Ndërlidhjet

Mblidhet Grupi i Kontaktit për Libinë


Ministrat nga Perëndimi si dhe nga disa vende arabe takohen sot në Emiratet e Bashkuara Arabe për një raund tjetër bisedimesh mbi të ardhmen e Libisë, për të cilën shpresojnë të jetë pa diktatorin Muamer Gadafi.

Takimi pason bombardimet e rënda të NATO-s gjatë kësaj jave në Tripoli, të cilat kanë për qëllim që të dobësojnë regjimin e Gadafit dhe t’ia bëjnë të pamundur forcave të tij që të sulmojnë civilët.

Sulmet ajrore të NATO-s në Tripoli raportohet të kenë vazhduar të mërkurën mbrëma.

Grupi i Kontaktit për Libinë do t’i bëjë bashkë sekretaren amerikane të shtetit, Hillari Klinton dhe përfaqësuesit nga Franca dhe Britania si dhe aletatë arabë, përfshirë Katarin, Kuvajtin dhe Jordaninë.

Në takim pritet të diskutohet ndihma ndërkombëtare për Këshillin Kombëtar Tranzitor të kryengritësve si dhe se çfarë duhet bërë për ta rrëzuar nga pushteti Gadafin.

Gjatë kësaj jave Gadafi u betua se do të qëndrojë në Tripoli deri në vdekje.
XS
SM
MD
LG