Ndërlidhjet

Maqedoni: Komisioni i "dështuar"


Flamuri i Maqedonisë
Flamuri i Maqedonisë
Pas caktimit të katër anëtarëve të komisionit hetimor për incidentin e 24 dhjetorit në Kuvend, LSDM dhe VMRO-DPMNE, kanë dalë me propozimet e tyre edhe për kreun e komisionit që duhet të zgjidhet me konsensus nga anëtarët e tjerë të këtij organi.

Ai, ka për obligim të përgatisë një raport për ngjarjet në institucionin ligjvënës që edhe shkaktuan krizën më të thellë politike të ndodhur ndonjëherë në Maqedoni.

Partitë politike, janë përmbajtur nga komentet lidhur me punën e këtij komisioni, i cili, u ndërmjetësua nga komisiononeri për zgjerim i BE-së, Shtefan Fyle, gjatë vizitës së fundit në Maqedoni e që çoi edhe në anulimin e vendimit të opozitës për të bojkotuar zgjedhjet lokale.

Por, përbërja e këtij komisioni me njerëz partiak ka shkaktuar reagime të ndryshme në mesin e ekspertëve për çështje juridike.

Ata, thonë se komisioni vështirë se do të arrijë të zbardh ngjarjet në Kuvend dhe konkluzionet e tij nuk do të dallojnë nga ato të komisioneve të mëparshme anketuese për çështje tjera.

Do të ishte mirë që komisioni të përbehej nga njerëz që nuk kanë qenë pjesëmarrës në ngjarjet në Kuvend. Në rastin konkret, dy anëtarë të komisionit janë deputet të partisë në pushtet dhe mendoj se ky fakt e vënë në pikëpyetje punën objektive dhe të paanshme të këtij komisioni. Për këtë rast duhet të formohet një komision i ekspertëve, i personaliteteve të pavarura, të cilët, do të hetonin ngjarjen nga pozicioni neutral".

"Në situatën e krijuar shpresoj që të paktën kryetari i komisionit të zgjidhet një person që do të kishte ekspertë i fushës dhe i pranueshëm nga të gjithë që të mund të ndikonte në punën e komisionit për miratimin e konkludimeve që do të përshkruanin realisht atë që ka ndodhur në Kuvend”, thotë Margarita Caca Nikollovksa, eksperte juridike dhe ish-gjykatëse në gjykatën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Edhe Mersel Bilalli, profesor dhe ish drejtues i komisionit për ngjarjet e vitit 1997 në Gostivar, nuk pret shumë nga puna e Komisionit.

Objektivisht nuk është lehtë që komisioni hetimor, i cili përbëhet nga struktura të drejtpërdrejta partiake që të gjej një zgjidhje racionale dhe objektive. Megjithatë, kjo dukshëm do të varet se kush do të jetë kryetar i komisionit që do të ketë besimit e të dyja palëve dhe cili do të jetë qëndrimi i tij, se a do të ketë presione ndaj tij e kështu me radhë".

"Por, besoj se edhe puna e këtij komisioni do të përfundoj me ndonjë konkluzion politik të balancuar, do të ketë një përshkrim të ngjarjeve ku objektivisht të dyja palët do të bëhen fajtore”, thotë Bilalli.

Në fakt, komisioni duhet të hetojë se kush ishte fajtor për incidentet që ndodhën më 24 dhjetor në Kuvend, kur deputetët opozitarë u dëbuan me forcë nga sigurimi pasi për disa ditë kishin bllokuar punën për miratimin e buxhetit për këtë vit.

Pas kësaj, opozita u largua nga Kuvendi dhe nisi protestat në rrugë për të kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Kriza politike u amortizua me arritjen e marrëveshjes më ndihmën e komisionerit Shtefan Fyle, e cila, parasheh komisionin hetimor dhe nisjen e bisedimeve për zgjedhjet parlamentare pas përfundimit të zgjedhjeve lokale më 24 mars.

Por, lidhur me këtë të fundit, partitë kanë dalë me interpretime të ndryshme, që sipas analistëve, do të shkaktojnë përplasje të reja pas zgjedhjeve lokale.
XS
SM
MD
LG