Ndërlidhjet

Kosova pa brez të ri të shkrimtarëve për fëmijë


Ilustrim
Ilustrim
Mundësia për të ofruar krijimtarinë letrare për moshat më të reja në Kosovë, sot kur interneti është bërë hapësirë ku fëmijët, jo vetëm gjejnë informacionet e caktuara, por edhe argëtimin, është bërë sfidë.

Por, kjo është vetëm një nga arsyet pse fëmijët sot më pak iu qasen librave me përmbajtje artistike, sepse në anën tjetër, është e dukshme që edhe shkrimtarët që shkruajnë për fëmijë, janë gjithnjë e më pak në numër.

Kështu vlerësojnë disa prej shkrimtarëve, të cilët pjesën më të madhe të krijimtarisë së tyre letrare ua kanë kushtuar shumë gjeneratave të fëmijëve.

Shkrimtari Jonuz Fetahu, i cili sivjet ka marrë çmimin “Ymer Elshani”, për librin më të mirë brenda vitit, me tregime për fëmijë, vlerëson se letërsia për fëmijë, aktualisht po përjeton një krizë dhe se kanë mbetur pak shkrimtarë, të cilët vazhdojnë me përkushtim të shkruajnë për moshat më të reja.

Arsyet dhe shkaqet, sipas Fetahut, gjenden në shumë faktorë.
Letërsia për fëmijë është në krizën më të madhe të saj...

“Letërsia për fëmijë është në krizën më të madhe të saj. Në fazën e tranzicionit ne nuk mundëm të gjendemi aq sa dhe si duhet për fëmijët. Ata ecën një hap përpara shkrimtarëve, shpesh-herë. Këtë e bëri mediumi elektronik, përkatësisht interneti, i cili e zëvendësoi librin, për një periudhë dhjetëvjeçare. Fëmijët shumë u larguan nga leximi i librave, përkatësisht nga shkrimtarët e vet. Sot, shkrimtari për fëmijë, veçmas, është në një udhëkryq”, thotë Fetahu.

Që nga botimi i parë i librave në gjuhën shqipe në Kosovë, e deri më tash, janë mbushur 59 vjet. Gjatë këtyre viteve janë krijuar shumë vepra letrare për fëmijë, të cilat kanë zënë vend si trashëgimi letrare, si dhe në kulturë në përgjithësi.

Shkrimtari Xhevat Syla, i cili ka shkruar mjaft për fëmijët, thotë se shkrimtarët që kanë krijuar letërsinë për fëmijë në Kosovë, u takojnë tre brezave.

Por, thotë Syla, mjaft shkrimtarë të brezit të dytë, të cilët, sipas tij, edhe e kanë bartur barrën kryesore të letërsisë për fëmijë dhe që konsiderohen si identitet i kësaj letërsie në vend, tashmë nuk janë në këtë botë.

Megjithatë, Syla thotë se letërsia për fëmijë sot po ecën paralel me zhvillimet e kohës, por edhe me zhvillimin e fëmijëve.
Sot edhe temat edhe motivet janë të tjera...

“Sot edhe temat edhe motivet janë të tjera. Sigurisht që janë edhe të kohës që jetojmë. E, koha, të cilën ne jetojmë, përsëri e ka natyrën, ka bukuritë e saj, ka ndjenjën për lirinë, ndjenjën për atdheun... janë disa tema të të gjitha kohërave. Por, janë edhe disa, të cilat korrespondojnë me kohë të caktuara, si vlera”, konsideron Syla.



Por, çfarë kërkojnë fëmijët sot nga shkrimtarët?

Shkrimtari Jonuz Fetahu vlerëson kështu:

“Lexuesi i vogël, mendoj, shkollari, ai dëshiron që librin ta lexojë për një ose dy ditë, e jo për një javë. Nuk ka kohë më ai që të lexojë libër të trashë. Andaj, duhet t’i ofrojmë dhe shërbejmë fëmijëve atë që është më e mira, më e kapshmja, pa rëndesë”.

Fetahu thotë se janë edhe një mori problemesh, të cilat i destimulojnë shkrimtarët që të punojnë për shtimin e vëllimit të veprave letrare për fëmijë. Siç thotë ai, aktualisht shkrimtarit, përveç krijimit të veprës letrare, i duhet që të merret edhe me përgatitjen teknike, botimin, si dhe shpërndarjen.

Në anën tjetër, thotë Fetahu, nuk ka ndonjë interesim apo organizim të mirëfilltë nga shkollat e Kosovës që librat për fëmijë të arrijnë deri te nxënësit apo edhe të organizohen punëtori me shkrimtarët për fëmijë.

Të gjitha këto, sipas tij, janë barrë e madhe për shkrimtarin dhe tashmë është e dukshme se një brez i ri i shkrimtarëve për fëmijë, siç thotë ai, nuk duket në horizont Megjithatë, sipas Fetahut, botimet ekzistuese, janë mjaft kualitative.
Vepra të Agim Devës...
Vepra të Agim Devës...

“Shkrimtarët të cilët lexohen me ëndje, janë Agim Deva, Rifat Kukaj. Lexohet edhe sot ‘Zogu e kulla’ e Rrahman Dedës, pastaj Abdulla Thaçi, Gani Xhafolli, Xhevat Syla dhe shumë të tjerë. Nuk kemi shkrimtarë të rinj dhe po përpiqemi me qiri e pishë që të gjejmë emra të rinj, por nuk janë kah lindin, sepse, unë kujtoj se pak punohet në shkolla”, thekson Fetahu.

Mendim të ngjashëm ka edhe shkrimtari Xhevat Syla:

“Tash, nuk kemi një brez, i cili identifikohet si i tillë, sikurse që ishte ai i brezit të dytë apo brezit të parë. Kemi shkrimtarë dhe unë shpresoj që me kohë do të vijë edhe brezi, për shkak se me botimin e veprave të reja të autorëve të rinj, të cilët dalin, siç kanë dalë gjithmonë shkrimtarët nga bankat e shkollave. Sigurisht që do të kemi edhe shkrimtarë që do ta bëjnë këtë brez, por të cilin tash për tash nuk e kemi të identifikuar si brez të ri të shkrimtarëve”.
XS
SM
MD
LG