Ndërlidhjet

Vetëvendosje: Aksion i drejtë në veri


Në një komunikatë për media, Lëvizja Vetëvendosje e ka cilësuar si të arsyeshëm dhe të kuptueshëm vendimin për vendosjen nën kontroll të pikave doganore në veri të Kosovës.

Në komunikatë mes tjerash thuhet se “ky vendim e pason vendimin paraprak të javës që shkoi për moslejimin e hyrjes së mallrave prej Serbisë dhe qarkullimin e tyre në Kosovë”.

“Vendimi për moslejimin e mallrave prej Serbisë në Kosovë, në kuadër të reciprocitetit karshi Serbisë, është praktikisht i pamundur të zbatohet pa i marrë nën kontroll këto dy pika doganore. Prandaj, vendimi i fundit i Qeverisë është i kuptueshëm, i arsyeshëm dhe i drejtë”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, ky grup parlamentar opozitar shfaq shpresën se qeveria “nuk ka menduar vetëm hapin e parë”.

“Shpresojmë që qeveria ka nisur me zbatimin e një plani, të një strategjie më të gjerë për ta bërë Kosovën sovrane e me integritet territorial. Hapi i këtillë është pozitiv dhe i drejtë, por hapi mbetet veçse një hap. Hapi nuk e bën ecjen. Ecjen e përbëjnë hapat, shumë hapa të bashkërenduar”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.
XS
SM
MD
LG