Ndërlidhjet

Vazhdojnë reformat zgjedhore, mbetet e ngrirë çështja e presidentit


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Spektri politik në Kosovë ka një pajtueshmëri për vazhdimin e reformave zgjedhore, përderisa janë vënë në pikëpyetje reformat kushtetuese dhe amendamentet për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit.

I vetmi subjekt politik që po insiston në respektimin e plotë të marrëveshjes ndërmjet liderëve politikë të arritur në prill të vitit 2011, e cila mes tjerash parashihte një sistem gjysmë -presidencial dhe zgjedhjen e presidentit nga populli, është Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ndërkaq, partitë tjera politike, edhe pse i kishin përkrahur në fillim ato reforma, këtë çështje e shtrojnë tani si një temë debati që kërkon zgjidhje në të ardhmen.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, beson se reformat nuk do të jenë të plota pa zgjedhjet presidenciale.

“Lidhja Demokratike e Kosovës do të insistojë që të ketë zgjedhje të drejtpërdrejta presidenciale, sepse besojmë që e drejta e qytetarëve që ta zgjedhin liderin apo udhëheqësin e shtetit - pra presidentin ose presidenten në këtë rast, është e drejtë që duhet përfundimisht të realizohet, pasi që qytetarët e kanë kërkesë të kamotshme që presidenti të zgjidhet nga ana e popullit dhe jo të jetë pjesë e pazareve politike në Kuvend”, thotë Osmani.

Lidhja Demokratike i ka kërkuar presidentes aktuale, Atifete Jahjaga, dorëheqjen në mënyrë që t’i hapet rruga reformës dhe amendamentimit të Kushtetutës në fushat ku përcaktohet zgjedhja dhe kompetencat e presidentit.

Kjo e fundit ka rikujtuar LDK-në se nuk do të japë dorëheqje pasi që një gjë e tillë, sipas saj, nuk parashihet me Kushtetutë.

Zgjedhjet presidenciale nuk e kanë tani as mbështetjen e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila, sipas shefit të Grupit Parlamentar, Adem Grabovci, këtë çështje e sheh si pjesë të debateve të ardhshme.

“Në lidhje me reformat kushtetuese dhe amendamenteve për zgjedhjen e presidentit, ne mendojmë se kemi ende kohë kur mund të bisedohet. Për ne janë të rëndësishme reformat zgjedhore, të cilat duhet të bëhen patjetër dhe janë tepër të ngutshme. Kemi pajtueshmëri me subjektet politike dhe akterët e tjerë se duhet të përfundohen këto reforma”, thekson Grabovci.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje, nuk do t’i mbështeste me votën e saj amendamentet kushtetuese që do të përcaktonin zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit. Deputeti Afrim Kasolli nga radhët e Vetëvendosjes, thotë se presidenti duhet të zgjidhet nga Parlamenti.

“Republikës së Kosovës i nevojitet një president, i cili del nga Parlamenti. Pra, zgjidhja më adekuate, e cila do të vazhdonte të garantonte stabilitet institucional dhe funksionim të demokratik do të ishte një president i zgjedhur nga Parlamenti nëpërmjet një konsensusi politik të formacioneve politike të përfaqësuara në Parlament”, shprehet Kasolli.

Reformat kushtetuese janë propozuar në formë amendamentesh nga një komision ad-hoc parlamentar. Ky komision drejtohet nga deputeti i PDK-së, Arsim Bajrami.

Për dallim nga disa kolegë deputetë nga radhët e PDK-së, Bajrami thotë se një president i zgjedhur drejtpërdrejt nga vota e popullit do të ishte në dobi të funksionimit të institucioneve të Kosovës.

“Kjo tani ka mbetur kryesisht si çështje politike dhe se tani është në vullnetin e partive politike nëse dëshirojnë apo jo t’i votojnë ndryshimet, amendamentet, me të cilat inaugurohet modeli i presidentit të zgjedhur drejtpërdrejt”, thekson Bajrami.

Ai personalisht mendon se presidenti i zgjedhur drejtpërdrejt do të ishte zgjidhja më e mirë për vendin.

Behgjet Pacolli, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa pas arritjes së marrëveshjes për presidentin në prill të 2011-s
Behgjet Pacolli, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa pas arritjes së marrëveshjes për presidentin në prill të 2011-s
Sidoqoftë, të paktën edhe për një mandat, është pak e pritshme që Kosova të shkojë në zgjedhje presidenciale, pavarësisht marrëveshjes së lidhur në prill të vitit 2011 nga ana e Hashim Thaçit, Isa Mustafës e Behxhet Pacollit, të ndërmjetësuar nga ish-ambasadori amerikan, Christofer Dell, e fuqizuar edhe me një rezolutë nga Kuvendi i Kosovës, e cila mes tjerash parashihte që Kosova të shkonte në zgjedhjet e para presidenciale.

Madje, ujdia e liderëve politikë pretendonte t’i shkurtonte edhe mandatin presidentes Atifete Jahjaga, e cila mori postin e shefit të shtetit pikërisht mbi bazën e asaj marrëveshjeje. Por, në interpretimin e mëvonshëm nga Gjykata Kushtetuese u tha se mandati kushtetues pesëvjeçar i presidentes, nuk mund të shkurtohet përmes një marrëveshjeje politike.

Andaj, siç qëndrojnë aktualisht punët, partitë politike kanë një pajtueshmëri për vazhdimin e reformave zgjedhore, por jo edhe për reformat kushtetuese dhe dispozitave që flasin për zgjedhjen e drejtpërdrejtë dhe përgjegjësitë e presidentit.

Mbase debatet do të mund të vazhdojnë pas përfundimit të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare apo kur presidentes Jahjaga do t’i mbetet edhe një vit në mandatin e presidentes.
XS
SM
MD
LG