Ndërlidhjet

KNKK: Ritëm i ngadaltë në gjetjen e personave të zhdukur


Grupi punues për persona të zhdukur në lidhje me ngjarjet në Kosovë mbajti të enjtën në Beograd seancën e dhjteë publike, njoftoi Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq përmes një komunikate për media.

“Gjatë vitit të kaluar, autoritetet në Beograd dhe Prishtinë kanë vazhduar përpjekjet për të kërkuar personat e zhdukur në përputhje me zotimet e tyre në kuadër të grupit punues. Lokacione të dyshuara të vend varrezave janë kontrolluar në Peruçac, Livoç dhe Medvexhë”, thuhet në komunikatë ku bëhet gjithashtu e ditur se punët janë duke vazhduar ende në Rashkë, Koshare dhe Zhilivodë

Komunikata citon kryesuesen e grupit punues, Lina Milner të ketë thënë se përkundër këtyre përpjekjeve, mbesin brengat për “ritmin e ngadalshëm të këtij procesi”.

“Mungesa e informatave të reja për vend varreza të mundshme dhe çështja e mbetjeve mortore të paidentifikuara janë pengesa reale për një progres më të shpejt. Që të dyja këto çështje duhet të adresohen urgjentisht”, tha Milner.

Mësohet se për më shumë se 10 vite pas ngjarjeve në Kosovë, nga 6 019 persona të raportuar në KNKK si të zhdukur nga familjet e tyre, 1 799 ende konsiderohen të zhdukur.

Vetëm 74 raste thuhet se janë zgjidhur që nga seanca e fundit publike mbajtur në Prishtinë në prill të vitit 2010.
XS
SM
MD
LG