Ndërlidhjet

Heqin paragjykimet për Prishtinën


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Me mbështetjen e ambasadave amerikane në Prishtinë dhe Beograd, mediat kosovare dhe ato serbe kanë filluar shkëmbimin e përkohshëm të gazetarëve në të dyja vendet. Pas afërsisht një javë qëndrimi në Prishtinë, gazetarët e parë nga Serbia thonë se i kanë hequr paragjykimet që i kishin për Prishtinën, ku ata tani janë bindur se mund të lëvizësh lirshëm dhe të shprehesh edhe në gjuhën serbe pa pasur frikë.


Gazetarë nga Kosova dhe ata nga Serbia do të kenë mundësi që të njihen nga afër me realitetet në të dyja vendet. Mbështetur nga ambasadat amerikane në Prishtinë dhe Beograd, 15 gazetarë nga Kosova dhe po aq nga Serbia shkëmbehen në redaksitë e medieve në të dyja vendet ku qëndrojnë nga një javë.

Përmes këtij shkëmbimi, atyre u mundësohet të njihen jo vetëm me punën e kolegëve të tyre gazetarë, qoftë në Beograd apo Prishtinë, por edhe të njihen me realitetet në këto dy vende që kanë shkëputur komunikimin normal për më gjatë se 12 vjet.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, Arben Ahmeti, thotë se aktualisht janë dy gazetarë nga Kosova në Beograd dhe dy gazetarë nga Serbia në Prishtinë, të cilët qysh në fillim e pranojnë që politika ka krijuar barriera dhe paragjykime që nuk përkojnë me realitetet ekzistuese.

“Fatkeqësisht, politika ka ndërtuar disa barriera, qofshin ato mendore, politike, të sigurisë, kufitare dhe të lirisë së lëvizjes dhe ne jemi munduar që përmes këtij projekti t’i tejkalojmë këto barriera dhe t’u mundësojmë gazetarëve nga të dyja vendet që ta kuptojnë drejtpërdrejt realitetin, i cili ekziston qoftë në Prishtinë, qoftë në Beograd
”, thotë Ahmeti.

Prishtina...

Boris Vukoviq, gazetar i gazetës Blic, është vendosur në redaksinë e gazetës Zëri. Ai është befasuar me mikpritjen e ofruar në këtë redaksi.

Si një gazetar që vjen për herë të parë në Kosovë, Vukoviq thotë se kishte shumë paragjykime dhe pikëpyetje para se të vinte në Prishtinë, qoftë për lirinë e lëvizjes apo edhe për lirinë e shprehjes në gjuhën serbe rrugëve të Prishtinës.

“Njerëzit janë krejt fer dhe korrekt dhe sa herë që kam hyrë në ndonjë dyqan apo ‘Fast Food’ ku kam ngrënë apo pyetur për diçka, gjithçka ka qenë në rregull dhe ka ndodhë që në hotel jam kthyer pas orës 11:30 pa kurrfarë frike”
, thotë gazetari Vukoviq.

Ai thotë se do të kthehet në Beograd me një përshtypje krejt tjetër nga paragjykimet që i kishte për Prishtinën dhe njerëzit e këtushëm, me të cilët mund të flasësh lirshëm edhe në gjuhën serbe pa ndonjë problem.

Ndërkohë, nga gazeta Danas në Prishtinë po qëndron gazetarja Jelena Tasiq, e cila është vendosur në redaksinë e gazetës Koha Ditore. Kjo nuk është hera e parë që ajo vjen në Prishtinë.

Jelena Tasiq thotë se zakonisht në fillim flet në gjuhën serbe, kurse në raste kur dikush nuk e kupton, kalon mirë edhe me gjuhën angleze, me të cilën merret vesh me njerëzit në Prishtinë, qofshin ata nga jeta politike apo kolegë gazetarë.

Qëllimi i saj ishte që të njihet me politikanët shqiptarë të Kosovës. Madje, ajo thotë se ka hetuar ngjashmëri ndërmjet politikanëve shqiptarë në Prishtinë dhe atyre serbë në Beograd.

“Ngjashmëria me Beogradin është se politikanët edhe këtu janë mjaft të mbyllur në kontaktet e tyre me gazetarët, sidomos kur bëhet fjalë për tema të ndjeshme politike, siç është tani rasti me dialogun Prishtinë - Beograd”
, tregon gazetarja Jellena Tasiq.

Gjatë kohës së qëndrimit të tyre në Prishtinë për jetën gazetareske ka ndodhur një zhvillim interesant, siç ishte vizita e shefit të delegacionit të Serbisë, Borko Stefanoviq në Prishtinë.

Arben Ahmeti thotë se ky zhvillim ka dinamizuar aktivitetet e gazetarëve të shkëmbyer në Prishtinë dhe atyre në Beograd.

“Në Prishtinë kemi pasur shumë zhvillime edhe me vizitën e zotit Stefanoviq, por edhe gazetarët nga Kosova që janë në Beograd pikërisht për shkak të këtij konteksti që është krijuar me dialogun, kanë pasur mundësi që të kenë shumë intervista dhe biseda me politikanët serbë”.

“Madje, kemi pasur një rast kur një nga mediat kosovare ka vlerësuar se artikulli i një gazetari nga Beogradi është shumë i mirë dhe e ka botuar edhe vetë gazeta kosovare. Kjo tregon për një zhvillim pozitiv, marrë parasysh të gjitha zhvillimet, në të cilat kanë hasur shoqëritë nga të dyja vendet”,
thekson Ahmeti.

Projekti parasheh që pas medieve të shkruara të përfshihen shkëmbimet e gazetarëve edhe për mediat elektronike.
XS
SM
MD
LG