Ndërlidhjet

Çantat e mbingarkuara të nxënësve


Pesha e rëndë e çantave
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:03:05 0:00

Çantat e mbingarkuara

Nxënësit kosovarë ndjekin mësimet e tyre në mbi njëmijë shkolla fillore dhe të mesme në zonat urbane dhe rurale të vendit.

Problemeve aktuale që kanë të bëjnë me oraret e ndërlikuara mësimore dhe stërngarkimin e klasave, po u shtohet një shqetësim tjetër - pesha e rëndë e çantave, në të cilat ata bartin tekstet dhe materialet e tjera mësimore.

Radio Evropa e Lirë vizitoi shkollën fillore “Elena Gjika” në Prishtinë, për të parë thellësinë e problemit dhe për të mësuar më shumë për telashet që u shkaktohen nxënësve nga bartja e çantave të mbingarkuara.

Një hulumtim i bërë nga Zymer Cakolli, mësimdhënës në shkollën fillore “Elena Gjika” në Prishtinë, tregon se çantat e nxënëse të shkollave fillore, tejkalojnë peshën e lejuar.
Sipas këtij hulumtimi, nxënësi i klasës së parë, i cili ka peshë trupore mesatarisht 23 kilogramë, e bart çantën mesatarisht 4 kilogramë e 170 gramë. Pesha më e rëndë është 5 kilogramë e 200 gramë, kurse ajo më e lehta 2 kilogram e 300 gramë.

Dallimi ndërmjet peshës së çantës të nxënësve të klasës së parë me ata të klasës së pestë, sipas hulumtimit, është vetëm 100 gramë më e rëndë në peshë çanta e nxënësit të klasës së pestë, krahasuar me çantën e nxënësit të klasës së parë.

Ndërkohë që, sipas standardeve të përcaktuar nga Organizata Botërore e Shëndetit, ngarkesa fizike te fëmijët nuk guxon të kalojë 10 përqindëshin e peshës trupore të fëmijëve.

Çdo gjë më e rëndë se aq, mund të jetë e dëmshme për shpinën e fëmijës dhe bart pasoja për të ardhmen.

Por, plan-programi arsimor i Kosovës i hartuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, thotë mësimdhënësi Zymer Cakolli, i obligon nxënësit që në çantë t’i kenë të gjitha ato libra që ata duhet t’i bartin çdo ditë.

“Duke parë edhe kërkesat e plan-programeve, duke i parë kërkesat e shkollave, patjetër që duhet të merren ato libra, fletore dhe mjete të punës. Asgjë tjetër që nuk ka pasur të bëjë me shkollë nuk ka pasur në ato çanta të nxënësve. Eventualisht, ka mundur të jetë një shishe me ujë”, thekson Cakolli.

Një hulumtim i vitit 1984, tregon se çanta e nxënësve të klasës së parë të vitit 1984, ka peshuar për 2 kilogramë më pak sesa çanta e nxënësve të klasës së parë të viteve të fundit.

Problemi i çantave të rënda, sipas Cakollit, duhet të ngrihet në nivele më të larta shtetërore të arsimit. Ky problem duhet të trajtohet dhe të zgjidhet, thotë ai, në të kundërtën, shumë fëmijë po vuajnë nga problemet shëndetësore të boshtit kurrizor.

“Ne kemi biseduar me drejtorin, është bërë një përpjekje shumë e madhe që disa libra të lihen në shkollë. Por, si shkollë ne nuk kemi mundësi, pasi që ambienti i shkollës nuk ofron kushte për vendosjen e rafteve ku nxënësit do t’i linin librat në shkollë. Këtë problem nuk mund ta zgjidh shkolla. Është problem që i preokupon të gjitha shkollat. Këtë problem mund ta zgjidhë vetëm Ministria e Arsimit, apo institucionet tjera shtetërore”, sqaron Cakolli.

Halim Hyseni nga Qendra për Arsim e Kosovës thotë se çanta e mbingarkuar e nxënësve vjen si rezultat i teksteve të shumta shkollore dhe që janë të obligueshme.

“Në bazën e këtyre kërkesave kurikulare janë hartuar tekstet që janë të mbingarkuara, dhe mbi këtë bazë edhe arsimtarët bëjnë kërkesa të tilla, kështu që nxënësit të mbajnë me vete çantat dhe libra të panevojshme”, thotë Hyseni.

Çantat e mëdha dhe të mbingarkuara po shkaktojnë jo vetëm lodhje të nxënësve, por edhe dëmtime afatgjatë në shtyllën kurrizore.

Deformimet në boshtin kurrizor të fëmijës, sipas mjekëve, mund të shfaqen për shkak të peshës së rëndë të çantave.

Nehbi Krasniqi, shef i pediatrisë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, thotë se për shkak të peshës së rëndë, fëmijët mund të kenë deformime të boshtit kurrizor.

“Ka një arsye mjekësore që çantat e rënda të ndikojnë në gjendjen e tij(fëmijës) shëndetësore të përgjithshme duke pasur parasysh që fëmijët i kanë kockat e buta. Ka mundësi të ndikojë në deformimin e kurrizit”, tërheq vërejtjen pediatri Krasniqi.
XS
SM
MD
LG