Ndërlidhjet

Liberalizimi i vizave proces teknik - vendimi politik


Ilustrim
Ilustrim
Qeveria e Kosovës pret që Bashkimi Evropian të mos e trajtojë çështjen e liberalizimit të vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës si çështje politike, por si teknike.

Ministrja e Integrimeve Evropian, Vlora Çitaku, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, gjatë një konference të përbashkët për media thanë se Kosova do t’i përmbushë me kohë të gjitha obligimet që dalin nga kriteret e përcaktuara nga Brukseli në këtë proces, dhe presin më pas që nga viti 2013 e tutje, Këshilli i Ministrave i BE-së të marrë vendim pozitiv për liberalizimin e vizave edhe për qytetarët e Kosovës.

Ministrja Çitaku tha se kriteret që i janë përcaktuar Kosovës numerikisht tejkalojnë kriteret e përcaktuara për vendet tjera, por ky fakt, sipas saj, nuk paraqet problem.

Gjithashtu, edhe aspekti politik i mosnjohjes së Kosovës nga pesë vende anëtare të BE-së, sipas Çitakut, nuk pritet të ndikojë në procesin e liberalizimit të vizave, sado që vendimi në fund do t’i takojë nivelit politik.

Vlora Çitaku
Vlora Çitaku
“Vendet e BE-së nuk kanë regjim vizash edhe me entitete apo shtete, të cilat nuk i kanë njohur asnjë nga shtetet e BE-së siç është Tajvani. Pra, procesi i liberalizimit të vizave nuk pres që do të ketë pengesa politike për shkak të mosnjohjes nga pesë vende të BE-së. Normalisht që ky proces në fund varet nga disponimi politik. Përmbushja e kritereve është një gjë, kurse vendimi merret në nivel politik”, deklaroi Çitaku.

Teksa u shpreh optimiste për liberalizimin e vizave pa parakushte politike, ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, tha se më sfiduese për Kosovën do të jetë çështja e nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, për shkak të procedurave që parashihen në atë rast.

“Më sfidues do të jetë procesi i MSA-së për shkak se Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA), e cila eventualisht dhe unë besoj shpejt do të nënshkruhet mes Kosovës dhe Komisionit Evropian, duhet të ratifikohet në vendet anëtare të BE-së dhe normalisht që ky do të jetë një proces sfidues”, u shpreh Çitaku.

Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, prezantoi një pasqyrë të rezultateve, që, sipas tij, janë rritur dukshëm në kuadër të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Rexhepi tha se organet e rendit po luftojnë me sukses dukuritë kriminale si trafikimin me njerëz, kontrabandën me mallra e narkotikë, si dhe kanë shkatërruar rrjete të krimit të organizuar.

Sa i përket menaxhimit të integruar të kufirit, si një nga parakushtet për liberalizim, Rexhepi tha se përveç pjesës me Serbinë, Kosova ka tashmë marrëveshje me vendet tjera fqinje, të cilat po zbatohen apo pritet të zbatohen në të ardhmen e afërt.

Bajram Rexhepi
Bajram Rexhepi
“Me Serbinë ka qenë një ndër konkluzionet kryesore që nga ana e jonë ne e kemi nënshkruar, unë e kam nënshkruar në emër të Qeverisë së Kosovës dhe në atë rast ne nuk do të bartim pasoja, pasi që faji është në anën e Serbisë. Edhe zyrtarët më të lartë të Komisionit Evropian janë të vetëdijshëm që kjo nuk mund të jetë pengesë për liberalizimin e vizave nëse faji është te fqinji verior”, theksoi Rexhepi.

Sikurse edhe në paraqitjet e mëhershme, edhe këtë rast, ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, u bëri thirrje të gjithë shtetasve të Kosovës që mendojnë se përmes liberalizimit të vizave mund të përfitojnë nga kërkesa për azil në vendet e BE-së, që të mos bien pre e mashtrimeve, sepse liberalizimi nuk do të mund të shfrytëzohet për strehim apo për punësim në vendet tjera.

“E përsëris që armiku më i madh i liberalizimit të vizave, do të jetë nëse numri i azilkërkuesve do të jetë edhe më tutje i lartë. Nuk ka shans të përfitohet azil politik dhe ekonomik. Prandaj, sado që të duket e dhimbshme, qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien pre e grupeve, agjencive të caktuara, që në kohët e fundit edhe e kemi bërë një arrestim të një rrjeti goxha të madh të trafikimit”, deklaroi Rexhepi.

Në qershor të këtij viti Brukseli i dorëzoi Kosovës një udhërrëfyes për liberalizimin e vizave, i prezantuar si një listë gjithëpërfshirëse reformash, të cilat kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes, ri-integrimin dhe ri-pranimin, sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufirit dhe migrimin, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe të drejtat themelore të njeriut.

Pas plotësimit të këtyre kritereve, Kosova shpreson më pas në nisjen e dialogut me Brukselin deri në marrjen përfundimtare të vendimit që edhe shtetasit e Kosovës të udhëtojnë pa viza drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
XS
SM
MD
LG