Ndërlidhjet

Gjykatat, nën presion të politikës


Ndërtesa e Gjykatës në Shkup
Ndërtesa e Gjykatës në Shkup
Gjykatat në Maqedoni vazhdojnë të punojnë nën ndikimin e partive politike në pushtet, vlerësojnë ekspertët juridikë, duke komentuar rivotimin e sotëm në disa komuna në kuadër të zgjedhjeve lokale.

Në fakt, zgjedhjet në Strugë dhe Dollneti, ku garojnë kandidatët shqiptarë përballë atyre maqedonas dhe në komunën Qendër të Shkupit, ku në garë janë kandidati i partive opozitare maqedonase dhe ai partive në pushtet, mbahen për shkak të prishjes dy herë radhazi të procesit zgjedhor nga Gjykata Administrative, edhe pse rezultati i tyre ishte vërtetuar nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor.

Naser Zyberi, ekspert juridik dhe njohës i zhvillimeve politike, thotë se vendimet e tilla të Gjykatës, janë dëshmi e qartë se në Maqedoni nuk kemi pushtet gjyqësor të pavarur.

“Gjykatat në Maqedoni, apo në përgjithësi sistemi gjyqësor, duke përfshirë këtu edhe Prokurorinë, janë nën presion të drejtpërdrejt të politikës. Pushteti politik, Qeveria dhe Parlamenti kanë ndikim të drejtpërdrejtë në marrjen e vendimeve".

"Gjykata Administrative është shembulli më eklatant se si, me rastin e shqyrtimit të ankesave për zgjedhjet lokale, ndikimi i VMRO DPMNE-së, si partia kryesore në pushtet, krijoi në fakt vendimet e Gjykatës Administrative, pra, nuk kishim vendime të ekspertëve gjyqësorë, por direktiva të VMRO-DPMNE-së”, thotë Ziberi.

Ndërkohë, Trëndafil Ivanovski, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, thotë se me vendimet e këtilla kundërthënëse, Gjykata Administrative jo vetëm që është vënë në shërbim të pushtetit duke shkelur mbi pavarësinë dhe profesionalizmin, por ajo ka shkelur edhe mbi vullnetin e elektoratit dhe se vendime të tilla mund të merren edhe në të ardhmen.

“Mendoj se kjo gjykatë ka anashkaluar parimet juridike, nuk është udhëhequr nga parimet e sundimit të së drejtës, nuk ka gjykuar në bazë të ligjit, nuk i është përmbajtur Kushtetutës, por thjesht ajo është ndikuar nga partitë politike”, thekson Ivanovski.

Pushteti gjyqësor në vazhdimësi është në shënjestër të kritikave të bashkësisë ndërkombëtare, si në raportin e fundit të Komisionit Evropian, ashtu edhe në raportin më të ri të Departamentit të Shtetit Amerikan, i cili konstaton shkelje të lirive dhe të drejtave të njeriut edhe si rezultat i mungesës së pavarësisë dhe profesionalizimit të pushtetit gjyqësor.

Kjo gjendje, thotë Naser Zyberi, mund të përmirësohet vetëm me zbatimin e ligjit dhe ndarjen e drejtësisë për të gjithë njësoj, pavarësisht përkatësisë etnike të qytetarëve.

“Në Maqedoni, përveç që mungon profesionalizmi, përveç që kemi ndikim të drejtpërdrejtë nga politika, këtu kemi të bëjmë edhe me ndarje në baza etnike. Shpeshherë vendimet e Gjyqësorit janë të motivuara edhe mbi baza etnike. Dalja nga kjo situatë duhet të kërkohet vetëm me zbatimin me konsekuencë të ligjeve, në profesionalizimin e Gjyqësorit në përgjithësi dhe me zbatimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian”, vlerëson Zyberi.
XS
SM
MD
LG