Ndërlidhjet

Arabët pajtohen për një plan të ri për Sirinë


Liga Arabe është pajtuar për një plan të ri për Sirinë.

Sipas planit të ri, presidenti Bashar Al-Asad parashihet t’ia dorëzojë pushtetin një prej zëvendësve, si dhe të formojë një qeveri të unitetit, përpara mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe presidenciale.

Plani u miratua dje në Kajro nga ministrat e jashtëm të Ligës Arabe.

Ministri i jashtëm i Katarit, Hamad bin Xhasim al-Tani tha se formimi i një qeverie kombëtare të unitetit brenda dy mujash, me pjesëmarrjen e regjimit dhe opozitës, të udhëhequr nga një individ, për të cilin arrihet pajtushmëri e plotë, do të ketë mision zbatimin e pikave të planit të Ligës Arabe.

Sipas tij, përgatitjet për zgjedhjet e lira parlamentare dhe presidenciale duhet të bëhen sipas një ligji, i cili tregon se procedura të tilla duhet të kryhen nën vëzhgimin arab dhe ndërkombëtar.

Ndërkohë, mëngjesin e sotëm, televizioni shtetëror i Sirisë citoi një burim anonim të qeverisë të ketë thënë se Damasku e ka refuzuar planin, duke e quajtur konspiracion kundër njerëzve sirianë.
XS
SM
MD
LG