Ndërlidhjet

Rishqyrtimi strategjik i sektorit të sigurisë


FSK
FSK

Forumi për Siguri, i cili është i përbërë nga katër organizata joqeveritare, të mërkurën ka prezantuar punimin “Procesi i hartimit të Strategjisë së re të Sigurisë së Kosovës – gjithëpërfshirja dhe transparenca”.

Ndërrimi i statusit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që me dokumentin e Ahtisarit është paraparë të rishikohet pesë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, si dhe përvoja me strategjinë aktuale të sigurisë së Kosovës, janë dy arsyet kryesore pse Forumi për Siguri e ka bërë punimin, është thënë në tryezën e organizuar nga ky forum.

Visar Rushiti nga Instituti për Studime të Avancuara “GAP”, i cili e ka prezantuar punimin, ka theksuar se duke iu referuar listës së strategjive dhe planeve të veprimit që i ka Qeveria e Kosovës, aty figuron se Strategjia e deritashme për Siguri, ka kaluar nëpër qeveri dhe ka shkuar në Parlamentin e vendit, por ajo askund nuk është bërë publike.

Sipas tij, në procesin e hartimit të Strategjisë së re të Sigurisë së Kosovës, organizatat e shoqërisë civile vlerësojnë se janë tri pika apo momente të rëndësishme: kohëzgjatja e procesit, gjithëpërfshirja dhe transparenca e procesit.

Rushiti ka theksuar se hartimi i Strategjisë së re të Sigurisë së Kosovës nuk duhet të jetë proces i shpejtë, por i gjatë dhe fleksibil, ku do të përfshihen të gjithë akterët e mundshëm.

“Gjithëpërfshirja është me rëndësi për të adresuar secili sfidat dhe brengat e sigurisë nga të gjitha palët në nivel vendi. Po ashtu, është shumë e rekomandueshme që angazhimet nga organizatat joqeveritare duhet të merren parasysh dhe të adresohen. Kësisoj, Strategjia e re e Sigurisë së Kosovës nuk duhet lënë vetëm një apo dy institucioneve për ta bërë, për ta shkruar atë, por duhet të ketë një përfshirje nga të tri degët e pushtetit në Kosovë, nga organizatat e shoqërisë civile, pjesë akademike në fushën e sigurisë dhe të tjerë që mund të mendojnë apo të dalin gjatë procesit dhe që mund të kontribuojnë për të”, ka thënë Rushiti.

Ai ka shtuar se një proces transparent i hartimit të strategjisë së re të Sigurisë së Kosovës, do të ndihmonte që të parandalohen, siç ka thënë ai, interesat e ndonjë ministrie individuale apo agjencive tjera nga dominimi i produktit final.

Ahmet Isufi, kryetar i Komisionit parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcave të Sigurisë së Kosovës, ka vlerësuar se analiza, e cila është bërë në punimin e prezantuar nga Forumi për Siguri, i është referuar nxjerrjes së strategjisë së re, si dhe vendimit 09/67 të Qeverisë së Kosovës për miratimin e nismës për rishikimin strategjik të sektorit të sigurisë.

Ahmet Isufi
Ahmet Isufi
“Hartimi i strategjisë nuk duhet të jetë pjesë e procesit të rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë, por vetë procesi është bazë e mirë dhe e domosdoshme për hartimin e strategjisë së sigurisë, sepse identifikon situatën aktuale, rreziqet e mundshme, kërcënimet, infrastrukturën ligjore dhe institucionale të sigurisë, bashkëveprimin dhe bashkërendimin në mes tyre karshi nevojave reale të Kosovës. Në fakt, kjo edhe ka qenë qasja në takimet e Komitetit drejtues. Pra, në fund të këtij procesi, pasi që të gjitha të gjeturat të miratohen, aprovohen, ne do të kemi një Strategji të re të Sigurisë”, është shprehur Isufi.

Ramush Tahiri, këshilltar i presidentes Atifete Jahjaga, ka theksuar se situata e tashme në Kosovë, është e ndryshme nga ajo kur ishte ndërtuar strategjia e mëparshme e sigurisë së Kosovës dhe kur në vend ishte e pranishme mbikëqyrja ndërkombëtare, ajo e UNMIK-ut dhe faktorëve tjerë.

Siç ëshët shprehur ai, tash, procesi për ndërtimin e strategjisë së re është plotësisht në duart e institucioneve të Kosovës dhe përkrahjes së tyre, si dhe me ndihmën e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes.

Ramush Tahiri
Ramush Tahiri
“Pra, ideja është që për herë të parë të mundohemi që t’i kalibrojmë institucionet e sigurisë me qëllimet tona strategjike dhe me politikat që i ndjekim. Domethënë, në debatin e parë, që marrim pjesë të gjithë, ani pse janë procese të ndara, duhet ta kemi parasysh edhe rishikimin e strategjisë, sepse vërejtjet që i bëjmë për rishikimin e strategjisë, ndikojnë në hartimin e strategjisë së ardhshme”.

“Gjithashtu, pasi që po bëjmë për herë të parë një debat të përgjithshëm, unë jam përkrahës i asaj që debati të jetë sa më i gjerë në strukturat e para të ndërtimit të strategjisë dhe të shohim sa më shumë elemente”, ka theksuar Tahiri.

Besa Kabashi - Ramaj, këshilltare e ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, ka theksuar se në procesin e normalizimit të shtetit të Kosovës, rishikimi strategjik i sektorit të sigurisë ka katër qëllime të përgjithshme.

Fillimisht, sipas saj, ai është një studim që pretendon të informojë dhe përkrahë Republikën e Kosovës në rishikimin e sektorit të sigurisë së saj në mënyrë konsistente me nevojat e saj legjitime të sigurisë.

Gjithashtu, ka thënë Kabashi - Ramaj, rishikimi ka për qëllim të përkrahë shtetin e Kosovës që të përdorë në mënyrë sa më efektive resurset, për shkak se resurset janë të limituara.

“Ky proces ka për qëllim të japë një udhëzim strategjik për zhvillimin e politikave të sigurisë, sidomos për sektorin e sigurisë në të ardhmen. Dhe, e fundit gjë që e qartëson edhe njëfarë paqartësie ndërmjet rishikimit dhe strategjisë, është që rishikimi ka për qëllim që të informojë krijimin dhe rafinimin adekuat të Strategjisë së Sigurisë së Republikës së Kosovës”, ka thënë Kabashi - Ramaj.

Ndryshe , Forumi për Siguri ka ofruar një varg rekomandimesh për institucionet e vendit lidhur me hartimin e Strategjisë së re të Sigurisë së Kosovës, rekomandime këto të cilat janë ofruar të botuara në punimin e publikuar të mërkurën.

Ndërkaq, zyrtarët e Ministrisë së FSK-së kanë paralajmëruar se hartimi i Strategjisë së re mund të fillojë vetëm pas janarit të vitit 2014, pasi që të arrijnë të gjitha rekomandimet për të.
XS
SM
MD
LG