Ndërlidhjet

Maqedoni-Greqi: Pritet presion ndaj palëve


Protestë e mëhershme në Shkup kundër negociatave me Greqinë për çështjen e emrit.
Protestë e mëhershme në Shkup kundër negociatave me Greqinë për çështjen e emrit.
Një ditë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale të së dielës, ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimic, do të takojë në Nju Jork, negociatorët e Maqedonisë dhe Greqisë, për të rinisur procesin e negociatave për zgjidhjen e çështjes së emrit.

Detaje rreth agjendës së këtij takimi nuk janë dhënë, por duke marrë parasysh edhe raportin që po përgatitet për Maqedoninë nga ana e Komisionit Evropian, ekspertët për çështje ndërkombëtare, presin pranverë intensive në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian.

Duke komentuar bisedimet, ish-diplomati Dimitar Mirçev, nuk përjashton mundësinë që ndërmjetësi Metju Nimic të dalë me një propozim të ri për kontestin, pa zgjidhjen e të cilit nuk do të mund të ketë anëtarësim në BE.

Propozimi më i përfolur periudhën e fundit ka qenë “Republika Veriore e Maqedonisë”, por bisedimet thuhet të kenë ngecur në çështjen që kanë të bëjnë me definimin e gjuhës dhe të identitetit.

“Mendoj se qëndrimet janë të kristalizuara pasi zoti Nimic është i vetëdijshëm dhe shumë mirë i dinë qëndrimet e palëve dhe pistat ku duhet të përqendrohet. Kështu që mund të pritet ndonjë propozim shumë më produktiv sa nga ata të deritashmit. Një propozim i tillë do të ishte edhe një bazë e mirë për finalizimin apo përparimin e palëve në bisedime”, thotë Mirçev.

Ai beson se pas konsultimeve që do të ketë në Nju Jork me negociatorët, Nimic sërish do të vizitojë Maqedoninë dhe Greqinë.

Nga ana tjetër, Ismet Ramadani, nënkryetar i Këshillit Euroatlantik, thotë se palët mund edhe të mos jenë të interesuara për zgjidhjen e problemit, por, sipas tij, ato do të jenë të detyruara për një gjë të tillë, për shkak të presionit nga jashtë, në veçanti nga SHBA-ja dhe BE-ja.
Mund të pritet një presion më i qartë edhe ndaj Maqedonisë, edhe ndaj Greqisë.

“Mund të pritet një presion më i qartë edhe ndaj Maqedonisë, edhe ndaj Greqisë. Bisedimet do të hyjnë në binarët e konkretizimit të çështjeve kontestuese, por, në këtë rast, kryeministri Nikolla Gruevski, do të jetë në pozicion shumë më të rëndë për shkak se me veprimet dhe deklarimet e tij gjatë këtyre viteve ka shkuar shumë larg në zënkat me Greqinë. Dhe, në momentin kur do të duhet të pranojë kompromisin, Gruevski do të gjendet para aktit që të vendosë ose ndryshimin e emrit ose pushtetin”, vlerëson Ramadani, duke shtuar se ndërkombëtarët dëshirojnë zgjidhjen e këtij problemi që do t'i kontribuonte forcimit të paqes dhe stabilitetit në rajon.

Paralelisht me përgatitjet për takimet në Nju Jork, pala maqedonase po bën përpjekje për marrjen e vlerësimeve pozitive në raportin pranveror të Komisionit Evropian.

Malinka Ristevska nga Instituti i Politikave Evropiane, thotë se me rëndësi është që ky raport të jetë pozitiv në aspekt të përmbushjes së kritereve për anëtarësim, që të mos ndërlikojë edhe më shumë procesin e integrimit krahas çështjes së emrit.

Ajo thotë se po bëhet gjithçka për të tërhequr maksimumin nga pesë pikat e udhërrëfyesit me qëllim që para Këshillit Evropian të paraqitet raport sa më pozitiv, i cili do të mundësonte ruajtjen e rekomandimit për Maqedoninë.

“Raporti nuk do të përmbajë shenjën pozitive apo negative, por, ai do të konstatojë gjendjen reale dhe është shumë me rëndësi se çka do të jetë në planin e parë. Çështja është se si raporti do të kalojë te shtetet tjera anëtare, në veçanti për faktin se Greqia do të shfrytëzojë të gjithë elementët e mundshëm negativ që të tregojë se gjoja ajo nuk e bllokon procesin, por mungesa e përmbushjen së kritereve nga ana e Maqedonisë”, thekson Ristevska.
XS
SM
MD
LG