Ndërlidhjet

Migrimi dëmton procesin e liberalizimit të vizave


Ilustrim
Ilustrim
Rritja e numrit të kosovarëve që migrojnë drejt vendeve të perëndimit për të kërkuar azil, javëve të fundit është rritur ndjeshëm.

Këtë e kanë konfirmuar edhe zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, të cilët vlerësojnë se ky është një fenomen, që është vështirë të shpjegohet, për faktin se vitet e fundit numri i personave që kanë migruar nga Kosova ka qenë në rënie të dukshme.

Besnik Vasolli, koordinator teknik për liberalizim të vizave në Ministrinë e Integrimeve, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se aktualisht në Hungari po qëndrojnë rreth 4 mijë kosovarë, të cilët kishin mësyrë vendet perëndimore për të kërkuar azil, por që ishin ndaluar nga autoritetet hungareze.

Ai ka shtuar se autoritetet kosovare janë duke biseduar me autoritetet hungareze për ti riatdhesuar të gjithë këta persona.

Vasolli ka thënë se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për lirinë e lëvizjes, duket se ka qenë shkak që qytetarët të mashtrohen nga kontrabanduesit, të cilët u kanë premtuar se do t’i dërgojnë në vendet e perëndimit.

Mënyra e cila u është ofruar, siç duket, ka qenë që, tashmë pasi që kemi një marrëveshje me Serbinë për liri të lëvizjes, të qarkullojnë në mënyrë legale, me letërnjoftim, prej Kosovës në Serbi. Pastaj, të kufiri ose kudo diku në territorin serb, t’i marrin kontrabanduesit dhe t’i kontrabandojnë përtej kufirit serbo-hungarez. Kjo, siç duket ka ndodhë dhe për këtë arsye është ky numër i madh i personave që kanë migruar ilegalisht vërehet në javët e fundit”, ka thënë Vasolli.

Ai ka shtuar se qytetarët e Kosovës janë informuar me kohë se nuk mud të kërkojnë azil në vendet evropiane dhe më gjerë, për faktin se Kosova nuk është më një vend në rrezik apo i rrezikshëm për çfarëdo bashkësie apo komuniteti të njerëzve.

Emrush Ujkani, njohës i të drejtës së Bashkimit Evropian, vlerëson se tentimi i qytetarëve të Kosovës për të migruar dhe kërkuar azil është një veprim i kotë për faktin se një gjë e tillë tashmë është i pamundur, por, sipas tij, megjithatë, shkaku i këtij fenomeni duhet të merret parasysh seriozisht nga institucionet e Kosovës.

“Vërtetë, situata e rëndë ekonomike dhe në njëfarë mënyre, jo alternativa që u është lënë një pjesë të madhe të qytetarëve të Kosovës, i shtynë ata të ndërmarrin veprime, të cilat, realisht, në fund të ditës, me të drejtë thuhet që janë të pa arsyeshme dhe janë veprime, të cilat nuk janë premtuese".

"Nuk janë aspak premtuese për faktin se në aspektin institucional, Kosova tashmë ka nënshkruar marrëveshje për riatdhesim me shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian, në kuadër të asaj që është kornizë për të ecur në procesin e liberalizimit të vizave”, u shpreh Ujkani.

Në anën tjetër, migrimi jolegal është një nga problemet apo sfidat më të mëdha për procesin e liberalizimit të vizave.

Vasolli theksoi se migrimi jolegal dhe rritja e numrit të azilkërkuesve e cenon rëndë procesin e liberalizimit të vizave.

Kjo është bërë e ditur jo vetëm për ne, por edhe për shtete tejra. Ju e dini që tashmë ka një diskutim në nivel të Parlamentit Evropian për shtete anëtare të BE-së, për t’i kthyer vizat për të gjitha ato shtete, të cilat keqpërdorin me liberalizim të vizave dhe pritet që në muajt në vijim në Bruksel, ky debat të intensifikohet. Kështu që, është e vërtetë që migrimi ilegal, azil kërkimi, jan kancer për procesin e liberalizimit të vizave”, tha Vasolli.

Mendim të ngjashëm ka edhe Ujkani, i cili vlerësoi se shtimi i numrit të migruesve nga Kosova drejt perëndimit është një sinjal tejet i keq për vendet e Bashkimit Evropian.

Sa i përket dëmtimit apo shfaqjes së pengesave në ecjen përpara në liberalizimin e vizave për Kosovën, realisht kjo është diçka shumë shqetësuese dhe do ta pengojë procesin, për arsye se, përkundër faktit që institucionet e Kosovës kanë arritur dhe kanë nënshkruar marrëveshje me vendet anëtare të BE-së".

"Kanë marrë përsipër edhe atë që t’i zbatojnë politikat përkatëse, që ndërlidhen me procesin e liberalizimit, duke pasur parasysh edhe udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave me BE-në. Do të thotë, nuk po arrihet të krijohet një qëndrueshmëri, qoftë politike edhe ekonomike, që qytetarët e vet të jenë dhe të ndihen rehat në vendin e tyre”, tha Ujkani.

Ndryshe, Vasolli ka theksuar se institucionet qeveritare janë duke bërë fushatë vetëdijesimi për të parandaluar migrimin e qytetarëve të Kosovës.

Për ta luftuar këtë fenomen, sipas tij, janë duke u ndërmarrë edhe masa me institucionet e ligjit, për shkak se personat që mundësojnë këtë fenomen, janë elementë të krimit të organizuar.

Por, sipas tij, masa kryesore për parandalimin e këtij fenomeni është zhvillimi ekonomik i vendit dhe hapja e vendeve të reja të punës, ndonëse ky është një prioritet afatgjatë, për realizimin e të cilit, po ashtu, do të nevojitet kohë e gjatë.
XS
SM
MD
LG