Ndërlidhjet

Pavarësia e plotë pa veriun e integruar


Harta e Kosovës
Harta e Kosovës
Përmbyllja e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare nuk duhet të nënkuptojë edhe fundin e angazhimeve për zbatimin planit të Ahtisarit në veri të Kosovës, thuhet në një raport që ka prezantuar Forumi 2015.

Ky Forum, i përbërë nga disa organizata joqeveritare, publicistë e analistë, prezantoi këtë raport në prag të përmbylljes së mbikëqyrjes ndërkombëtare ku flitet për zbatimin e planit të Ahtisarit, ngecjet dhe sfidat politike, ekonomike e legjislative që i mbeten Kosovës pas 10 shtatorit.

Agron Bajrami, kryeredaktor i gazetës Koha Ditore tha se veriu pritet të jetë një problem që do të kërkojë vëmendje dhe zgjidhje për një kohë shumë më të gjatë sesa që ishte menduar fillimisht.

Ai tha se moszbatimi i Planit Ahtisari në veri po tregon se gjërat po rrjedhin kah një zgjidhje tjetër. Por u ka rekomanduar autoriteteve se shmangia eventuale nga ky plan, vetëm sa do ta përkeqësonte situatën atje.

Rekomandimet janë aty edhe për faktin se ekzistojnë dyshime, si te ne si hulumtues, por edhe në publik, nëse zgjidhja për veriun është vetëm Pakoja e Ahtisarit apo ka edhe diçka tjetër në tavolinë. Pra, rekomandimet mund të shërbejnë si paralajmërim se diçka e tillë mund të ndodhë, edhe pse ne nuk e dimë sepse zyrtarisht kjo nuk është thënë. Për këtë arsye ekzistojnë rekomandimet që të thuhet se çdo zgjidhje tjetër fare (nga Plani i Ahtisarit) do të shkaktojë më shumë probleme sesa që do të zgjidhë çështje”, ka thënë Bajrami.

Si rrjedhojë e përfundimit të mbikëqyrjes, pas 10 shtatorit, Zyra Civile Ndërkombëtare pritet të shuhet dhe kompetencat që ka ushtruar ajo t’u kalojnë autoriteteve shtetërore të Kosovës.

Megjithatë, edhe pas kësaj date, pritet që Kosova të miratojë qëndrimin e misionit të BE-së për sundim të ligjit – EULEX.

Në këtë aspekt, Fisnik Korenica nga Forumi 2015 tha se vazhdimi i mandatit të EULEX-it përmes shkëmbimit të letrave ndërmjet presidentes Atifete Jahjaga dhe baroneshës Ketrin Eshton, që përfundon më një votim formal në Kuvend, nuk është i mjaftueshëm dhe propozoi që të ketë një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe BE-së për këtë çështje.

Raporti ynë tregon që për ta bërë legjitim misionin e EULEX-it në nivel të brendshëm nevojitet që të ketë një marrëveshje bilaterale ndërkombëtare midis BE-së dhe Kosovës dhe që prezenca e tillë të jetë e kufizuar në kohë dhe të mos ketë asnjë bazë në Rezolutën 12 44 dhe kapitullin 7 të Kartës së OKB-së meqë EULEX-i është një mision teknik i shtet-ndërtimit dhe nuk përbën një mision paqeruajtës siç ka mund të jetë më 1999”, ka thënë Korenica.

Nga aspekti ekonomik, sfidat, prioritetet por edhe rekomandimet një ditë pas fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare i ka prezantuar Lumir Abdixhiku.

Ai ka prezantuar sidomos nevojën e definimit të borxheve dhe marrjes së hises që i takon Kosovës nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë.

Ne rekomandojmë tri fusha. Së pari që të caktohet një ndërmjetësues ndërkombëtar i nivelit të lartë në marrëdhëniet e Kosovës, jo vetëm me Serbinë por edhe vendet tjera të ish-Jugosllavisë për të definuar, çështjen e borxhit të jashtëm, atë të sukcesionit apo marrjen e pasurisë, hises së Kosovës në ish-Jugosllavi dhe për të kthyer kopjet origjinale të kadastrës në Kosovë”, ka thënë ndër tjera Abdixhiku.

Në raportin e prezantuar para medieve, Forumi 2015 e parasheh si sfidë edhe praninë ushtarake ndërkombëtare, pasi legjitimiteti i KFOR-it ka buruar nga Rezoluta 12 44 dhe Marrëveshja Ushtarake Teknike e Kumanovës.

Andaj, këto dhe çështje tjera rekomandohet që të trajtohen dhe rregullohen konform pavarësisë së plotë që do të ketë Kosova pas 10 shtatorit të sivjetmë.
XS
SM
MD
LG