Ndërlidhjet

Komunitetet RAE: Probleme me arsimim


Një fëmijë rom në Kosovë - foto nga arkivi
Një fëmijë rom në Kosovë - foto nga arkivi


Niveli i ulët i arsimimit mbetet sfida kryesore për fëmijët e komunitetin rom, ashkali dhe atë egjiptas, thonë përfaqësues të organizatave joqeveritare të këtij komuniteti.

Për këtë arsye, ata fajësojnë prindërit, pasi sipas tyre, autoritetet kompetente në Kosovë kanë krijuar mekanizma dhe kushte që edhe fëmijët e këtij komuniteti të vazhdojnë arsimin në të gjitha nivelet.

Komuniteti rom, ashkali dhe ai egjiptas (RAE), sipas Kushtetutës, gëzon të drejtat e barabarta me të gjitha komunitetet tjera.

Në Kosovë llogariten se jetojnë deri në 40 mijë romë, ashkali dhe egjiptas.

Bashkim Ibishi, drejtor ekzekutiv i Agjencisë Kosovare për Avokim dhe Zhvillim, pohon se ka raste kur fëmijët vazhdojnë shkollimin deri në klasë të gjashtë, ndërsa më pas, prindërit i detyrojnë të ndërpresin shkollimin për të gjetur një vend pune.

Ibishi, pajtohet se gjendja socio-ekonomike e komunitetit rom, ashkali dhe atij egjiptas është e rëndë, por jo arsye për braktisje të shkollës.

Si arsye që ne e kemi identifikuar, largimi nga shkolla ka qenë nga vetë mungesa e vetëdijes nga ana e prindërve. Këtë duhet të pranuar vetë shoqëria kosovare, që vetë prindërit në disa rrethana të caktuara i tërheqin fëmijët nga shkolla, falë kushteve jo të favorshme ekonomike, dhe i detyrojnë të punojnë”, thotë Ibishi.

Nexhip Menekshe, nga Qendra për Integrimin e Komuniteteve Etnike, thekson se viteve të fundit, në zonat urbane ka një ndryshim pozitiv sa i përket përfshirjes së fëmijëve të komuniteteteve RAE në sistemin arsimor.

Por, një situatë e tillë, sipas tij, nuk qëndron në viset rurale.

Sa i përket kushteve ekonomike nuk mund të them se janë arsye, pasi librat shkollorë i marrin falas. Por, është vetëdijesimi i prindërve, sidomos në viset rurale. Aty kemi probleme, dhe aty lidhen kushtet ekonomike, pasi fëmijët dalin dhe punojnë punë të ndryshme”, thekson Menekshe.

Sa i përket çështjes së arsimimit, Bashkim Ibishi, ndërkaq, thotë se institucionet arsimore në Kosovë kanë lehtësuar procedurat për regjistrim në të gjitha nivelet arsimore për këto komunitete.

Njëra prej masave që është ndërmarrë dhe që është paraparë në kuadër të planit të veprimit, është rezervimi i kuotës si në shkollat e mesme, po ashtu edhe në Universitetin e Prishtinës. Ministria e Arsimit ka krijuar programin e dhënies se bursave për këta fëmijë, edhe në nivel komunal ekziston ky vendim, pasi duke i njohur problemet sociale që kanë këta fëmijë, bëhet një tentative, që t’i krijohen kushtet përmes së cilave ata mund të edukohen më mirë”, shprehet Ibishi.

Ekzekutivi i vendit, disa herë ka shprehur gatishmërinë dhe përkushtimin e saj për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve .

Qeveria e Kosovës ka hartuar strategjinë për integrimin e komuniteteve RAE, në dhjetor të vitit 2008, ndërsa plani i veprimit për realizimin e kësaj strategjie gjatë viteve 2009-2015, u miratua në dhjetor të vitit 2009.

Sidoqoftë, në Kosovë ekzistojnë 28 shkolla fillore dhe 14 shkolla të mesme ku, së bashku shqiptarët, mësojnë boshnjakët, turqit, romët, ashkalitë dhe egjiptasit, dhe ka marrëdhënie mjaft të mira si ndërmjet nxënësve, ashtu edhe ndërmjet arsimtarëve.
XS
SM
MD
LG