Ndërlidhjet

Shqipëri: Gjykata e Lartë "ndez" tensionet


Ilustrim
Ilustrim
Projektligji për Gjykatën e Lartë është çështja që mban të ndezur tensionin politik. Opozita nuk e voton, duke e kushtëzuar me respektimin prej qeverisë të vendimit të gjykatave lidhur me konstituimin e këshillit të qarkut Fier.

Deputeti socialist Taulant Balla thotë se kjo kërkesë është nën frymën e kërkesa të opozitës për të forcuar zbatimin e ligjit.

Ka një rast, sikurse janë me dhjetëra, në mos me qindra raste në këtë vend ku gjykata është shprehur në mënyrë të qartë në të gjitha nivelet e saj dhe është rasti i bllokimit të qeverisjes vendore që përkon me këshillin e qarkut Fier, ndërkohe që ekzekutivi, qeveria dhe prefekti i kësaj qeverie në qarkun e Fierit nuk pranon të respektojë vendimin e gjykatave. Atëherë për çfarë bëjmë ligje?! Në të gjitha progres raportet për disa vite me radhë thuhet qartë që Shqipëria ka bërë shumë ligje por zbatueshmëria e tyre lë shumë për të dëshiruar”, thekson Balla.

Ky kusht i socialistëve për deputetin e Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj është justifikim për të ndikuar negativisht tek vendimmarrja e Komisionit Evropian për statusin e Shqipërisë si vend kandidat i Bashkimin Evropian.

Miratimi i ligjit për Gjykatën e Lartë është një prej kritereve të vendosura nga Brukseli.

Të gjitha vendimet që kanë të bëjnë me situatën e konstituimit të këshillit të qarkut të Fierit janë zbatuar. Për këtë arsye duket që është i trilluar si justifikim. Është një justifikim për të mos miratuar këtë ligj që do të sillte pas pengesa reale në mos marrjen e statusit”, thotë Alibeaj.

Këtij arsyetimi Alibeaj i shton edhe një fakt, që sipas tij dëshmon se PS po shpikë kushte për të dëmtuar integrimin.

Ligji për Gjykatën e Lartë ka ardhur si nevojë më së shumti e shtyrë nga ana e Partisë Socialiste, e cila përgjatë shqyrtimit analizimit dhe miratimit të ligjit për Gjykatën Administrative kërkoi ajo një ndryshim të domosdoshëm në ligjin për Gjykatën e Lartë. Në bazë të kërkesës së tyre edhe u hartua ky projektligj që do të thotë që për një arsye të thjeshtë dhe racionale do të duhet të kalonte pa më të voglin diskutim”, shprehet ai.

I pyetur nëse me qëndrimin kundër socialistët po cenojnë vendimmarrjen e KE, deputeti socialist Taulant Balla thotë se Brukseli më shumë se te miratimi i ligjeve, këmbëngul te zbatimi i tyre.

Balla thotë se tashmë vendimi për statusin është marrë, pritet një opinion pozitiv i kushtëzuar.

Nuk është kusht i BE miratimi ose jo i ligjit për Gjykatën e Lartë. Prioriteti që lidhet me pavarësinë e sistemit gjyqësor nuk do të thotë thjesht dhe vetëm miratim i ligjit. E para që duhet të ndryshojë në këtë vend është që të gjithë duhet të kuptojmë që gjykata në këtë vend duhet të jetë e pavarur, që vendimet e gjykatës janë të formës së prerë dhe kushdo qoftë ai nga kryeministri te prefekti dhe qytetari i thjeshtë duhet t’i zbatojë”.

Ju e dini që vendimmarrja për statusin në nivelin e ekspertëve të komisionit ka kaluar është marrë ndërkohë që do të thotë që miratohet ose jo ligji për gjykatën e lartë brenda këtij 9 ditëshi nuk ndryshon asgjë ndërkohë që pritjet e komisionit janë në shumë e shumë fusha të tjera, po e quajmë që u miratua dhe ligji për gjykatën e lartë. Çfarë raporton sukses kjo qeveri në luftën kundër korrupsionit?! Asgjë!”, thotë Balla.

Por Alibeaj thotë se vendimi për statusin do të merret realisht në dhjetor, kur vendet anëtare të BE-Se do t'i thonë po ose jo opinionit të pritshëm pozitiv të KE. Ndaj Alibeaj i mëshon arsyetimit se PS po kërkon t'i shtojë vendimmarrjes së Brukselit sa më shumë kushte.

Nga tetori në dhjetor do të duhet të ndodhin disa ngjarje, pozitive shpresoj unë të jenë, për t’u dhënë një vendim përfundimtar në dhjetor për marrjen e statusit të vendit kandidat. Pra nuk është thjesht dhe vetëm në këto 9 ditë por është në këto dy muaj e disa ditë që do të duhet të plotësojmë disa kërkesa. Unë besoj që është e mirë llogaritur nga ana e Partisë Socialiste pikërisht kjo pengesë edhe në kushtet kur ata dinë se do të jepet , të paktën deri në këto momente, që do të jepet një lloj statusi por i kushtëzuar. Pra logjika është sa më shumë kushte sa më shumë argumente politikë që të qortojnë mazhorancën do t’ua bënte më të shëndoshë fushatën elektorale që e kanë nisur që tani” thotë Alibeaj.

Sa për nevojën për zbatim të ligjeve, ai thekson se kjo nuk arrihet assesi duke vendosur kushte.

“Parlamenti, pavarësisht dëshirave që mund të ketë, ka vetëm një mjet në dorë për të injektuar në mënyrë pozitive në një pushtet tjetër, siç është pushteti gjyqësor, të përmirësojë ligjet”.

Në 10 tetor pritet që Komisioni Evropian do të japë opinionin lidhur me aplikimin e Shqipërisë për të marrë ose jo statusin e vendit kandidat.

Gjithnjë e më shumë po flitet për një opinion pozitiv por që do të shoqërohet me vendosjen e disa kushteve që duhen plotësuar. Kushte që rrjedhin ose nga detyrime të mbetura ose që duhen testuar siç janë zgjedhjet e 2013 me ligjin e ri zgjedhor.
XS
SM
MD
LG