Ndërlidhjet

Maqedoni: Mesazh i qartë nga Ashton


Pamje nga Shkupi
Partitë politike që janë pjesë e koalicionit qeveritar kanë përshëndetur raportin e progresit të Brukselit për Maqedoninë, duke theksuar se në të konfirmohet angazhimi i paluhatur i autoriteteve të shtetit për t’u bërë pjesë e strukturave euroatlantike.

Opozita në deklarimet e së martës të komisarit Shtefan Fyle dhe baroneshës Ashton sheh kritika të qarta që i bën Brukseli Shkupit, sa i përket mospërmbushjes së obligimeve të përcaktuara në kuadër të dialogu të lartë.

Sekretari i përgjithshëm i partisë më të madhe në opozitë, LSDM, Andrej Petrov, thotë se sfidë për vendin mbetet mungesa e dialogut politik për çështjet e ndjeshme që janë me interes për të ardhmen e Maqedonisë, përfshirë këtu dhe çështjen e emrit.

“Ne jemi të gatshëm që të marrim pjesë në komisionin, i cili duhet të zbardhë ngjarjet e 24 dhjetorit, të nënshkruajmë memorandumin për euro-integrime, por besoj se të gjitha këto nuk janë dhe aq të mjaftueshme për të demonstruar dialog të mirëfilltë politik”, thotë Petrov.

Ndërkaq, partia shqiptare në pushtet, BDI, konsideron se u dha mesazh i qartë për hapërimin e sigurt që bën Maqedonia në funksion të integrimit në strukturat euroatlantike.

“BDI-ja përshëndet dhe mirëpret edhe raportin e komisarit Fyle, edhe vizitën e djeshme të baroneshës Ashton. Që të dyja këto akte, në fakt, janë demonstrim i vullnetit dhe përkushtimit të madh që kanë zyrtarët evropianë për ta parë Maqedoninë sa më parë si pjesë e familjes së madhe evropiane“, shprehet deputetja e BDI-së Ermira Mehmeti-Devaja.

Ajo thekson se mesazhi i qartë i baroneshës Ashton se çështja e emrit duhet mbyllur sa më shpejt, duhet komentuar me kujdes, veçanërisht nga politikanët shqiptarë për të mos lënë hapësirë për keqinterpretime të mundshme në këtë fazë delikate, në të cilën hyn vendi.

“Mbyllja e këtij kontesti apo avancimi i këtij kontesti, mbetet përgjegjësi e madhe e partive politike maqedonase. Sa më shumë partitë politike shqiptare ose përfaqësues politikë shqiptarë, me qëllime të mira, të bëjnë thirrje për zgjidhje të kontestit, për qëllime të caktuara ato thirrje zakonisht, pothuajse me automatizëm interpretohen në një frymë të gabuar, gjegjësisht keqinterpretohen”, thekson Mehmeti-Devaja.

Ndërkohë, partia maqedonase në opozitë, ripërsërit qëndrimin se gjithçka që do të jetë e pranueshme për VMRO DMNE-në, që drejtohet nga kryeministri Nikolla Gruevski, do të ketë mbështetje absolute edhe nga opozita maqedonase.

“Mendoj se një mbështetje më të madhe për pushtetin, asnjë opozitë ndaj Qeverisë nuk ka demonstruar”, thotë prerazi Andrej Petrov nga LSDM-ja në opozitë.

Lideri i Lidhjes Demokratike, parti kjo që particion në Qeverinë Gruevski, thotë se fajin për mungesën e dialogut politik të apostrofuar nga eurodeputetët, e kanë drejtuesit e partive politike që interesat personale i vendosin para atyre shtetërore.

“Marrëveshja e një marsit ndërmjet liderëve politikë të vendit, për dialog politik dhe ndriçimin e 24 dhjetorit, duhet të realizohet tërësisht, gjithashtu duhet të gjithë të fokusohen në obligimet e marra nga Brukseli si institucionet përkatëse ashtu edhe aktorët politikë, sepse alternativë tjetër për vendin nuk ka mbetur”, potencon Pavle Trajanov nga Lidhja Demokratike.

Ndryshe, krahas përparimit të vendit në raportin e progresit, eurokomisari Shtefan Fyle, ka theksuar rëndësinë e realizimit të marrëveshjes së një marsit, që përfshin dhe formimin e Komisionit që do të verifikojë faktet e ngjarjeve të 24 dhjetorit, nënshkrimin e një memorandumi të përbashkët nga të gjitha partitë politike parlamentare për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, si dhe avancimin e dialogut me gazetarët rreth miratimit të ligjit për mediat.

Ndërkohë, gjatë qëndrimit në Shkup, shefja për politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka përcjellë një porosi të qartë se zgjidhja e kontestit të emrit është çelësi kryesor që hap derën për anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe NATO.
XS
SM
MD
LG