Ndërlidhjet

Arrin në 3.1 për qind shkalla e inflacionit


Ilustrim
Ilustrim
Çmimet e konsumit në Kosovë u ngritën për 3,1 për qind në muajin gusht 2012, krahasuar me muajin gusht 2011. Kjo ngritje e vazhdueshme e çmimeve ka ngritur shqetësime të mëdha tek ekspertët e çështjeve ekonomike dhe qytetarët.

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave e Kosovës, niveli i ngritjes së çmimeve i referohet kryesisht shtrenjtimit të produkteve që shërbejnë për transportin personal, por edhe shtrenjtimit të artikujve tjerë të konsumit ditor.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë se shkalla e lartë e inflacioni është një shqetësim i madh për vendet që kanë një zhvillim ekonomik më të ulët, siç është Kosova.

“Deficitet e vazhdueshme tregtare bëjnë që inflacioni të jetë në rritje. Krahas importit të produkteve, ne importojmë edhe inflacion dhe kjo është e papërballueshme për qytetarin e Kosovës kur kihet parasysh që në vendin tonë nuk kemi një rritje të punësimit, e cila do të ishte arma më e fuqishme kundër rritjes së çmimeve”, thekson Shahini.

Kosova vazhdon të mos ketë rritje të mjaftueshme ekonomike. Gjatë vitit 2011 rritja ekonomike në Kosovë ishte 5 për qind. Për të përmirësuar gjendjen ekonomike dhe sociale në Kosovë, kjo rritje ekonomike duhej të dyfishohej, kishin vlerësuar ekspertë të çështjeve ekonomike.

Ndërkaq, rritja ekonomike për vitin 2012, e cila ishte parashikuar të jetë mbi 5 për qind, sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, ka rënë në 3.8 për qind.

Ndërkohë, qytetarët thonë se shkalla e lartë e inflacionit është e papërballueshme për ta. Nuhi Reçica, banor në Prishtinë, thotë se kjo ngritje e vazhdueshme e çmimeve ka bërë që të bie fuqia blerëse.

“Ngritja e çmimeve për ne, si pensionistë, është shumë shqetësuese. Me ato të ardhura që ne i kemi, nuk mund t’i blejmë as gjërat elementare. Tani kjo ngritje e çmimeve te të gjithë artikujt ushqimorë, e ka varfëruar shportën tonë mujore”, thekson Nuhi Reçica.

Ndërkaq, Arben Begolli mendon se duhet të krijohen mekanizma adekuatë, të cilët do të mund të ndikonin në mosngritjen e çmimeve, pasi që, siç thotë ai, këto çmime po e ulin dukshëm standardin jetësor.

“Ngritjet e çmimeve, ashtu si kanë filluar para një viti, nuk kanë pasur rënie, por vetëm rritje. Kjo është alarmante për ne, qytetarët e Kosovës, kur dihet se edhe ashtu kemi gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale”, thotë ky qytetar me emrin Arben.

Ngjashëm mendon edhe qytetari tjetër, Hydajet Sinani:

“Kemi ngritje të çmimeve e pagat janë të njëjta, nuk ndryshojnë. Me pagat që ka Kosova, nuk arrin të jetosh si duhet”.

Për të dalë nga kjo gjendje, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se duhet të ngrihen kapacitetet prodhuese dhe eksporti.

“Nëse do të kemi në rritje të eksportit, ne do të kemi import të parave të gatshme, eksport të produkteve, rritje të punësimit, rritje të të hyrave nga brenda dhe kjo është njëra nga mundësitë që të mund ta përballojmë krizën”, vlerëson Shahini.
XS
SM
MD
LG