Ndërlidhjet

Erdogani varet nga mbështetja e “banorëve të lagjes”


Sheshi Taksim
Sheshi Taksim
Glenn Kates

Rreth dy kilometra larg Sheshit “Taksim” të Stambollit, skenës së protestave të fundit antiqeveritare, kërcitja e figurave të lojës “Yuzbir” konkurron vetëm me zhurmën e trafikut.

Njerëzit në lagjen “Kasimpasha” thonë se atje nuk ka ndonjë ndryshim. Recep Tayyip Erdogan është rritur në këtë lagje të Stambollit dhe banorët lokalë thonë se standardi i tyre i jetesës është përmirësuar shumë nën udhëheqjen e Erdoganit si kryeministër.

Janë njerëzit si këta në këtë lagje - ku opinioni popullor mbështetet në fe, traditë detare dhe ekipin lokal të futbollit - në të cilët Erdogan ka llogaritur se do të dominojnë në zgjedhjet e kaluara.

Ai mbështetet në njerëz të tillë për të siguruar një mburojë, kundër pakënaqësisë në rritje të grupeve, të cilat thonë se interesat e tyre injorohen nga Erdogani dhe Partia e tij për Zhvillim dhe Drejtësi - AKP.

Barcin Yinanc, redaktore në gazetën “Hurriyet Daily News”, shpjegon ndarjen ndërmjet votuesve:

“Është pikërisht kjo ajo që e bën atë aq arrogant. Nuk e di nëse protestat do të kenë pasoja në zgjedhjet e ardhshme, sepse personalisht jam e bindur se ka një elektorat shumë të fortë. Por, 50 përqindëshi tjetër që nuk ka votuar për AKP-në, është i ndarë”.

Një seri e propozimeve të fundit, për të cilat demonstruesit laikë thonë se kanë kaluar vijën e ndeshjes së Islamit me çështjet shtetërore, janë pritur me kundërthënie në “Kasimpasha”.

Edhe mbështetësit e patundur të Erdoganit atje, kritikojnë trajtimin e tij të krizës së vazhdueshme politike.

Bilo, i cili refuzon të tregojë mbiemrin, thotë se Erdogan ka qenë shumë i ngutshëm, kur ka bërë ndryshime në traditën politike sekulare të Turqisë.

“Kur flisni për fetë, kjo është e drejtë, ne jemi myslimanë. Por, secili ka mendimin e vet”, thotë Bilo.

Një tjetër banor, Bada, 26 vjeç, thotë se mbështet Erdoganin me gjithë zemër. Por, pranon se qeveria duhet të tregojë më shumë mirëkuptim për “brezin e ri”.

Para se të nisej në një udhëtim katërditor në Afrikën e Veriut, Erdogan i ka cilësuar pjesëmarrësit në demonstrata si “plaçkitës” dhe “vagabondë” - një kontrast i thellë me gjestet pajtuese, të ofruara nga zëvendëskryeministri Bulent Arinc dhe presidenti Abdullah Gul.

Remzi Kibar
Remzi Kibar
Remzi Kibar, një nënë e pesë fëmijëve me shami të mbështjellë rreth kokës, hedh krejt fajin mbi protestuesit.

“Jam e zemëruar me ta, sepse kanë thyer dritare dhe vandalizuar gjëra. Jam e zemëruar. Nëse keni diçka për të thënë, ju mund të uleni dhe të bisedoni”, thotë Kibar.

Edhe pse demonstruesit kanë mbetur kryesisht paqësorë, disa kanë thyer dritaret e bizneseve të lidhura me qeverinë. Zona përreth Sheshit “Taksim” është e mbuluar tani me grafite antiqeveritare.

Kur kujton se ankesë e rëndomtë e aktivistëve kundër Erdoganit është se kryeministri refuzon të shqyrtojë shqetësimet e tyre, Kibar, 60 vjeçe, jep këtë arsye:

“Kryeministri është i zënë dhe në udhëtim. Përveç kësaj, zëvendësi i tij tashmë ka kërkuar ndjesë”.(v. tela)
XS
SM
MD
LG