Ndërlidhjet

Maqedoni: Ligji i rejtingut politik


Pamje nga Shkupi...
Pamje nga Shkupi...
Ndërprerja e seancës maratonë kushtuar propozim-ligjit për zhdëmtimin e forcave maqedonase të sigurisë dhe caktimi i seancës tjetër plenare, përfundimisht dëshmon qëllimin e partive në pushtet, që përmes këtij propozim-ligj të përfitojnë pikë politike.

Kështu vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, pas vendimit të kryetarit të Kuvendit, Trajko Veljanovski, i cili, duke shfrytëzuar autorizimet ligjore ndërpreu seancën e Komisionit të Punës dhe Politikës Sociale ku debatohej për ligjin e kontestueshëm dhe caktoi seancë të re, pasi paraprakisht, këtë refuzoi ta bënte Cvetanka Ivanova, kryetare e Komisionit nga radhët e opozitës

Që nga vendosja e këtij propozim-ligji në procedurë parlamentare në gusht të këtij viti, u pa qartë se ai propozim-ligj kishte për qëllim ngritjen e tensioneve dhe nacionalizmave si tek elektorati maqedonas, ashtu edhe tek ai shqiptar, me qëllim që VMDRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja të rrisin rejtingun e tyre”.

Pra, me këtë veprim, vetëm sa u konfirmuan vlerësimet e shumta që janë dhënë se partitë në pushtet me të synonin arritjen e qëllimeve të tyre politike”, thotë analisti Zdravko Savevski.

Ai shprehet se edhe hapi tjetër i ndërmarrë për të vendosur pika tjera nga sfera sociale siç janë ndihmat sociale, pensionet e kështu me radhë, është në funksionin të përfitimeve të partive në pushtet në prag të zgjedhjeve të ardhshme lokale.

Kjo, pasi këto zgjidhje ligjore që do të miratohen do të hyjnë në fuqi para mbajtjes së zgjedhjeve në marsit të vitit të ardhshëm.

Nga ana tjetër, edhe analisti Alajdin Demiri, thotë se vendimi për ndërprerjen e seancës është i menduar mirë nga partitë në pushtet, të cilët, vetëm se pritnin momentin për të zhvendosur vëmendjen në sferat tjera gjoja siç shprehet ai, për të dëshmuar se në Maqedoni gjithçka është ashtu siç duhet.

Para disa ditëve që u takuan Gruevski dhe Ahmeti dhe thanë se krejt punët janë mirë. Ky është ai mashtrim me të cilin vazhdohet për arsye se çdo ligj çdo seancë është një grackë e re, është një eksplodim i ri për arsye se këto parti politike nuk kanë kapacitet të qeverisin dhe çdo situatë që paraqitet është motiv për shpërthim të ri për shkak se gjërat parimore nuk zgjidhen, lihen që të zhvillohen dhe kështu është kur në politikë problemet dytësore janë më të rëndësishme se problemet vitale”, thotë Demiri.

Sipas tij, partitë politike duhet t’i japin fund praktikës së këtillë të funksionimit pasi kjo do reflektohet negativisht jo vetëm ndaj punës së Kuvendit, por edhe ndaj shtetit në përgjithësi.

Ky Kuvend vështirë se do të funksionojë në këtë përbërje gjë që tregon papjekurinë e partive politike për çështjet shtetërore dhe të qytetareve dhe marrjen vetëm me veten dhe rejtingun e tyre. Kjo lloj politike është vrastare, është nihiliste dhe gjithsesi se do të jep rezultate shumë negative për Maqedoninë në përgjithësi”, shprehet Demiri.

Ndryshe, propozim-ligji për zhdëmtimin e forcave maqedonase të sigurimit që kishin pësuar në konfliktin e vitit 2001, përjashtonte nga përfitimet shqiptarët e dëmtuar, pjesëtarë të ish-UÇK-së.

Kjo bëri që BDI-ja në pushtet, të përdorë forma të ndryshme për bllokimin e miratimit të këtij ligji, përfshi edhe dorëzimin e mbi 15 mijë amandamenteve.

Por, të gjitha këto veprime që nga paraqitja e propozimit e deri në bllokimi i punës së Kuvendit, janë vlerësuar si lojë politike jo vetëm nga opozita por edhe njohësit e zhvillimeve politike.
XS
SM
MD
LG