Ndërlidhjet

Maqedoni: Gjykatat punojnë në formë selektive


Ilustrim
Ilustrim
Vendimet e sjella në afat rekord të gjykatave në rastet kur si palë e dëmtuar paraqitet shteti ose udhëheqës të lartë të Qeverisë, kanë rritur edhe më shumë dyshimet se sistemi gjyqësor vepron në formë selektive. Ai i tillë, ky veprim i gjykatave, dëshmon se të gjithë qytetarët nuk janë të njëjtë para ligjit, theksojnë ekspertët juridikë.

Margareta Caca - Nikollovska, ish - gjykatëse në Strazburg, thekson se shqiptimi i dënimit ndaj liderit të partisë maqedonase në opozitë PRSD-së (Partia e Re Social Demokrate), Tito Petkovski, nën akuzën se ka shpifur ndaj kryeministrit Nikolla Gruevski, se ky i fundit ka qenë i gatshëm të ndryshojë emrin në samitin e Bukureshtit me 10 mijë euro, dhe në anën tjetër, stërzgjatja e seancave gjyqësore më shumë se dy vite ndaj ministrit të Financave, Zoran Stavreski, i cili akuzohet nga OJQ “Për Maqedoni Evropiane”, flet qartë se gjykatat aplikojnë standarde të dyfishta.

“Tashmë është e fshehtë publike se shumë shpejt merren vendime gjyqësore kur si palë, e cila është e dëmtuar, paraqitet shteti ose ndonjë zyrtar shtetëror dhe e kundërta, veçanërisht kur duhet të zhdëmtohet materialisht ndonjë palë nga mjetet e buxhetit shtetëror, atëherë lëndët prolongohen me vjet”, thotë ajo.

Caca - Nikollovska, eksperte për çështje juridike, thekson se kjo edhe më shumë rrit mosbesimin e qytetarëve ndaj institucionit që duhet të paraqesë garanci për sundimin e drejtësisë.

Nga ana tjetër, Osman Kadriu, nga Fakulteti Juridik në USHT, thotë se të vepruarit në formë selektive, dukuri kjo që atakon sundimin e së drejtës, rrënjët i ka në mungesën e të kërkuarit përgjegjësi nga ana e gjykatësve.

“Më duhet të theksoj se çështja e përgjegjësisë në jurisprudencën e Maqedonisë mungon, mekanizmat e përgjegjësisë mungojnë, meqenëse me rregullimin e ri të jurisprudencës në të dy pushtetet që i takojnë pushtetit gjyqësor, edhe në prokurori edhe në gjyqësor, ne kemi organe të veçanta, të cilat janë kompetente për të përcjellë punën e gjykatësve".

"Pra, si në rastet kur dyshohet se kemi të bëjmë me raste konkrete ku shkelet norma juridike, ata kanë të drejtë të ngrenë procedurë për përgjegjësinë e tyre duke përfshirë dhe masën më të rreptë - shkarkimin nga posti, gjyqtarë, prokurorë ose kryetarë gjykate, por kjo te ne nuk ndodh”
, thekson Kadriu, ekspert për çështje juridike.

Ndërkohë, për ish-gjykatësen e Strazburgut, Margarita Caca - Nikollovska, më e keqja qëndron në faktin se veprimi selektiv i gjykatave vështirë se mund të dëshmohet.

“Zgjedhja e gjykatësve , shkarkimi i tyre nga detyra, vlerësimi i punës së kryer të gjykatësve etj, të gjitha këto kritere në masë të caktuar janë vënë në një pikëpyetje të madhe për dy arsye, e para ose ata fare nuk ekzistojnë në institucione të caktuara ose e dyta - të njëjtat interpretohen varësisht interesave të qarqeve të caktuara”, thekson Caca -Nikollovska.

Ekspertët juridik janë të mendimit se nuk është e mjaftueshme vetëm të ndryshohen ligjet duke e harmonizuar legjislacionin e vendit me atë të BE-së, por duhet ndryshuar mendësia e veprimit në sistemin gjyqësor dhe për këtë para së gjithash nevojitet vullnet politik.
XS
SM
MD
LG