Ndërlidhjet

Maqedoni: A ka rrezik nga kthimi i vizave?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Pas paralajmërimeve për rivendosjen e vizave për Maqedoninë, autoritetet shtetërore njoftojnë mundësinë e ndryshimeve ligjore për ndëshkimin e personave që keqpërdorin procesin e liberalizimit të vizave. Zëvendëskryeministri Vasko Naumovski thotë se Maqedonia ka bërë mjaft për përmbushjen e kritereve, andaj edhe nuk beson në marrjen e ndonjë vendimi të tillë, por për ekspertët, paralajmërimet nga Brukseli duhet të merren seriozisht parasysh.


Paralajmërimet nga Brukseli për mundësinë e rikthimit të vizave për Maqedoninë dhe Serbinë, për shkak të rritjes së fluksit të emigrantëve në shtetet e BE-së, komentohen në forma të ndryshme në Shkup.

Derisa zyrtarët nuk e shohin si serioz një paralajmërimin e tillë, analistët dhe njohësit e zhvillimet ndërkombëtare thonë se janë reale gjasat për pezullimin e liberalizimit të vizave, për shkak të dështimit të autoriteteve për zbatimin e mekanizmave mbrojtës të këtij vendimi përfitues.

Vasko Naumovski, zëvendëskryeministër për çështje evropiane, thotë:

“Nuk besoj se Maqedonia është një nga shtetet që do t'i anulohet vendimi për liberalizimin e vizave, pasi ne, si shtet me institucionet tona po dëshmojmë se në vazhdimësi jemi të aftë që të përballemi me të gjitha sfidat që bart më vete ky proces, përkatësisht, t'i pengojmë të gjitha përpjekjet për keqpërdorimin e procesit të liberalizimit të vizave”.

Por, ekspertët thonë se paralajmërimet që vijnë nga Brukseli, duhet të merren seriozisht nga autoritetet, pasi ato janë paralajmërimi i fundit para se të merret ndonjë vendim që do të ishte zhgënjyes për qytetarët e Maqedonisë.

“Këtë e shoh si sinjal të fundit për Qeverinë dhe autoritetet përgjegjëse që të marrin masa që këto dukuri të kalohen në mënyrën që mundet. Ka masa, të cilat Qeveria mund t'i ndërmarrë, me qëllim që të minimizohen këto dukuri”.


“Ato bëhen përmes fushatave, sanksioneve ligjore për personat, të cilët nuk e respektojnë ligjin, por mënyra e papërgjegjshme ndaj vërejtjeve mund ta dëmtojë statusin tonë si shtet që jemi në listën e bardhë të Shengenit”
, vlerëson analisti Albert Musliu.

Por, Zdravko Savevski, profesor universitar dhe njohës i zhvillimeve evropiane, thotë se gjasat janë të vogla për rikthimin e vizave për Maqedoninë. Sipas Savevskit, se kjo mund të ndodhë vetëm nëse BE-ja vendos ndryshe, pra që pezullimi të përfshijë gjithë Ballkanin Perëndimor.

“Kjo nënkupton se gjasat janë të vogla që t’i heqin Maqedonisë vendimin e liberalizimit të vizave, përveç nëse Bashkimi Evropian vendos që kjo çështje të përfshijë gjithë Ballkanin Perëndimor. Por, nuk besoj se një vendim eventual do të miratohej vetëm për Maqedoninë”,
thotë Savevski duke shtuar se dyndja e emigrantëve drejt BE-së, para së gjithash ka të bëjë me shtetet afrikane

Ndërkohë, nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se në kuadër të masave për përcjelljen e aktiviteteve lidhur me zbatimin e liberalizimit të vizave, do të ndërmarrin edhe masa represive, në veçanti ndaj transportuesve turistikë drejt vendeve të BE-së, nëse paraprakisht nuk e kanë të rregulluar gjithë dokumentacionin e nevojshëm.

Por, në rast të përkeqësimit të gjendjes nga Ministria e Jashtme nuk përjashtohet mundësia e zbatimit të shembullit të Bullgarisë që nënkupton marrjen e dokumenteve të udhëtimit personave që keqpërdorimin udhëtimin jashtë shtetit.
XS
SM
MD
LG