Ndërlidhjet

Diplomaci me shumë adresa


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës
Ka apo nuk ka adresë politika e jashtme e Kosovës?! Opozita thotë se aktualisht në politikën e jashtme ka një kaos, përderisa Qeveria e kundërshtohen një vlerësim të tillë, duke pohuar se Kosova kurrë nuk ka pasur më shumë rezultate në politikën e jashtme, sesa që ka tani.

Ish-ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, tani deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se diplomacia e Kosovës është krejtësisht e çakorduar. Një diplomaci e tillë, sipas Hysenit, është jofunksionale dhe joserioze.

Skënder Hyseni
“Diplomacia e sotme e Kosovës është totalisht disfunksionale, është e çakorduar dhe kjo në masë të madhe. Kjo - kryesisht si pasojë e shumë bartësve të këtij funksioni thelbësor, jetik për marrëdhëniet kontraktuale të shtetit të ri të Kosovës me botën”, thekson Hyseni.

Një mendim krejt ndryshe nga ish-ministri Hyseni shpreh zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Ibrahim Gashi. Ai thotë se opozita, me këso konstatimesh, po tregohet nihiliste në raport me rezultatet e kësaj diplomacie.

Unë dua që me shumë kompetencë ta demantoj atë që e dëgjoj nga opozita. Në diplomacinë kosovare asnjëherë nuk ka pasur një shkallë kaq të lartë të angazhimit, të rezultateve konkrete dhe të sukseseve të prekshme. Opozita nuk guxon në një rend të kalojë në nihilizëm të skajshëm dhe të mohojë çdo rezultat”, thotë Gashi.

Ekzistimi i shumë posteve në politikën e jashtme ka treguar se ajo ka mbetur pa adresë, thotë në anën tjetër ish-ministri Hyseni. Kjo diplomaci, sipas tij, nuk po sjell rezultate, qoftë në planin e njohjeve apo edhe në përfaqësimin e Kosovës në botë. Përgjegjëse për këtë gjendje, Hyseni e bën drejtpërdrejt Qeverinë e Kosovës.

Rrjedhimisht, në politikën e jashtme, Kosova ka mbetur pa adresë. Në rrafshin e njohjeve kjo e ka dëmtuar Kosovën gati në mënyrë të pariparueshme. Unë kam frikë se nëse vazhdohet kësisoj, procesi i njohjes së Kosovës si shtet, nga një proces vital, po shndërrohet në një proces dhe objekt tregtie, që do ta dëmtojë keq këtë proces aq jetik për Kosovën”, vlerëson Hyseni.

Zëvendësministri Ibrahim Gashi thotë se ekzistimi i shumë posteve në Qeverinë aktuale, që ndërlidhen me politikën e jashtme, nuk po e pengon punën dhe angazhimin në planin e jashtëm, qoftë në atë për lobim për njohje apo edhe për përfaqësim të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Gashi nuk sheh ndonjë konkurrencë në raportet mes ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj, dhe zëvendëskryeministrit Behxhet Pacolli, i ngarkuar për lobim. Madje, mendon se ka harmonizim të plotë të punës midis tyre.

Ibrahim Gashi
“Koordinimi është i plotë, i përditshëm dhe në baza ditore. Ka konsultime dhe raportime reciproke. Për shembull, zyra e zv/kryeministrit Pacolli informon Ministrinë e Punëve të Jashtme për aktivitetet e tij lobuese në regjione ku Ministria e Jashtme nuk është e angazhuar. Të njëjtën kohë, ministri Hoxhaj është në kontakt të drejtpërdrejtë, të vazhdueshëm me zv/kryeministrin Pacolli”, thotë Gashi.

Kritikat e opozitës janë shtuar edhe më shumë pas mënyrës së prezantimit dhe paralajmërimit të njohjeve që i erdhën Kosovës muajt e fundit.

Disa njohje u bënë publike nga zv/kryeministri i parë Pacolli, të tjerat nga ministri Enver Hoxhaj, kurse dy njohje, ajo e Gabonit dhe Nigerisë, edhe pse u paralajmëruan nga Pacolli, nuk janë konfirmuar nga Ministria e Jashtme, e cila nuk i ka marrë notat verbale.

Po ashtu, secila njohje ishte prezantuar si meritë e këtij apo atij zyrtari të Qeverisë, çka nga opozita ishte konsideruar si joserioze.
XS
SM
MD
LG