Ndërlidhjet

Maqedoni: Sindikalistët kërkojnë ligj për mbrojtje nga trysnia


Shkalla e lartë e papunësisë, si dhe zvogëlimi i tregut të punës ka ndikuar që 2 nga 5 të punësuar të jenë viktima të trysnisë. Kjo është dhe arsyeja se pse Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë i ka dorëzuar një draft version të një ligji të veçantë për trysninë, Qeverisë, si edhe Këshillit Socio-Ekonomik për mbrojtjen e interesave të të punësuarve. Sipas sindikalistëve, ligji ekzistues për marrëdhënie pune, nuk arrin të rregullojë sa duhet këtë sferë.

Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Zhivko Mitrevski, thotë se të punësuarit, jo vetëm se e kanë të vështirë të detektojnë se kur saktësisht bëhet fjalë për trysni, por njëherësh, në mesin e të punësuarve, veçanërisht në institucionet shtetërore, ekziston frika për t’i denoncuar rastet konkrete që të mos e humbasin vendin e punës.

“Përmes aktivitetit tonë tentojmë të inkurajojmë jo vetëm të punësuarit, por edhe të gjitha institucionet përkatëse , siç është gjyqësori, qendrat sociale, sektorin civil … që pa frikë të drejtojnë gishtin kah ata që ushtrojnë trysni ndaj të punësuarve, edhe nëse bëhet fjalë për persona me pushtet të lartë politik , këtë do ta mundësojë ligji, të cilin ne e propozojmë si LSM (Lidhje e Sindikatave të Maqedonisë)”, thotë Mitrevski.

I pari i sindikalistëve të Maqedonisë, gjithashtu kërkon dhe formimin e një trupi të pavarur, që do t’i ndjek procedurat që kanë të bëjnë me rastet e trysninsë, me ç’rast parashihen edhe dënime materiale prej 5 mijë deri në 7 mijë euro për ata që ushtrojnë presion ndaj të punësuarve.

Por, Jonuz Abdullahu, ligjërues në Fakultetin e Administratës Publike, në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, thotë se qytetarët nuk i denoncojnë rastet konkrete kur ndiejnë trysni në vendin e punës, si nga ana e punëdhënësit, ashtu edhe nga ndonjë koleg që ka influencë politike - mungon konfidencialiteti gjatë procesit të hetimit dhe qasja profesionale e organeve përkatëse.

“Qytetarët njëherë e kanë humbur besimin në institucionet përkatëse, kjo dhe është arsyeja pse ata kanë frikë t’i paraqesin rastet kur ballafaqohen me presione të ndryshme në vendin e punës, me ç`rast keqtrajtimet zakonisht janë në aspektin psikik”.

“Kjo ndodh për arsye se ende është shumë larg profesionalizmi te përgjegjësit në sektorë të ndryshëm , veçanërisht në sistemin gjyqësor, të cilët nuk janë në nivel të duhur të profesionalizmit, sepse ata duhet t’i ruajnë sekretet. Gjatë denoncimit autoritetet që merren me këtë çështje duhet të kenë një qaje shumë profesionale sa i përket problemit të caktuar dhe jo individit, pra nuk duhet individualizuar gjërat”,
vlerëson Abdullahu.

Millan Petkovski nga Shoqata për Mbrojte të të Punësuarve thotë se në parim është pro çdo rregulative ligjore që mbron këtë sferë, por njëherësh vlerëson se në Maqedoni, si pasojë e mungesës së kulturës institucionale dhe asaj politike, vështirë mund të përcaktohet se çka paraqet trysnia ndaj të punësuarve.

“Për të pasur një situatë të qartë , me ç’rast do të mund të dëshmohej trysnia ndaj të punësuarve, duhet të jetë e qartë edhe rregullativa ligjore, përmes së cilës do të mund të dëshmoheshin faktet”, thekson Petkovski.

Ndryshe, edhe Avokati i Popullit në Maqedoni në raportin e fundit ka thekuar se është në rritje numri i qytetarëve, të cilët ankohen nga trysnia, por pjesa më e madhe e tyre hezitojnë që rastet t`i çojnë në gjyq.
XS
SM
MD
LG