Ndërlidhjet

Ndërmjetësimi zbarkon gjykatat, por s’zbatohet


Ilustrim
Ilustrim
Institucioni i ndërmjetësimit, si mekanizëm për lehtësimin e kontesteve gjyqësore mes personave civil edhe pse është rregulluar me ligj që nga viti 2006 nuk arrin të gjejë zbatim praktik në Maqedoni.

Organizatat e ndryshme, që synojnë të promovojnë këtë mekanizëm në mesin e qytetarëve, theksojnë se duke mos u zbatuar ndërmjetësimi si mekanizëm juridik, fillimisht humbasin qytetarët, të cilët mund të kursejnë kohë dhe mjete.

Gjithashtu humbasin edhe personat, të cilët kanë ekspertizën e tyre si mediatorë gjyqësorë, dhe këtë nuk arrijnë ta praktikojnë në ushtrimin e detyrës së tyre.

“Është e njohur se gjykatat në Maqedoni janë shumë joefikase, zgjidhja e lëndëve të caktuara ngaherë prolongohet me vjet, që bën të humbet dhe kuptimi në më shumë raste kur bëhet fjalë për disa konteste të caktuara. Pikërisht për këtë startuam projektin për të promovuar ndërmjetësimin, financuar nga ambasadat e huaja që t’i informojmë qytetarët rreth përparësive që ka ky mekanizëm juridik”, shprehet Vllado Dimovski, nga sektori civil.

Ndërkaq, ministri i Drejtësisë, Blerim Bexheti, thotë se Qeveria e Maqedonisë është koshiente se zbatimi praktik i mediacionit has në më shumë probleme, andaj dhe synon që përmes subvencionimit të një pjese të kohës së mediatorëve që do të kalojnë me palët, shpenzimet t`i mbulojë shteti.

“Qeveria në fillim të vitit 2013, solli vendim për subvencionimin e katër orëve të para të ndërmjetësimit në lëndë, para nisjes së kontestit gjyqësor, me qëllim të stimulimit të qytetarëve për ta provuar ndërmjetësimin dhe t’i shijojnë përfitimet nga tejkalimi i marrëdhënies kontestuese përmes ndërmjetësimit”, sqaron Bexheti.

Ai thekson se Qeveria e Maqedonisë përmes një plani pesëpikësh, synon të vërë në funksion zbatimin praktik të përdorimit të mekanizmit të ndërmjetësuesit edhe atë përmes “ rritjes së cilësisë së shërbimeve të ndërmjetësimit, avancimit dhe zbatimit të kornizës juridike dhe institucionale për ndërmjetësim, ngritjes së kapacitetit dhe rolit të Odës së Ndërmjetësuesve, rritjes së koordinimit ndërmjet gjitha palëve të përfshira në procesin e ndërmjetësimit dhe në fund informimin dhe komunikimin e vazhdueshëm me opinionin për të promovuar këtë mekanizëm që çon kah realizimi i të drejtave të qytetarëve përmes një rruge më të shkurtër dhe shumë më pak të kushtueshme.

Gjykatësit janë të obliguar edhe me ligjin e procedurës civile që çdo herë t’i informojnë dhe t’u japin mundësi palëve që të shkojnë në mediacion në një afat prej 45 ditësh në qoftë se ka mundësi që lënda të zgjidhjet në atë mënyrë.

Pas kësaj palët duhet ta informojnë gjykatën nëse është arritur ujdi me styre ose jo dhe gjykatësi në këtë rast vetëm e verifikon se është arritur marrëveshja dhe ajo llogaritet si lëndë e kryer.

“Gjykatësi verifikon lëndën sikur të ishte zgjidhur, gjegjësisht është e kryer nga ana e gjyqit dhe ka të njëjtën peshë dhe vlerë pra e njëjta është e plotfuqishme në aspektin juridik. Mirëpo për të funksionuar kjo formë e zgjidhjes së kontestit, lënda me të hyrë në gjykatë, përfaqësuesit e gjykatave gjegjësisht gjykatësi që është i angazhuar në lëndën e caktuar, duhet t`u sqarojnë palëve esencën e mediacionit apo ndërmjetësimit, parimet kryesore në të cilat bazohet meditacioni".

"Gjithashtu edhe përparësitë që ka ndaj procedurës gjyqësore, para së të gjithash shpejtësinë, me të cilën mund të zgjidhet një kontest, besueshmërinë dhe konfidencialitetin , dhe veçanërisht koston e ulët ekonomike kur përdoret mediacioni si mjet juridik për të realizuar një të drejtë”,
thekson Luan Sinani, avokat, duke shtuar se në të shumtën e rasteve gjykatësit hezitojnë t`i informojnë palët me mundësinë e shfrytëzimit të ndërmjetësimit edhe pse janë të obliguar me ligj.

Sipas Luan Sinanit, njohës i çështjeve juridike, kjo është dhe arsyeja kryesore pse qytetarët janë shumë pak të njohur me këtë mekanizëm juridik që është në funksion të realizimit të interesave të tyre.

Nga ana tjetër Vllado Dimovski nga sektori civil sqaron se praktikimi i ndërmjetësimit në vendet evropiane, ka kontribuar në aspektin që palët që kanë kontest të pazgjidhur mes veti, veçanërisht ata të cilët kanë të bëjnë me çështjet e pazgjidhura pronësore ose afariste edhe pas kësaj periudhe pra procesi të përfundojë, të mbeten në relacione të mira.

“Sipas një hulumtimi që kemi realizuar ekziston një vullnet shumë i theksuar te qytetarët që mos shkojnë fare në gjyq, por kontestet e caktuara t’i zgjidhin përmes mekanizmit të ndërmjetësimit pasi ne t`i kemi informuar se edhe pas zgjidhjes së kontestit juridik, ata kanë më shumë mundësi që të mbeten në marrëdhënie më të mira familjare ose afariste ngase gjatë zgjidhjes së lëndëve, duke përdor mekanizmin e ndërmjetësimit, nuk bëhet ndërprerje absolute e marrëdhënieve ndërmjet palëve, por është gjetur mënyra e zgjidhjes që ata të ngelin përsëri në marrëdhënie të mira”, shprehet Dimovski.

Do theksuar se edhe kundrejt përparësive të shumta që ka kjo alternativë e zgjidhjes së kontesteve gjyqësore, përsëri ndërmjetësimi edhe pse i rregulluar me ligj, për më shumë se gjashte vite, mbetet rruga më pak e shfrytëzuar , ndërkohë që hedhja e lëndëve në gjykatë mbetet si alternativë e vetme për qytetarët e Maqedonisë, të cilët dëshirojnë të zgjidhin një kontest të caktuar.
XS
SM
MD
LG