Ndërlidhjet

Koncesion i pajustifikueshëm


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Përmbajtja e fusnotës, me të cilën është pajtuar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, që Kosova të paraqitet në forumet dhe nismat rajonale, është kundërthënëse, vlerësojnë ekspertët e çështjeve juridike-kushtetuese në vend.

Ata thonë se Rezoluta 12 44 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila, mes tjerash, figuron në këtë fusnotë dhe mospërmendja e Republikës së Kosovës në fusnotë, bien ndesh me Kushtetutën e vendit.

Riza Smaka, ekspert për çështje juridike-kushtetuese thotë se një gjë e tillë është mohim për aktin e pavarësisë së Kosovës dhe Kushtetutës së vendit dhe një koncesion, sipas tij, krejtësisht i pavend dhe i pajustifikuar ndaj shtetit serb.

Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB për Kosovën, 12 44, e ka përcaktuar statusin e përkohshëm, të pa definuar. Ndërsa, me Deklaratën e Pavarësisë, Me Kushtetutë, me Ligjin suprem të shtetit, e patëm normuar mënyrën politike-juridike, shtetin e pavarur dhe sovran. Tash, këto dy dokumente nuk shkojnë bashkë. Ose rezoluta ose Kushtetuta”, thotë Smaka.

Mazllum Baraliu, gjithashtu ekspert për çështje juridike-kushtetuese, thotë se formulimet për fusnotën me të cilën Kosova do të paraqitet në forumet dhe nismat rajonale, janë formulime diplomatike, të cilat duhet analizuar në shumë dimensione.

Por, sipas tij, edhe në çështjet e formulimit të kësaj fusnote, Kosova nuk është mirë të lëshojë pe ndaj ndonjë formulimi që bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

Unë mendoj se megjithatë, ashtu siç është në Kushtetutë emërtimi i vërtetë i shtetit të Republikës së Kosovës, kudo që të jetë do të duhej të përfaqësohej me atë emër. Formulat e tjera, janë formula, të cilat i duhen diplomacisë, i duhen politikës dhe i duhen shtetit. Por, unë nuk kam të bëj me atë. Unë, si një njeri që merret me çështje kushtetuese, mendoj që do të duhej që gjithsesi të respektohet Kushtetuta, në mënyrë të domosdoshme dhe rigoroze, me rastin e përfaqësimit, prezantimit dhe pjesëmarrjes kudo të shtetit të Kosovës”, shprehet Baraliu.

Ndryshe, Smaka ka shprehur mendimin se pajtimi i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, që në fusnotë të figurojë Rezoluta 12 44, nëse bëhet fakt i kryer, mund të hapë rrugë për kontestimin e këtij vendimi në Gjykatën Kushtetuese të vendit.

Do të ishte një vendim i cenueshëm, do të ishte i rrëzueshëm lehtë, të themi kështu. Edhe nuk do mend shumë për të medituar, për të spekuluar në mënyrë filozofike për interpretimin juridik. Ky është degradim i statusit kushtetues, e Gjykata Kushtetuese e mbron Kushtetutën. Por, ajo nuk do të ishte zgjidhje. Zgjidhja më e mirë, ma merr mendja, do të ishte presioni politik, sepse, me të vërtetë, qeveria do të duhej ta kishte mbështetjen e krejt popullit në këtë rast, edhe nga opozita, që të prezantohet ashtu siç i ka hije, dinjitetshëm, pa kurrfarë koncesioni”, thekson ai.

Në anën tjetër, analisti i çështjeve politike nga Serbia, Vatrosllav Vekariq, thotë se pajtimi i kryeministrit Thaçi që në fusnotë të figurojë Rezoluta 12 44, mund të jetë një fakt, i cili megjithatë është e mundur që të mos i shkojë krejtësisht për shtati Qeverisë së Serbisë.

Sipas tij, kryeministri i Kosovës edhe më parë e ka përmendur Rezolutën 12 44 si një bazë për argumentet e Prishtinës dhe që ky fakt në Beograd është heshtur.

Në këtë rezolutë, përveç gjithë asaj që flet ajo dhe që ne e kemi të njohur, si dhe pjesëve që flasin në favor të pikëpamjes serbe, megjithatë, ekzistojnë edhe pjesë të cilat kërkojë sqarimin për vetëvendosje. Me fjale të tjera, nuk është rezoluta 12 44 në tërësi në anën e argumenteve të Serbisë. Aty janë edhe argumentet që janë në anën e Prishtinës. Thaçi e ka analizuar këtë dhe tash po e hedhë në plan të parë”, bën të ditur Vekariq.

Sidoqoftë, partitë opozitare në Kosovë, por edhe disa analistë politikë e kanë kundërshtuar fusnotën ku figuron rezoluta 12 44, duke thënë se në këtë formë ajo e dëmton shtetësinë dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.
XS
SM
MD
LG