Ndërlidhjet

Maqedoni: Çeshtja e emrit në raportet ndëretnike


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi
Dallimet e mëdha që ekzistojnë mes partive në pushtet për çështjen e emrit mund të reflektohen negativisht në raportet ndëretnike në vend duke marrë parasysh faktin se partitë në vazhdimësi i kanë keqpërdorur këto marrëdhënie, varësisht interesit të tyre politik.

Kështu vlerësojnë drejtuesit e organizatave joqeveritare duke komentuar qëndrimet e kundërta mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së lidhur me kontestin e emrit nga zgjidhja e të cilit varet procesi eurointegrues i Maqedonisë.

“Ka shumë shembuj që dëshmojnë se tek ne nuk udhëhiqet politikë e sinqertë për uljen e dallimeve apo tensioneve mes bashkësive të ndryshme etnike, por në vazhdimësi kemi një garë mes partive për çështje shumë të ndjeshme. Një ndër to është edhe ajo që ka të bëjë me emrin, njëra palë akuzon tjetrën së nuk është e interesuar për ruajtjen e identitetit e kështu me radhë".

"Pra, vitet e fundit edhe VMRO-ja edhe BDI-ja, por edhe partitë tjera në vazhdimësi luajnë me marrëdhëniet ndëretnike dhe kjo vije në shprehje gjithmonë kur ka probleme në shtet dhe atëherë ato gjejnë mënyra të ndryshme, ndër to edhe raportet ndëretnike për të tërhequr vëmendjen nga problemet reale“, thotë Xhabir Deralla nga organizata joqeveritare “Civil“.

Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike thotë se për momentin raportet ndëretnike janë stabile, por ato shumë lehtë mund të tensionohen nëse partitë vlerësojnë se kjo do të ishte në interesin e tyre.

Kështu ka ndodhur në të kaluarën, kështu mund të ndodhë edhe më çështjen e emrit, thotë Dimovski duke shtuar se partitë nuk janë të vetëdijshme se lojërat me raportet ndëretnike mund të kenë pasoja të mëdha për vendin.

Gjithmonë kur në shtet nuk shkon diçka ashtu siç duhet, e që ka të bëjë me Bashkimin Evropian, NATO-n apo edhe çështjet ekonomike, atëherë partitë politike kthehen nga raportet ndëretnike. Kështu është situata edhe me çështjen e emrit ku dy partitë në pushtet udhëheqin politikë të jashtme të ndryshme nga njëra tjetra, dhe kjo gjithsesi në masë të madhe reflektohet në raportet ndëretnike“, thotë Vllado Dimovski nga qendra për tolerancë ndëretnike.

Por, ndryshe nga ai vlerëson Nazmi Maliqi, profesor universitar dhe njohës i zhvillimeve politike dhe të sigurisë. Ai nuk pret ndonjë përkeqësim të gjendjes në vend për shkak të çështjes së monsintegrimit të vendit.

Maliqi thotë se në Maqedoni është krijuar një strukturë politike e cila është shumë e aftë për të manipuluar me qytetarët e vet andaj edhe nuk mundet të priten zhvillime negative.

“Konjukturat politike qeveritare si ato shqiptare ashtu edhe ato maqedonase e kanë vlerësimin shumë të qartë se atyre nuk iu rrezikohen pozicionet pasi kanë krijuar vija tilla për të mbetur në skenën politike dhe nuk ndjehen të rrezikuar nga elektorati i tyre dhe derisa ata e kanë të qartë këtë nuk kanë edhe kokëçarje të madhe se me elektoratin e tyre kanë politikat e tyre të manipulimit herë populiste dhe nacionaliste dhe ndonjëherë të atyre sociale sa për të mjegulluar situatën“, thotë Maliqi.

Ai shton se pushteti aktual duhet të heqë dorë nga një qasje e tillë e manipulimit dhe të punojë në përmbushjen e perspektivës evropiane të qytetareve të Maqedonisë, të cilët në mungesë të kushteve më elementare për jetë çdo ditë e më shumë po braktisin vendin.

Sipas sondazheve të institucioneve të ndryshme pjesa dërrmuese e qytetarëve mbështesin integrimin e vendit, edhe pse tek popullata maqedonase përqindja ka shënuar një ulje të vogël në krahasim me të kaluarën.

Ndërsa sa i përket çështjes së emrit, këtu dallimet janë të mëdha.

Pjesa dërrmuese e shqiptarëve mbështesin ndërrimin e tyre për të arritur integrimin ndërsa të kundërtën vlerësojnë maqedonasit. Shumica e tyre do të hiqnin dorë nga integrimi nëse kjo kushtëzohet me ndërrimin e emrit.
XS
SM
MD
LG