Ndërlidhjet

S’ka rrezik nga radikalizmi fetar


Rezultatet e hulumtimit të opinionit lidhur me rolin e religjionit në shoqërinë kosovare dhe interesin publik për të, kanë qenë të enjten temë e debatit të tryezës së rrumbullakët, të organizuar në Prishtinë.

Hulumtimin e ka bërë qendra për studime humanistike “Gani Bobi”, në kuadër të Forumit 2015.

Shkëlzen Maliqi, bashkautor i këtij hulumtimi, thotë se ky hulumtim nuk ka qenë i gjerë, por akut dhe ka qenë i koncentruar në disa çështje, të cilat kohët e fundit janë ngritur nga disa grupe islamike, si ankesa për diskriminim dhe mosgëzim të të gjitha të drejtave.

Maliqi thotë se hulumtimi ka adresuar problemet sikurse kërkesa për bartjen e shamisë, futjen ose jo të mësimit fetar në sistemin publik të shkollimit, ndërtimin e një xhamie në qendër të Prishtinës etje.

Gjithashtu, sipas tij, hulumtimi ka adresuar qëndrimin e shqiptarëve të Kosovës ndaj perëndimit, orientimi i tyre politiko-kulturor, si dhe pranimi ose jo i risive që sillen nga disa grupe më radikale islamike.

Xhami në Prishtinë...
Xhami në Prishtinë...
Ky është hulumtim, të them ashtu, më shumë ad-hok. Nuk kemi hyrë shumë në thellësi, por i kemi disa përgjigje të opinionit, të njerëzve, nga një mostër reprezentative, që tregon se edhe në këto çështjet që janë radikalizuar ose që në opinion kanë shkaktuar debate, shumica e të anketuarve kanë një qëndrim të moderuar. Në përgjithësi, kjo përputhet edhe me këtë qëndrimin e moderuar të vet shoqërisë kosovare për këto çështje”, shprehet Maliqi.

Xhabir Hamiti, kryetar i Kuvendit të Bashkësisë Islame në Kosovë, ka thënë se hulumtimi me temën “Interesi publik dhe religjioni” pavarësisht se sjellë disa rezultate, të cilat sipas tij kanë qenë të pritshme, megjithatë ka qenë i mangët.

Nuk është një hulumtim i gjithanshëm, sepse ka përfshirë vetëm pjesëtarët e besimit islam dhe ky hulumtim e ka paraqitur si problem vetëm komunitetin mysliman në Kosovë. Ne kemi nevojë për mendimin e të gjitha komuniteteve fetare, sepse janë pjesë e shoqërisë së Kosovës, që të gjitha”, thekson Hamiti.

Ne kemi nevojë për mendimin e të gjitha komuniteteve fetare, sepse janë pjesë e shoqërisë së Kosovës, që të gjitha.
Sociologu Anton Berishaj thotë se rezultatet e hulumtimit që ka bërë qendra për studime humanistike “Gani Bobi”, kanë qenë të pritshme.

Sipas tij, kërkesat e caktuara nga grupe të caktuara fetare, megjithatë duhet marrë në konsideratë për t’i shqyrtuar.

Jemi shoqëri e cila gjendet në një situatë, të njëfarë tranzicioni, të lëvizjeve dhe kërkesat e ndryshme nganjëherë edhe mund të na befasojnë. Mirëpo, është mirë që edhe politika, por edhe shoqëria të mësohen që ato kërkesa të ulen dhe t’i analizojnë, për të parë se çka ka aty reale e çka ka diçka që nuk mund të realizohet. Absolutisht nuk ka nevojë për shqetësimin e shpirtrave”, thekson Berishaj.

Ndryshe, Hamiti ka theksuar se sipas hulumtimit, por edhe sipas mendimit të tij, besimi Islam në Kosovë nuk rrezikohet nga ndonjë radikalizëm i grupeve të caktuara brenda komunitetit mysliman në vend.

Ka pasur dhe ka tendencë të rritjes së këtyre grupeve. Por, fatmirësisht, këta janë një pjesë e vogël e shumicës islame në Kosovë dhe me një konsolidim më të mirë të Bashkësisë Islame, sigurisht se këto tendenca dhe këto fryma do të parandalohen në të ardhmen”.

Mendim të përafërt ka edhe sociologu Berishaj, i cili thotë se pavarësisht se disa grupe, që sipas tij janë minore, kanë manifestuar, në raste të veçuara, disponim anti- perëndimor, megjithatë kjo nuk është reflektuar edhe ndaj konfesioneve të tjera që jetojnë në Kosovë.

Ato qarqe, sado që janë minore, sado që janë të vogla ose të mëdha, deri më sot nuk kanë manifestuar një diskonim kundër të tjerëve. Por, po ndodhë brenda Islamit, që unë konsideroj që është një çështje që duhet edhe Bashkësia Islame e Kosovës, së bashku edhe me politikën, por edhe me ato qarqe, që ta rregullojnë. Unë, me këtë, nuk dua të them se kjo ne nuk na intereson. Na intereson të gjithëve që gjërat të rregullohen sa është më mirë. Por, unë, me të vërtetë, nuk po shoh kurrfarë rreziku”.

Sidoqoftë, autorët e hulumtimit “Interesi publik dhe religjioni” kanë theksuar se ende mbetet që të analizohen më thellë rezultatet e këtij hulumtimi.

Sipas tyre, kërkimet më të thella, si dhe debatet dhe analizat lidhur me çështjet që dalin nga konteksti i religjionit, vazhdojnë të jenë edhe më tutje të nevojshme në Kosovë.
XS
SM
MD
LG