Ndërlidhjet

Kosova ankesë kundër Serbisë


"Kosova A"
"Kosova A"

Korporata Energjetike e Kosovës ka ngritur një ankesë zyrtare kundër Republikës se Serbisë në Sekretariatin e Komunitetit Energjetik, bëjnë të ditur zyrtarë të kësaj kompanie.

Viktor Buzhala, zëdhënës në Korporatën Energjetike të Kosovës, thotë se KEK-u është i vetëdijshëm se dy operatorë të palicencuar, “Elektro Ekonomia e Serbisë” dhe e ashtuquajtura “Elektrokosmet”, nuk janë të regjistruara në Kosovë, por në mënyrë ilegale veprojnë në pjesën veriore të vendit.

Për këtë arsye, Buzhala thotë se çështja është ngritur në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë kundër Republikës së Serbisë për mosplotësim të obligimeve të saj ligjore sipas Traktatit për Komunitetin e Energjisë.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë është mekanizëm mbikëqyrës për zbatimin e marrëveshjes për energji që është nënshkruar në Athinë, i quajtur Traktati i Komunitetit të Energjisë.

Ky Traktat ka hyrë në fuqi në vitin 2005, me qëllim të krijimit të një rregullative të qëndrueshme si dhe një kornize tregu, e cila përfshinë vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore në një treg të vetëm energjetik të Bashkimit Evropian.

Palë kontraktuese në këtë marrëveshje është edhe Kosova, e përfaqësuar në atë kohë nga misioni i UNMIK-ut.

KEK-u ka ushtruar një aktivitet ligjor kundër Serbisë në Sekretariatin e Komunitetit Energjetik, për arsye se është duke lejuar operimin e kompanive serbe të palicencuara dhe në mënyrë ilegale në veri të vendit, përkatësisht kompanitë e ashtuquajtura ‘Elektro-Ekonomia e Serbisë’ dhe ‘Elektrokosmet’”.

Këto kompani vazhdojnë të operojnë duke mos pasur licencë dhe duke ndërhyrë edhe në punët për të cilat është i autorizuar dhe licencuar në Kosovë vetëm KEK-u”, thotë Buzhala.

Ai rikujton se Korporata Energjetike e Kosovës, sipas kornizës ligjore dhe rregullative, është i vetmi operator i licencuar i sistemit të shpërndarjes dhe furnizues publik për tërë territorin e Kosovës.

Në anën tjetër Ethem Çeku, ish ministër i Energjisë në kohën kur është nënshkruar marrëveshja për energji më vendet e Evropës Juglindore, pohon se Kosova është vonuar në procedurat ligjore kundër Republikës se Serbisë.

Ai thotë se veprimi i disa operatorëve ilegalë të Serbisë, në pjesën veriore të vendit, i kanë shkaktuar humbje të mëdha Korporatës Energjetike të Kosovës.

KEK-u është vonuar për të ngritur në aspektin juridik problemin në mekanizmat evropianë. Sepse, është thënë edhe më herët se mund të përdorën mekanizmat evropianë, për të ngritur përdorimin e linjës 400 kilovoltëshe që e bën Serbia në drejtimin e Kosovës”.

Serbia përdorë rrugën energjetike pa e kompensuar fare Kosovën. Dhe janë vite të tëra që është duke e përdorë, janë vite të tëra që e shantazhon në një farë forme Kosovën përmes rrugës energjetike. Edhe pse këto rrugë janë të ndërtuara qind për qind nga buxheti i Kosovës. Do të thotë, Serbia nuk e ka të drejtën e shfrytëzimit të 400 kilovoltëshit, pa e bërë pagesën e transitit që e përdor për sektorin energjisë elektrike në Kosovë”, shprehet Çeku.

Ndryshe, që nga përfundimi i luftës, banorët në pjesën veriore të Kosovës nuk i paguajnë faturat e energjisë së shpenzuar.

Viktor Buzhala, nga Korporata Energjetike e Kosovës, thotë se në atë pjesë, KEK-u e shpërndan 4 për qind të energjisë se përgjithshme, që në euro i bie, 1.8 milion euro në muaj, apo mbi 20 milionë euro në vit.

Sidoqoftë, në rast të moszbatimit nga cilado palë, një detyrim që rrjedh nga Traktati, Sekretariati ose Bordi Rregullator, mund të vendosë me unanimitet për ekzistencën e një shkeljeje të rëndë dhe të vazhdueshme nga një palë.

Për pasojë, mund të vendoset edhe pezullimi i të drejtave që rrjedhin nga ky Traktat për palën shkelëse, duke përfshirë pezullimin e të drejtës së votës dhe përjashtim nga mbledhjet ose mekanizmat e parashikuar në këtë Traktat.

Ndryshe, KEK-u këtë ankesë e ka ngritur në fillim të këtij viti, dhe deri më tash, nuk ka marrë asnjë përgjigje nga mekanizmat përkatës të Traktatit.
XS
SM
MD
LG