Ndërlidhjet

Kosova nuk ka marrëveshje ekstradimi me Maqedoninë


Halil Demiri and Afrim Ismailoviq
Halil Demiri and Afrim Ismailoviq
Nga Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë nuk përjashtojnë mundësinë e ndërlikimit të procesit të ekstradimit të dy personave të arrestuar kohë më parë në Prishtinë, lidhur me vrasjen e pesëfishtë në afërsi të Liqenit të Smilkovcës në Shkup.

Ministri i Drejtësisë, Blerim Bexheti, thotë për Radion Evropa e Lirë, se ende nuk është konfirmuar nëse Halil Demiri dhe Afrim Ismailoviq kanë edhe shtetësi të Kosovës. Por, nëse kjo është e vërtetë, atëherë ekstradimi i tyre vështirësohet për shkak se marrëveshja për ekstradim e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës, nuk parasheh edhe këmbimin e personave të shteteve përkatëse nëse bëjnë vepra penale në territorin e shtetit tjetër.

“Ka marrëveshje për ekstradim, por atë kohë kur është nënshkruar marrëveshja, në Maqedoni nuk ka pasur ndryshim të amendamentit kushtetues për shkëmbim të shtetasve të vet dhe faktikisht kjo, në këtë periudhë, mund të paraqesë hendikep për bashkëpunim”, thotë Bexheti.

Deklarata e ministrit të Drejtësisë vjen një ditë pas asaj të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hajredin Kuçi, për agjencinë maqedonase të lajmeve “SETimes” se dy shtetasit e Maqedonisë të ndaluar në Prishtinë kanë edhe shtetësi të Kosovës.

“Kosova nuk i ekstradon shtetasit e saj. Dy personat, për të cilët bëhet fjalë, janë shtetas të Kosovës”, kishte deklaruar Kuçi.

Ministri i Drejtësisë, Blerim Bexheti, thekson se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet kosovare për rastin në fjalë, por nga informacionet jozyrtare të Bexhetit, shtetasit e Maqedonisë të ndaluar në Prishtinë, të dyshuar për veprën në Smilkovcë të Shkupit, të njohur si rasti “Monstra”, dyshohen edhe për një vepër tjetër në Kosovë, atë të armëmbajtjes pa leje.

“Nga informacionet jozyrtare që i kemi, ata kanë një vepër penale në Prishtinë, për armëmbajtje pa leje. Mirëpo, do të presim njoftimin zyrtar nga ana e Ministrisë së Drejtësisë të Kosovës dhe nëse është kështu, atëherë gjithsesi se për atë vepër penale do të ndiqen të gjitha procedurat në Prishtinë dhe më pas institucionet dhe gjyqet e atjeshme do të shqyrtojnë kërkesën tonë”, thekson Bexheti.

Ndërkohë, edhe ekspertët e drejtësisë thonë se ekstradimi i dy personave në fjalë nuk mund të bëhet nëse kjo nuk është e rregulluar me marrëveshje dypalëshe.

Osman Kadriu mendon se për mbylljen e këtij problemi duhet që dy vendet të arrijnë marrëveshje të re.

“Ky problem duhet të zbërthehet në nivel më të lartë, domethënë në nivel të ministrisë, në nivel shtetëror dhe të arrihet marrëveshja meqenëse kohëve të fundit ka tendenca në gjithë Evropën që të lidhen marrëveshje të këtilla dypalëshe për ekstradimin e qytetarëve për vepra të rënda penale që të përgjigjen para organeve të shtetit konkret”, vlerëson Kadriu.

Ai hedh dyshime edhe mbi tërë procesin gjyqësor që po zhvillohet në Maqedoni, duke e quajtur madje edhe të montuar, pasi, sipas tij, organet kompetente kanë shkelur të gjitha afatet e mbajtjes së të dyshuarve në paraburgim.

“Ata me pretekstin se janë të dyshuar, mbahen në paraburgim që zgjat jashtë çdo norme juridike, jashtë çdo afati ligjor, që faktikisht paraburgimi i tyre është shndërruar në vuajtje të dënimit”, shprehet Kadriu.

Lidhur me vrasjen e pesë të rinjve maqedonas në prill të vitit të kaluar akuzohen 6 persona për veprën penale terrorizëm, katër prej tyre tashmë një vit ndodhen në paraburgim në Maqedoni, ndërsa dy të tjerët, Halil Demiri dhe Afrim Ismailoviq, të cilët, sipas Prokurorisë janë edhe autorët e vrasjes ndodhen në paraburgim në Kosovë.
XS
SM
MD
LG