Ndërlidhjet

Buxheti 2012 nuk siguron mirëqenie sociale


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë
Buxheti, i miratuar të enjten në parim nga Kuvendi i Kosovës, është buxhet teorik, pa u mbështetur në analiza dhe shifra reale, të cilat mundësojnë përmirësimin e gjendjes socio-ekonomike në vend, thonë sociologë dhe ekspertë për çështje ekonomike.

Sipas tyre, me këtë buxhet madje do të rritet edhe më tepër shkalla e varfërisë dhe e papunësisë.
Është vështirë të pritet që ky buxhet t’i zgjidhë problemet e punësimit, e aq më tepër problemet sociale, pasi kryesisht është i orientuar në investime publike.

Ismail Kastrati, ekspert për çështje ekonomike, thotë se buxheti është i orientuar në investime publike, ndërsa pjesa më e madhe e shumës së ndarë për projekte kapitale, do të shpenzohet për autostradën Vërmicë - Merdarë, e cila është në ndërtim e sipër.

“Është vështirë të pritet që ky buxhet t’i zgjidhë problemet e punësimit, e aq më tepër problemet sociale, pasi kryesisht është i orientuar në investime publike. Kështu që nuk pritet një zhvillim i qëndrueshëm ekonomik”, thotë Kastrati.

Mendim të ngjashëm kanë edhe sociologët, të cilët thonë se buxheti i vitit të ardhshëm nuk i trajton problemet themelore, me të cilat përballet vendi.

Sociologu Fadil Maloku shprehet skeptik se me këtë buxhet do të ulet shkalla e varfërisë dhe e papunësisë.

“Me këto masa, problemi i papunësisë dhe i varfërisë nuk mund të përmirësohet. Nuk janë parametra të mjaftueshëm, që, në fakt, do të krijonin parakushte për të zbutur papunësinë dhe varfërinë në Kosovë”, thekson Maloku.

Sipas ekspertit të ekonomisë, Kastrati, viti i ardhshëm do të jetë edhe më i vështirë për kosovarët, sa i përket mirëqenies sociale, pasi, siç shprehet, buxheti siguron vetëm ekzistencën dhe funksionimin e institucioneve.

“Qeveria ka hyrë në obligime të mëparshme për Autostradën e Kombit dhe e ka pasur të vështirë të krijojë hapësirë për ristrukturim të buxhetit për vitin 2012. Ka qenë situatë ku nuk ka mundur të orientohet në mbështetje të ekonomisë së vogël, bujqësisë, e rrjedhimisht në rritjen e punësimit”, thotë Kastrati.

Niveli i të papunëve në Kosovë, me vite të tëra, mbetet mbi 40 për qind. Mbi 34 për qind e popullsisë jeton në varfëri të përgjithshme, ndërsa 12 për qind e saj në varfëri ekstreme.
XS
SM
MD
LG