Ndërlidhjet

Maqedoni: Thirrje Greqisë të bisedojnë për emrin


Autoritetet e Maqedonisë ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje nga Athina zyrtare lidhur me propozimin e saj për vendosjen e një dialogu serioz, me qëllim forcimin e besimit mes dy vendeve dhe zgjidhjen e kontestit rreth emrit, që tashmë 20 vjet e ka bllokuar procesin e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.

Zëdhënësi i qeverisë, Aleksandar Gjorgjiev, thotë se përgjigja e Greqisë për këto iniciativa do të dëshmojw nëse ajo është e përkushtuar ndaj rajonit dhe zgjerimit të NATO-s.

Maqedonia, thotë Gjorgjiev, mbetet e përkushtuar në zgjidhjen, e siç shprehet, problemit të imponuar shumëvjeçar, por qasje të njwjtë pret edhe nga qeveria e re greke.

Ne bëjmë thirrje për qasje të përgjegjshme, duke ritheksuar se me vëmendje dhe përkushtim të madh e trajtojmë zgjidhjen e çështjes së hapur mes dy vendeve tona, por, presim që qasje të këtillë të ketë edhe nga pala tjetër. Në funksion të dinamizmit të bashkëpunimit dhe komunikimit ne kemi propozuar takime të niveleve të ndryshme, nënshkrimin e një deklarate për miqësi dhe bashkëpunim, hapjen e vendkalimeve të reja kufitare si dhe një sërë aktivitetesh tjera që do të ishin në funksionin të forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve”, thotë Gjorgjiev.

Por, në raport me zgjidhjen e kontestit mes dy vendeve, përgjigja e vetme që ka ardhur nga Athina ishte ajo e para disa ditëve e presidentit grek, Karolos Papuljas.

Ai i ka bërë thirrje autoriteteve të Shkupit që të heqin dorë nga “maqedonizimi” i vendit, pasi sa më shumë që të proklamojnë “maqedonizimin”, aq më shumë do të largohen nga NATO-ja dhe Bashkimi Evropian.

Athina zyrtare mbetet në qëndrimin për ndryshimin e emrit kushtetues dhe gjetjen e një emri me prapashtesë gjeografike, edhe atë për përdorim të përgjithshëm, pra si brenda Maqedonisë, ashtu edhe në raportet e saj ndërkombëtare.

Ndërkohë, partitë opozitare, propozimin e fundit të qeverisë e kanë vlerësuar manipulues me opinionin, pasi sipas LSDM-së, qeveria tanishme nuk është e gatshme për të zgjidhur problemin me Greqinë, ndërsa propozimet e këtilla i bënë gjoja për të dëshmuar para opinionit se angazhohet për zgjidhje të problemit.

Njohësit e zhvillimeve ndërkombëtare thonë nga ana tjetër se Maqedonia nuk ka nevojë të dalë me propozime të këtilla, pasi të gjithë e kanë të qartë se ku qëndron problemi.

Zgjidhja e çështjes së emrit, sipas analistit Albert Musliu, është pengesa e vetme jo vetëm për zhbllokimin e procesit integrues, por njëkohësisht edhe për forcimin e raporteve të përgjithshme mes dy vendeve.

Të gjitha këto biseda, deklarata, përplasje, konsideroj se janë refleksion i gjetjes së fajtorëve e jo i gjetjes së zgjidhjes. Fatkeqësisht te ne mungojnë politikanët që kanë jo vetëm vizion por edhe guxim politik, të cilët, për çështjet relevante, për çështje kruciale për ardhmërinë e vendit ofrojnë zgjidhje, pavarësisht nëse ato zgjedhje do t'i dëmtojnë ato. Për mua kjo është refleksion edhe i keqpërdorimit të çështjes së emrit për politikë ditore”, thotë Musliu.
XS
SM
MD
LG