuar Banka Qendrore e Kosovës dhe disa institucione ndërkombëtare që veprojnë në vend, llogaritet se jashtë Kosovës jetojnë 400 mijë shtetas, të cilët dërgojnë remitenca.

Lexoni edhe këtë:
Ku shpenzohen remitencat?
XS
SM
MD
LG